Rëndësia historike dhe shkencore e Konsultës së Prishtinës

03 dhjetor 2022 | 09:17

Me rastin e 110-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të gjuhës shqipe

Hasan Mujaj

Se Konsulta Gjuhësore e Prishtinës pati edhe rëndësinë e integrimit gjithëkombëtar, u vu re edhe nga qarqet më të larta politike të Beogradit zyrtar ashtu sikundër edhe nga ato akademike, intelektuale etj.; pasuan reagimet e kritikat në mediet serbe madje u kërkua që të mos lejohej mbajtja e Konsultës dhe njësimi gjuhësor shqiptar: “ bashkimi i dy gjuhëve në një ! ” ngase ky bashkim, sipas politikës serbe, do të thoshte homogjenizim nacional.

Pararendësja e Kongresit të Drejtshkrimit qe Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. Pesëdhjetë e katër vjet më parë në Prishtinë u shënua një arritje e madhe në fushën e gjuhës shqipe. Tejet e madhe. Historike. Tërëkombëtare. Shkencore dhe kulturore. Arritje risimtare. Saktësisht më 22 e 23 prill të vitit 1968 zhvilloi punimet dyditore Konsulta Gjuhësore e Prishtinës. Iniciatorë të organizimit të kësaj Konsulte qenë: Instituti i Albanologjisë i Prishtinës dhe Dega e Gjuhës dhe e letërsisë shqipe e Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Flamurtarët e iniciativës, profesorët elitarë, akademikët: Idriz Ajeti, Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Ali Hadri etj. Në trajtim të Konsultës, me shumë arsye, ata parashtruan njësimin e gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët në të gjitha përdorimet zyrtare të saj. Në këtë Konsultë morën pjesë, përveç studiuesve të shkencave albanologjike, historike etj. edhe përfaqësues të arsimit, të kulturës, të publicistikës, të shkrimtarëve, të medieve të ndryshme etj. të shqiptarëve të Jugosllavisë së atëhershme. Konsulta e Prishtinës, nga rëndësia gjuhësore, kulturore, shkencore e politike që pati, hyri në historinë kombëtare shqiptare si një nga arritjet më ndriçuese të përafrimit dhe të bashkëpunimit të kombit të ndarë nga politika.
Pas shumë diskutimesh, Konsulta Gjuhësore mori vendimin që botimi: Rregullat e dejtshkrimit të shqipes, Tiranë, 1967, të miratohen për shkrimin e gjuhës letrare shqipe edhe për shqiptarët e ish-Jugosllavisë.
Pararendësja e Kongresit të Drejtshkrimit- Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, me vendimin e marrë, vuri gurin më me peshë në themelin e qëndrueshëm mbi të cilin, katër vjet më vonë, u trupëzua gjuha e njësuar letrare shqipe në shkallë tërëkombëtare.
Përveç arsyeve shkencore e kulturore, edhe shtysat politike antishqiptare serbe qenë një puhizë me ndikim për të krijuar ndërlidhjen bashkërenduese në fushat më të rëndësishme të veprimtarisë brenda kombit politikisht të ndarë në disa shtete. Kështu Konsulta e Prishtinës shënoi shmangien e provinciales në favor të gjithëkombëtares.
Ajo solli dritë të re dhe thelloi bashkëpunimin e mëtejshëm të zhvillimit të shkencave të albanistikës; ajo bëri hapin e parë dhe më të madh të bashkërendimit gjithëkombëtar madje jo vetëm në fushën e standardizimit të gjuhës shqipe, por edhe të dijeve të tjera; ajo hapi rrugën e bashkëpunimit shkencor Prishtinë – Tiranë; rrugën e vizitave reciproke akademike, arsimore, kulturore, hulumtuese etj.
Konsulta e Prishtinës, në këtë mënyrë, vuri në jetë programin kombëtar të Rilindjes Shqiptare: të Lidhjes së Prizrenit, të Lidhjes së Pejës, të Kongresit të Manastirit, të Kuvendit të Junikut, të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, 110- vjetori i së cilës u shënua këto ditë tok me Konferencën shkencore me emërtimin: 50- vjet nga Kongresi i Drejtshkrimit të gjuhës shqipe që u shënua në Shkup, në Prishtinë dhe në Tiranë etj. në të cilat arritje historike, në programin kombëtar të tyre, gjuha shqipe, rrugëtimi konvergjent i saj, kishte kryet e vendit.
Se Konsulta Gjuhësore e Prishtinës pati edhe rëndësinë e integrimit gjithëkombëtar, u vu re edhe nga qarqet më të larta politike të Beogradit zyrtar ashtu sikundër edhe nga ato akademike, intelektuale etj.; pasuan reagimet e kritikat në mediet serbe madje u kërkua që të mos lejohej mbajtja e Konsultës dhe njësimi gjuhësor shqiptar: “bashkimi i dy gjuhëve në një ” ngase ky bashkim, sipas politikës serbe, do të thoshte homogjenizim nacional.
