
Rekord historik në “Adem Jashari”, mbi 500 000 udhëtarë vetëm në muajin gusht
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka shënuar një tjetër rekord historik, duke pritur mbi 500,000 udhëtarë vetëm gjatë muajit gusht 2025. Ky është numri më i lartë i regjistruar ndonjëherë brenda një muaji të vetëm në historinë e aeroportit.
Aeroporti ka pasur një vit të jashtëzakonshëm, me rritje të ndjeshme të numrit të udhëtarëve dhe një objektiv ambicioz për të arritur 4.5 milionë udhëtarë deri në fund të vitit 2025.
Bashkëpunimi i ngushtë me linjat ajrore ka kontribuar ndjeshëm në shtimin e frekuencave dhe zgjerimin e destinacioneve, duke e pozicionuar aeroportin si një nyje të rëndësishme ajrore në rajon.
Në aspektin infrastrukturor, janë ndërtuar katër porta të reja embarkimi përmes dy aneksesh të reja, si përgjigje ndaj fluksit të lartë të udhëtarëve dhe tani janë duke u zhvilluar edhe projektet e ardhshme që përfshijnë zgjerimin e zonave të check-in-it, modernizimin e sistemit të bagazheve, si dhe investime në teknologji të avancuar.
Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” mbetet i përkushtuar të ofrojë shërbime cilësore dhe të jetë një qendër ajrore konkurruese për gjithë rajonin.
Viti 2024 arriti në përfundimin e tij me mbi 4 milion udhëtarë ose 19,20% më shumë se viti 2023, ndërsa numri i fluturimeve ishte 16.14% më shumë se viti 2023. E njëjta tendencë e këtij zhvillimi ka vazhduar edhe gjatë vitit 2025.