Rektori Dema diskuton me studentët rreth provimeve dhe sfidave të vitit akademik 2019/20

29 qershor 2020 | 18:41

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Marjan Dema, ka mbajtur sot takimin e përmuajshëm me studentët, në të cilin është diskutuar rreth afateve të provimeve dhe sfidave në përfundimin e vitit akademik 2019/20.

I shoqëruar nga prorektori për mësim dhe çështje për studentë, prof. dr. Hysen Bytyqi, si dhe këshilltari i tij ligjor, prof. ass. Flamur Hyseni, rektori Dema ka folur me studentët e pranishëm rreth kërkesave dhe shqetësimeve të tyre në këtë fazë të përfundimit të këtij viti jo të zakonshëm akademik, i cili në muajt e fundit u zhvillua virtualisht.

Rektori Dema, ka kërkuar nga studentët që të marrin masat e nevojshme për t’u vetëmbrojtur dhe për t’i mbrojtur të tjerët nga pandemia Covid-19, ndërkaq i falënderoi ata për entuziazmin e treguar për t’iu bashkuar mësimit virtual, duke e shndërruar këtë sfidë të mësimit virtual në një sukses për UP-në.

Njëherësh, ai i ka motivuar ata që të mos dorëzohen përballë sfidave që studimet dhe pandemia kanë mundur të sjellin tek ata, por t’i tejkalojnë ato, si një mësim shtesë në jetën e tyre.

Ndërsa studentët nga njësi të ndryshme akademike, pjesëmarrës në këtë takim virtual, e kanë falënderuar rektorin për hapësirën e dhënë për adresim të shqetësimeve të tyre, si dhe theksuan që mësimi virtual ka qenë shumë efektiv, por sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme tash në fazën e vlerësimit të mësimnxënies së tyre.

Takimet e studentëve me rektorin janë takime të përmuajshme, gjatë të cilave diskutohet për tema të ndryshme që prekin cilësinë e jetës studentore në UP. Rikujtojmë që takimi “Kafe & diskutim me rektorin”, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19, në dy sesionet e fundit, është mbajtur online.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është duke zhvilluar një vizitë…