Qe meritë edhe e politikanëve të lartë shqiptarë të Kosovës që, me gjithë kundërshtimin e Beogradit, jo vetëm që nuk e ndaluan mbajtjen e Konsultës Gjuhësore, porse, pritën zyrtarisht drejtuesit e Konsultës dhe i përgëzuan për realizimin e kësaj arritjeje të re dhe të rëndësishme shkencore e kombëtare.
Dijetarët zulmëmëdhenj Shaban Demiraj dhe Kristaq Prifti shkruajnë se gjuha shqipe nuk trajtohej “vetëm si çështje kulture nga rilindësit, por edhe në rrafshin politik, si veprime patriotike që do të ndihmonin në formimin e unitetit të kombit shqiptar.“ (Kongresi i Manastirit, Tiranë, 2004, 16 ).
Në rrethanat politike në të cilat jetonin e vepronin shqiptarët jashtë Shqipërisë politike, sidomos në Kosovë, në kohën e Konsultës, njësimi i gjuhës shqipe kishte jo vetëm rëndësi shkencore, por edhe domethënie historike, kulturore dhe kombëtare. Studiuesit e shkencave të albanistikës, të shkencave të historisë, të filozofisë etj., intelektualët apodiktikë të Kosovës nuk qëndruan statikë e pasivë sa i takon zhvillimit arsimor, shkencor e kulturor në gjuhën shqipe ndonëse në rrethanat politike tejet të disfavorshme dhe të kufizuara. Megjithëkëtë, ata u dëshmuan strategë dhe vrojtues pragmatikë të zhvillimeve politike të sistemit shtetëror jugosllav, sidomos në gjysmën e dytë të viteve të 60-ta të shek. XX kur u shënua një ngritje dhe një rritje sado e vogël e lëvizjes shqiptare për të drejtat kombëtare në Kosovë. Ky ndryshim ndodhi pas të ashtuquajturit Plenum i Brioneve në korrik të vitit 1966 në të cilin u kritikua politika represive serbe nga krerët e shtetit jugosllav ndaj shqiptarëve dhe pati edhe përjashtime partiake e shkarkime ministrore.
Pas ndryshimeve politike të vitit 1966 u krijua mundësia e zhvillimit më të lirë arsimor, shkencor, kulturor etj. për shqiptarët e Kosovës, të cilët e shfrytëzuan këtë hapësirë të re. Organizuesit e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës vlerësuan drejt rrethanat e volitshme politike për të mbajtur këtë Konsultë, e cila nuk qe vetëm një arritje gjuhësore, porse edhe një përbërës jehues i lëvizjes kombëtare legale dhe një shtysë përforcuese dhe etike e asaj ilegale, që sa vinte e bëhej më masive edhe për integrimin gjithëkombëtar. Konsulta i shpuri përpara, i fuqizoi dhe i nxiti edhe kërkesat e tjera për të drejtat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës si p. sh.: përdorimi i lirë i Flamurit Kombëtar, themelimi i Universitetit të Prishtinës, barazia gjuhësore, avancimi i statusit politik e kushtetues të Kosovës etj. Kërkesat e këtilla u bënë publike në demonstratat e studentëve të nëntorit të vitit 1968 në disa qytete të Kosovës.
Ato hapën rrugën e bashkërendimit të qëndrimeve ndërshqiptare Shqipëri – Kosovë për të krijuar një standard gjuhësor dhe për të filluar bashkëpunimin jo vetëm në shkencat e albanologjisë, por edhe në shumë drejtime të tjera, që në vitet e 70- ta, u bënë realitet.
Konsulta e Prishtinës ndoqi parimin: “Një komb – një gjuhë letrare,” një shprehje e shkurtër nga ndërtimi, por e gjatë, shumë e gjatë nga përmbajtja. Me domethënie të përhershme. Me implikaturë semantikisht konvergjente. Një shprehje eliptike dhe lapidare. Nga këndvrojtimi semiotik- shumë e pasur; mund të labërgohet e të vëzhgohet nga shumë fushëza të përshkrimit metaforik. Kjo shprehje duhet të ndiqet përherë.
Miratimi i njësimit të gjuhës shqipe për të gjithë shqiptarët bëri jehonë të madhe dhe u mirëprit jo vetëm në Kosovë, por edhe nga shqiptarët të ndarë në republikat ish- jugosllave. Sepse, krijimi i një standardi për shkrimin e gjuhës shqipe u pa si mjeti më efikas i ndërlidhjes së kombit madje pati shumë raste të manifestimeve kulturore e festive, sidomos nga studentët si tregues solidarizimi të kësaj arritjeje me vlerë gjithëkombëtare.
Rëndësia historike, kombëtare e gjuhësore e Konsultës, nga disa studiues, është krahasuar me zhvillimet më madhështore dhe më të rëndësishme të historisë kombëtare sikundër janë: Lidhja e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Kongresi i Drejtshkrimit etj. (Rami Memushaj, Konsulta…, 2008, 84 ).

