Rënia

06 shkurt 2022 | 09:10

Dibran Demaku

 Ju po i gëzoheni rënies sime. E shoh në bebëzat e syve tuaj, por mos u gëzoni shumë, o të uruar! Kështu do të bini një ditë edhe ju, sepse kështu është ndërtuar kjo botë. Ai që është lart një ditë më herët apo më vonë do të bjerë. Do të bjerë se s’bën! Edhe unë kur u ngrita në atë post udhëheqës pata menduar se s’do të ketë rënie në jetën time. Pata menduar e ëndërruar se në jetën time do të ketë vetëm ngritje lart e më lart! Pa menduar asnjëherë se diku edhe mund të rrëshqisja dhe ta thyeja qafën. Të gjithë ata që më rrinin afër më nxisnin që unë të hapëroja vetëm nga majat. I përfshirë i tëri nga një eufori çmendurake mendoja se ata që më rrinin përkrah më donin dhe u gëzoheshin sukseseve të mia. Asnjëherë nuk më kishte vajtur nëpër mend se ndonjëri nga ata, i etur për pushtet dhe lavdi, mund të më përgatiste ndonjë ndërkëmbës që unë të rrëzohesha!

Si në pamje filmike i ishte shfaqur në sytë e mendjes ajo ditë e madhe për të. Dikush e kishte propozuar për atë post dhe pa pritur e pa kujtuar e kishe fituar atë. Ishte bërë i madh. Tash e tutje emri i tij do të përmendej me nderim të madh. Kur ai të kalonte rrugës njerëzit do të bënin me gisht. Do ta shihnin me lakmi dhe me adhurim. Emrin e tij do ta shkruanin gazetat, do ta përmendnin radiot, televizionet. Ai, i tëri dhe i bëri, do të fliste nëpër televizione tash e tutje si njeri me kompetenca të larta. Miqtë dhe shokët po e uronin. Ndonjëri, duke e uruar, ia shtrëngonte edhe dorën. Ndonjëri që ndodhej më larg po e uronte me zë nga larg. Ai i përfshirë nga ethet e së papriturës nuk ishte në gjendje të kuptonte se ata që e uronin ishin vërtet të gëzuar për këtë ngritje të tij, apo e uronin vetëm sa për mirësjellje a për sy e faqe. Ai mundohej që me mendjen dhe shikimin e tij të depërtonte deri te zemrat e tyre dhe ta shihte të vërtetën, por deri aty nuk arrinte dot. Në ato çaste të gëzuara i kishte ardhur në mendje nëna e tij. Pastaj të gjithë me radhë: babai, gruaja, fëmijët. Ishte i bindur se ata do t’i gëzoheshin vërtet ngritjes së tij. Nëna do ta përqafonte dhe uronte. Po ashtu edhe babai. Gruaja, ah gruaja! Ajo, përveç që do ta uronte dhe përqafonte, do të ishte shumë e lum-tur dhe krenare karshi shoqeve të veta. Do t’u fliste atyre me mburrje për të shoqin e ato do ta dëgjonin me adhurim dhe me zili. Madje edhe me adhurim sepse ajo tashmë ishte e shoqja e një njeriu të nderuar dhe të respektuar nga të gjithë. Zilinë e ruanin për burrat e tyre që nuk ishin të tillë!

Kur ishte kthyer në shtëpi, duke e uruar nëna, i kishte thënë: Biri im, që sot e tutje duhet të punosh me nder dhe drejtësi. Nderi dhe drejtësia të ngrehin edhe më lart e ta rrisin namin, e nëna ta bën hallall gjirin! Ndërkaq, i ati, kishte shtuar: Biro, lisi sa më i lartë të jetë i duhen rrënjët thellë e më thellë në tokë. Po nuk i pati rrënjët thellë në tokë e lëvizin erërat. Erërat e forta edhe mund ta rrëzojnë lisin. Ai kishte qeshur. Të atit nuk i kishte pëlqyer e qeshura e tij, por… e shoqja, duke e uruar dhe përqafuar, kishte plotësuar: Tash e tutje më janë shtuar obligimet ndaj teje. Më duhet të kujdesem për gardërobën tënde, për këpucët. Duhet të kujdesem që të mos gjendet asnjë grimë pluhuri mbi to! Ç’thua moj? – ia kishte kthyer i shoqi. Unë tash e tutje nuk do të eci më në këmbë. Do ta kem makinën time zyrtare së bashku me drejtuesin. Do të hyj në makinë në prag të shtëpisë dhe do të zbres nga ajo në prag të zyrës sime. Pluhuri dhe balta do të jenë larg nga unë. E lumja unë për ty! – i ishte përgjigjur e shoqja duke i dhuruar një puthje të ngrohtë flakë për flakë…

… flisni ju flisni, çfarë të doni. Unë e di shkakun e rënies sime! Ju tash mund të trilloni gjithçka. Ju jeni shumë e unë jam fill i vetëm…

