
Rënia e Kosovës në lirinë e medias, Kurtit i pengojnë analistët: Ata e kanë humbur gazetarinë hulumtuese
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke krahasuar me pesë vitet e fundit, thotë se ekonomia, sovraniteti, bizneset dhe mirëqenia janë përmirësuar, por jo edhe mediat.
Kurti thotë se indeksi i publikuar nga Reporterët pa Kufij, nga njëra anë është joreal, pasi sipas tij, është bazuar vetëm në një ose dy informues.
Ai shton se edhe vetë mediat duhet të punojnë për ta përmirësuar atë.
“Indeksi që e kanë vendosur Reporterët pa Kufij nuk është real, për shkak se është bazuar në një ose dy informues. Dhe nga ana tjetër, besoj se edhe vetë mediat duhet të punojnë për ta përmirësuar.”
Tutje, ai kërkon nga mediat më shumë profesionalizëm dhe gazetari hulumtuese, ndërsa thekson se analistët po e zëvendësojnë gazetarinë hulumtuese me përpjekje për të imponuar qëndrimet dhe mendimet e tyre.
“Padyshim se jemi shumë më mirë se Serbia. Por ajo që do të doja të kishte më shumë në mediat tona është profesionalizmi dhe gazetaria hulumtuese.
E ka thënë edhe sekretari organizativ i yni: analistët dhe opinionistët thuajse e kanë humbur gazetarinë hulumtuese. Askush nuk dëshiron të studiojë, të hulumtojë për të vërtetën, por përpiqen të imponojnë mendimin apo qëndrimin e vet. Në media zhvillohet debati për median, por duhet të ketë edhe debat rreth vetë mediave”, përfundon Kurti në RTK.