Rënia e paplanifikuar e B2 në KEK, Shala paralajmëron krizë dhe rritje çmimesh
Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka reaguar lidhur me situatën e krijuar në sektorin e energjisë elektrike, pas rënies së njësisë B2 në KEK.
Përmes një postimi në “Facebook”, Shala ka shkruar se sot më 18 Janar 2026, ka rënë njësia B2 në KEK dhe mbi 250 MWh energji elektrike janë larguar nga sistemi pa asnjë paralajmërim, raporton IndeksOnline.
“Kjo nuk është më një ngjarje e rastësishme, por pasojë e mirëmbajtjes së dobët, menaxhimit të dobët dhe mungesës së përgjegjësisë institucionale”, ka shkruar Shala.
Tutje, ai ka shkruar se çdo rënie e njësive krijon krizë në treg.
“Aq më tepër kur kemi rënie të paplanifikuara, si kjo e sotmja, të cilat rrisin çmimet dhe u japin tregtarëve hapësirë të diktojnë kushtet, ndërsa qytetarët paguajnë pasojat. Institucionet heshtin, investimet nuk japin rezultat dhe siguria energjetike po dobësohet”, ka shkruar Shala.



