Rënia e Agim Ramadanit, betim për luftëtarët në Koshare
Shkruan: Hisen Berisha, gjeneral
Sot nuk është thjesht një datë përkujtimi.
Sot është një ditë që e ndan historinë në para dhe pas. Përvjetori i rënies së Agim Ramadanit në Betejën e Koshares shënon një nga momentet më të lavdishme të luftës çlirimtare dhe njëkohësisht Ditën e Dëshmorëve të kësaj beteje që zhbëri atë kufi të padrejtë dhe riktheu dinjitetin e një populli.
Agim Ramadani nuk ishte vetëm një luftëtar.
Ai ishte mendje ushtarake, intelektual vizionar dhe strateg i operacionit më të guximshëm të luftës së UÇK-së.
Në një kohë kur edhe qarqet ndërkombëtare po analizonin drejtimet e mundshme nga të cilat do të ndërhynin me forca tokësore kundër ushtrisë serbe jugosllave, ai iu dha përgjigjen që sot është bërë pjesë e historisë sonë kombëtare:
“Na mbështesni nga ajri, për tokë jemi vetë!”
Kjo nuk ishte vetëm një fjali. Ishte një deklaratë besimi në forcën e luftëtarit shqiptar.
Ishte një shpallje e qartë se liria nuk dhurohet, ajo fitohet me gjak, me sakrificë dhe me vendosmëri të palëkundur.
Dhe ashtu ndodhi.
Beteja e Koshares nuk ishte vetëm një përballje ushtarake. Ajo ishte heqja me forcën e armës të kufirit që ndante padrejtësisht kombin, ishte rrëzimi i një simboli të robërisë dhe ngritja e një simboli të ri, lirisë së fituar me armë në dorë.
Në atë tokë, ku bien dëshmorët, vuloset një e vërtetë historike, që u kthye në betim të luftëtarëve, se “aty ku bie gjaku i luftëtarit nuk do të shkelë më kurr këmba e armikut”.
Agim Ramadani dhe ne bashkëluftëtarët e tij nuk luftuam vetëm për një territor. Luftuam për dinjitetin e një kombi, për të drejtën për të jetuar të lirë dhe për të mos u nënshtruar më kurrë.
Ne e dëshmuam se kur një popull vendos të mos jetojë më në robëri, asnjë forcë nuk mund ta ndalë. Sepse kjo është shkalla më e lartë e vetëdijes njerëzore.
Sot, kujtimi për Deshmorët nuk duhet të jetë ceremonial. Nuk duhet të jetë vetëm një kurorë lulesh apo një fjalim protokollar.
Sot është ditë reflektimi dhe përgjegjësie. Sepse sakrifica e tyre na obligon.
Na obligon të mbrojmë shtetin që e ndërtuam me gjak e sakrifica.
Na obligon të mos lejojmë deformimin e historisë së luftës për liri.
Na obligon të qëndrojmë të bashkuar përballë çdo sfide, të brendshme apo të jashtme.
Sepse Kosharja nuk është vetëm histori, është standard.
Standard i guximit, i sakrificës, i vetëdijes kombëtare dhe i vendosmërisë për liri.
Lavdi e përjetshme Agim Ramadanit dhe të gjithë dëshmorëve të Betejës së Koshares!



