Rektori Agron Bajraktari dhe drejtuesit e USHAF-it në mbështetje të krerëve të UÇK-së në Hagë, në ditën e dëshmisë së komandantit Wesley Clark

17 nëntor 2025 | 19:50

Në seancën gjyqësore në Hagë, ku po trajtohen ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, përfaqësuesit e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ishin aty, me zemër të bashkuar, me krenari dhe me mendje të drejtë, për të dëshmuar solidaritetin tonë institucional dhe kombëtar.

Në këtë ditë, prania e Gjeneralit Wesley Clark, Komandant Suprem i NATO-s në kohën e ndërhyrjes së vitit 1999, si dëshmitar i mbrojtjes, ishte një akt me domethënie simbolike dhe reale. Dëshmia e tij, bazuar në përvojën e zhurmshme, në profesionalizmin ushtarak dhe në integritetin moral, ndriçoi dhomën e gjyqit me mësimin e qartësisë: lufta e Kosovës nuk ishte një konflikt arbitrar, por një betejë jetike për liri, dinjitet dhe ekzistencë. Ai kujtoi botës se UÇK-ja nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por shprehje e aspiratave të një populli që nuk pranoi të mbahej peng nga dhuna.

Përfaqësuesit e UShAF që ishin sot në Hagë  dhe që me praninë e tyre theksuan se arsimi i lartë akademik nuk është vetëm mësimdhënie, por edhe angazhim qytetar: Agron Bajraktari – Rektor, Kushtrim Cukaj– Prorektor për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Sigurim të Cilësisë, Flamur Salihu–Prorektor për Mësim, Shkencë dhe Çështje Studentore, Etleva Blakaj–Prorektore për Bashkëpunim me Industri, Punë Praktike dhe Aktivitete Komerciale, Bujar Jashari, Dekan i Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Blerina Bytyçi–Dekane e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, Pajtim Rrustemi–Prodekan për Mësim, Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Sigurim të Cilësisë, Lulzim Idrizi–Prodekan për Bashkëpunim me Industri, Punë Praktike, Teknologji dhe Digjitalizim, Bashkim Thaçi– Profesor, Mimoza Zhubi– Profesoreshë dhe Anetare e Senatit, Lavdim Bajrami– Udhëheqës i Divizionit për Buxhet dhe Financa në UShAF, Xhemajl Uksmajli– Udhëheqës i Divizionit për Komunikim me Publikun.

Ky delegacion, me përbërje që reflekton qeverisjen dhe vlerat akademike, nuk erdhi thjesht për t’u parë, por për të dëshmuar. Ata sollën me vete zërin e studentëve, të pedagogëve, të bashkëqytetarëve tanë që presin drejtësi dhe që nuk harrojnë historinë.

Me praninë e tyre dhe me mesazhin e qartë që dërguan, UShAF riafirmoi se institucionet akademike janë vend ku jo vetëm edukimi zhvillohet, por ku ndërgjegjja qytetare rritet. Ne jo vetëm që mësojmë për të kaluarën, por veprojmë në emër të së vërtetës për të ndihmuar që ajo e vërtetë të dëgjohet dhe vlerësohet.

Rektori Bajraktari mes tjerash tha se krenaria që na bashkon sot buron nga një realitet i pashmangshëm, se UÇK-ja ishte dhe mbetet forca qendrore e lirisë. Ajo luftoi jo për pushtet, por për ekzistencë, jo për përfitim, por për dinjitet. Poashtu, ai tha se aleatët tanë ndërkombëtar në krye me NATO-n dhe figura si Gjenerali Clark, ishin partnerë të sinqertë në atë mision.

Gjithashtu, Rektori theksoi se në këtë moment historik ne ritheksojmë plot besim solidaritetin tonë të palëkundur me figurat që po përballen me gjykimin. Ne kërkojmë që procesi të jetë i drejtë, transparent dhe bazuar në parimet e drejtësisë ndërkombëtare. Presim që e vërteta, ajo e sakrificës, ajo e lirisë, të zbardhet plotësisht dhe të fitojë vendin që meriton.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bedri Hamza, është zgjedhur sot kryetari i ri i Partisë…