E veçanta e Konsultës së Prishtinës

Pritja krahëhapur dhe me shënime solemne e njësimit të drejtshkrimit të gjuhës shqipe nga shqiptarët jashtë Shqipërisë politike dëshmohet edhe nga fakti se vendimi i Konsultës së Prishtinës filloi shumë shpejt të zbatohej në praktikën gjuhësore të të gjitha fushave të përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Pra, katër vjet përpara Kongresit të Drejtshkrimit, filloi së zbatuari një standard i drejtshkrimit mbi bazën e toskërishtes me disa elemente të gegërishtes. Kjo është e veçanta dhe jehona e Konsultës.
Ky veprim, i dalë me galdim nga Konsulta e Prishtinës, hedh poshtë mendimet e disa paskajorëve e nostalgjikëve të infinitivit të tipit p. sh. me lexue, me punue etj. madje, ç ‘është edhe më e papranueshme, edhe me reduktimin e togjeve zanore: ue, ye, ie etj. në përbërësin e parë si p. sh.: ue në u pra: me lexu, ye në y: me thy etj. Ose: shumësi i fjalës dorë, që nga një “mësues” i gjuhës, përdoret “dur” në vend të duar etj., forma këto që mund të dëgjohen herë-herë në paraqitjet publike edhe nga ca gjuhëtarë!
Dihet se këto togje zanoresh ruheshin të plota edhe në ish-variantin e gegërishtes letrare në përdorimet zyrtare të gjuhës në sistemin emëror e foljor, në kohët e përbëra dhe në mënyrat e pashtjelluara të foljeve etj. Shkrirja e këtyre togjeve është kalim në trajtat dialektore dhe shkarje e rëndë e standardit gjuhësor.
Do vënë në dukje e dhëna se Konsulta nuk pati ndonjë detyrim presioni a diktati politik për të marrë vendimin e njësimit të një standardi gjuhësor, porse mbizotëroi motivi kombëtar e shkencor. Pra, është i paqëndrueshëm ndonjë konstatim se Konsulta e Prillit u ndikua nga Tirana zyrtare. Gjuha shqipe, pas Kongresit të Alfabetit, nga fakti i rrethanave të ndarjeve politike, pati një rrugëtim të gjatë: 60-vjeçar për t’ u bërë unike nga Konsulta e Prishtinës, e cila shënoi një kthesë historike ndesh kthetrave të izolimit provincial. Ajo, në këtë rrugëtim përplot pengesa, kaloi nëpër karma, kreshta e rrëpira malesh të parrahura duke hapur rrugëza depërtuese bashkërendimi kombëtar që dhanë rezultate për të krijuar një drejtshkrim të gjuhës shqipe. Hapja e degëve të reja të studimeve të gjuhës shqipe përveç Prishtinës, edhe në Prizren e në Gjakovë, zgjeroi mundësinë e përgatitjes së mësuesve të diplomuar të kësaj lënde në shkollat e Kosovës.
Akademik Rexhep Qosja, për rëndësinë historike, kulturore dhe shkencore të Konsultës Gjuhësore shkroi: “…qëndrimet e sotme mohuese ndaj rëndësisë gjuhësore, kulturore, politike, prandaj edhe kombëtare të saj (të Konsultës ), në thelb, nxisin ndarjen, shpërbërjen, veçimin, krahinorizmin në jetën kombëtare shqiptare.” (Konsulta…, 2008, 20 ).

