Rektori i UP-së u uron mirëseardhje studentëve të rinj
Gjatë një tubimi të mbajtur pranë kampusit të UP-së, retori Qerim Qerimi u ka uruar mirëseardhje studentëve të rinj.
“Sot është një ditë e veçantë për të gjithë ju, e në veçanti për studentët e rinj që po fillojnë rrugëtimin e tyre jetësor profesional e akademik. Në këtë ditë feste të nisjes së vitit akademik 2023/24, dëshiroj t’ju uroj një mirëseardhje të ngrohtë të gjithë juve qe na keni besuar, duke e zgjedhur Universitetin e Prishtinës si institucion për formimin tuaj profesional dhe akademik. Ju na keni besuar të ardhmen tuaj, prandaj suksesi juaj është përparësia jonë absolute”, ka thënë rektori Qerimi.
Ai ka shtuar se studentët tanë, së bashku me profesorët dhe stafin administrativ, përbejnë pjesën më të çmueshme të komunitetit tonë, i cili është i gatshëm t’ju mbështesë dhe udhëzojë në çdo hap të këtij rrugëtimi.
“Dhe përgjatë sfidave që do të kaloni, rikujtojani vetës që përveç fatit tuaj, ju keni në dorë edhe fatin e kësaj shoqërie. Ju jeni mjekët e ardhshëm, ju jeni mësuesit, juristët, gazetarët, studiuesit, filozofët, psikologët, sportistët, linguistët, matematikanët, shkencëtarët, ekonomistët, artistët e kësaj shoqërie. Ju jeni liderët e saj të ardhshëm. Andaj, punoni fuqishëm, që në të ardhmen të jeni shembulli që të rinjtë që do të vijnë pas jush, do të duan ta ndjekin”, ka vlerësuar rektori Qerimi në mirëpritjen e studentëve.