Faktorët jashtëgjuhësorë të Konsultës

Këta faktorë, që nxitën e motivuan përforcimin e zhvillimin më të thukët të lëvizjes kombëtare për sendërtimin dhe mbrojtjen e të drejtave nacionale me armë e me penë, që nga Rilindja Shqiptare dhe në vijimësi gjatë historisë, qenë: faktori politik antishqiptar me projekte e diktaturë gjenocidi dhe etnocidi të Beogradit e të Cetinjës ndesh shqiptarëve etnikë për t‘i rrëmbyer me luftë krahinat shqiptare si p. sh.: nga Nishi ilir, Toplica, Kurshumlia, Pazari i Ri; fshatrat, qytetthet e qytetet shqiptare në Mal të Zi si: Vranina, Zhanica, Nokshiqi, Tivari, Ulqini etj.; presionet represive të sigurimit shtetëror serbo – jugosllav ndaj shqiptarëve, që shpeshherë përfundonin me burgosje e vrasje, sidomos për ata që kishin lidhje familjare e farefisnore me të afërmit e tyre në Shqipëri; veprimtaria kombëtare legale dhe ilegale në Kosovë dhe në mërgatën shqiptare p.sh. veprimtaria publike e atdhetare e Adem Demaçit, burgosja e tij shumëvjeçare vetëm se i kërkonte të drejtat kombëtare madje përpara gjykatave serbe; ajo këndohej nga rapsodët popullorë në gazmende e shënime të ndryshme dhe rrezatonte e zgjonte ndjenjat e bashkimit të kombit; ndalimi i përdorimit të Flamurit Kombëtar nga politika serbe; ndalimi i leximit të kryeveprës së Gjergj Fishtës Lahuta e Malsisë, e cila qarkullonte fshehurazi nga lexueset e lexuesit, sepse po qe se i gjendej ndokujt, pasonte burgosja dhe përjashtimi nga puna. E masa të tjera.
Në këtë lëvizje kombëtare të ndërlidhjes së kombit, e cila sa vinte e po ngrihej lart nga intelektualët dhe veprimtarët atdhedashës, nga rinia e Kosovës në vijimësi, kontribut madhështor dhanë edhe shumë heroina e therore të kombit andej e këndej kufirit politik si: motrat Qiriazi, Musine Kokalari, Marije Shllaku, Elena Gjika (Dora d’Istria) etj. me penë; Tringa e Smajl Martinit, Nora e Kelmendit, Shotë Galica, Xhevë Lladrovci etj. me armë.
Prandaj, kjo lëvizje kombëtare, e gjatë dhe e gjerë, rrethanat politike, sociale, arsimore, kulturore etj. të saj në të cilat rrodhi, tek bën pjesë edhe Konsulta e Prillit e vitit 1968, paraqit vlerë dhe interes edhe për kërkimet sociolinguistike e politolinguistike. Sepse, edhe çështjet gjuhësore e kulturore, sipas strategjisë diskriminuese serbe e malazeze, shiheshin si zhvillime politike. Për këtë arsye reagimet propagandistike e imagjinare serbe edhe në mediet ndërkombëtare kundër përgatitjeve të shqiptarëve për takimet me rëndësi historike e kombëtare sikundër ishte Kongresi i Manastirit, ishin konstante, fyese e shkombëtarizuese p. sh. “… shqiptarët janë të paqytetërueshëm”, se janë “ për t ‘ u shpërndarë “ etj. (Sh. Demiraj – K. Prifti, Kongresi i Manastirit, Tiranë, 2004, 83).
Kontributi i Konsultës së Prishtinës për standardizimin e gjuhës shqipe u vlerësua si shumë i madh dhe tejet i rëndësishëm edhe nga studiuesit e shquar të Tiranës si: Emil Lafe, Rami Memushaj, Xhevat Lloshi etj. Ndarja gjuhësore e shqiptarëve nga shqiptarët, siç pretendohet herë – herë në disa diskutime, intervista etj. do të ishte ndarje e përsëdytshme e kombit, i cili aspiron bashkimin dhe jo rindarjen e vlerave më të larta identitare sikundër është gjuha shqipe.
Një ndarje e re gjuhësore do të ishte një kthim pas në dy standarde të një gjuhe të një kombi siç ishte deri në kohën e Konsultës së Prishtinës; “do të ishte një përmbysje rrënuese për shkollën e arsimin shqiptar.” (Sh. Islamaj, Konsulta…, 41).
Akademik Idriz Ajeti, në shënimin e 100 – vjetorit të lindjes, që u mbajt në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës (27 janar 2017), ndër të tjera, hodhi edhe një vështrim rredh udhëtimit historik të zhvillimit të standardizimit të gjuhës shqipe për të cilën hulumtoi, ligjëroi e shkroi tërë jetën. Ai tha: “ përpjekjet tona, në shekullin e kaluar, për ta bërë bashkë, tani duhet të jenë përpjekje për ta përmbushur, por pa e trandur themelin e saj… Sa i pafund ishte thesari i saj; sa e pafund ka qenë ideja për ta bërë një, të përbashkët, të plotë.”
Shprehja “pa e trandur themelin e saj “është porosi e madhe, e përhershme, shumë domethënëse, sepse, po u trand themeli, do të bjerë përtokë e tërë ndërtesa. Me gjithë ndonjë pretendim të paargumentuar të atykëtushëm, studiuesit e mirëfilltë të gjuhës shqipe nuk do të pajtohen të trandet themeli i gjuhës standarde shqipe për të cilin u punua me përkushtim të madh vite të tëra nga specialistët më të spikatur të gjuhës sonë nga të dy anët e kufirit politik.
Gjuha standarde shqipe nuk është e mbyllur. Jo. Ajo është e hapur për t’u bërë edhe më e pasur me fjalë e shprehje të reja, për t’u vënë në funksion të zhvillimeve dhe të arritjeve të reja shkencore në të gjitha fushat e veprimtarisë; ajo ecën përpara, por nuk do kthim pas për të rrënuar, por për të ndërtuar.

Gjuha standarde të mbrohet me ligj

Në muajin shkurt të vitit 1979, “një nga lisat më të lartë të kulturës shqiptare” (kështu e quante prof. Emil Lafe prof. Eqrem Çabejn), propozoi një Komision mbikëqyrës për zbatimin e gjuhës standarde shqipe në të gjitha institucionet e shtetit. Detyrat e Komisionit u futën në Kushtetutën e Shqipërisë, te neni 59, shkruan: “ Shteti synon kujdesin e veçantë për gjuhën shqipe!”

Që të ngrihet kultura e gjuhës standarde dhe të zbatohet në praktikë, duhet të hartohet dhe të miratohet në Kuvendin e Kosovës ligji që e mbron gjuhën standarde shqipe në të gjitha përdorimet zyrtare të saj. Vlera më e lartë e identifikimit kombëtar- gjuha standarde shqipe, për të cilën veprimtarët më të shquar madje vështirë të përsëdytshëm të Rilindjes Kombëtare Shqiptare mbollën e korrën arritje të reja të ndërtimit e të pasurimit të saj, duhet ta ketë ligjin e mbrojtjes nga ato dhe ata që bëjnë gabime të rënda në të shprehurit me gojë e të mos flasim për gabimet me shkrim që janë edhe më të rënda!
Ligjin për gjuhën standarde sot e kanë dhe e zbatojnë shtetet më të zhvilluara të Perëndimit. Pse të mos e ketë shteti i Kosovës? Sa i kushtohet vëmendje e rëndësishme përdorimit të drejtë të gjuhës standarde në veprimtaritë publike nga institucionet më të larta të shtetit, mund të shihet edhe nga fjalimi i ish-kryetarit të ShBA-së Bil Klinton, mbajtur në mbledhjen zyrtare të Senatit të Universitetit të Prishtinës me ç’ rast u shpall doktor nderi i këtij Universiteti. Ai vuri në dukje se në ShBA shteti ndjek me përkushtim zbatimin e ligjit për gjuhën standarde në përdorimin zyrtar dhe rastet e shkeljes së këtij ligji sanksionohen ligjërisht: presidenti shtoi si shembull se “në ShBA e kanë humbur licencën e punës dhe janë mbyllur disa medie vetëm për arsye të gabimeve gjuhësore në veprimtarinë e tyre.” Pra, ky është shembull tipik sesi duhet të mbrohet me ligj përdorimi i drejtë i gjuhës standarde.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xhiroja e 13-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në…