… dhe i ishte kujtuar çasti kur i ishte prishur idili i kënaqësisë që jetonte pas fitores së tij të madhe. Në një mbrëmje në dhomën e gjumit, pak para se ta fiknin dritën, e shoqja, si pa të keq, i ishte drejtuar: Kohët e fundit po dëgjohen ca fjalë andej-këtej që mua po më shqetësojnë, i dashur! Përse, çfarë po flitet poshtë e lart? – kishte pyetur ai duke e shikuar drejt në sy. Shumë nga gratë po thonë se sot njeriu fiton pozitë të lartë në shoqëri në dy mënyra: Me shpinë të fortë ose me grua të bukur! Ha, ha, ha! – kishte qeshur ai dhe kishte vazhduar: Po unë cilën nga këto të dyja i kam? E shoqja nuk kishte thënë asgjë vetëm e kishte vështruar të shoqin me një shikim në të cilin vërehej sikur ajo e ndiente veten fajtore për pyetjen e bërë. Mos u shqetëso shumë për thashetheme të tilla, e dashura ime! – kishte vazhduar ai. Ato i bëjnë gratë nga zilia. Unë nuk e kam shpinën e fortë. Dhe prapë e kishte zënë e qeshura, – ndërkaq gruan, po, e kam të bukur. Ti je e bukur, e dashura ime, dhe të marrshin të keqen të gjithë ata që men­dojnë keq për ty! – dhe duke e shtrënguar për trup të vetin e kishte puthur e përqafuar si i çmendur. Thashetheme ose jo, mua po më shqetësojnë ato fjalë, – i ishte përgjigjur e shoqja duke u liruar nga ato puthje të zjarrta të të shoqit. E kanë nga zilia dhe inati, e dashura ime. Ato trillojnë fjalë të ndryshme që të ta prishin ty gëzimin dhe lumturinë…

…vetëm unë e di qëllimin tënd të vërtetë. Ti mund të thuash çfarë të duash për mua. Por, atë ëndrrën tënde nuk do të mund ta realizosh kurrë. Ti mund të më shkarkosh nga vendi udhëheqës, mund edhe të më largosh nga puna me ata larot e tu, por nderin nuk ma nëpërkëmbë dot…

Kemi një vend të lirë pune, – i ishte drejtuar eprori i tij. Ai po e shihte atë pa i thënë asgjë. Gruaja jote është e papunë, andaj kemi menduar që atë vendin e lirë të punës ta marrë ajo, – kishte vazhduar eprori. Për një çast ai kishte mbetur pa fjalë. Nuk dinte se çfarë të thoshte. Në mendje i kishte ardhur biseda e asaj mbrëmjeje me të shoqen. Atë mbrëmje ai nuk ishte shqetësuar fare, sepse ato fjalë i kishte marrë si thashetheme të grave të papuna që tërë kohën e kalojnë duke pirë kafe dhe duke i shikuar filxhanët e njëra-tjetrës.

… Ju falemnderit për kujdesin e treguar, por ime shoqe ka mjaft punë në shtëpi dhe rreth saj – ishte përgjigjur duke u dridhur. Eprori e kishte ndier shqetësimin e tij. Mos ke të ftohtë që po dridhesh? – e kishte pyetur eprori. Nuk kam të ftohtë dhe as nuk po dridhem, – ishte përgjigjur ai me shpejtësi. E pra mua po më bëjnë sytë, – i kishte thënë eprori dhe kishte vazhduar:… nuk e tregove qëndrimin tënd të prerë për propozimin? Të thashë se gruaja ime ka mjaft punë në shtëpi dhe rreth saj. Çfarë të të them tjetër? Sido që të jetë, ti mendoje edhe një herë propozimin tim! Pastaj bisedo edhe me gruan tënde! Pasi ta marrësh mendimin e saj atëherë bisedojmë bashkë, – kishte përfunduar eprori dhe kishte ikur. Ai kishe mbetur si një statujë. Pas pak çastesh i ishte kujtuar gruaja. Ajo vërtet ishte e bukur! Ato fjalët e sime shoqeje nuk paskan qenë thashetheme të kota, siç kujtoja unë! Po ky eprori im ku do ta ketë parë time shoqe? Mbase unë i marri ia kam treguar ndonjë nga fotot e saj! Ose ndonjëri nga kolegët e ka parë dhe i ka treguar në vesh eprorit për bukurinë e saj! Dhe? Dhe ai tash dëshiron që ta njohë gruan time. Ta shijojë bukurinë e saj. Domethënë zgjedhja ime në këtë post nuk qenka krejt e rastësishme! Domethënë këtë post unë e paskam fituar falë bukurisë së gruas sime!? Për këtë shkak ajo dhe bukuria e saj tash duhet ta paguajnë çmimin e zgjedhjes sime në postin e lartë. Kurrë! Kurrë! Kishte goditur tavolinën me grusht.

… Miku ynë, jo vetëm që nuk u tregua mirënjohës për postin që i dhamë, por ai nga pozita e lartë filloi të bëhej edhe mendjemadh! Ai filloi të mos e përfillë askënd. Ai filloi të mos më përfillte as mua, eprorin e vet! Dhe jo vetëm kaq! Ai filloi të ndërhynte edhe në punët e të tjerëve. Filloi që t’i mësonte të tjerët se si të silleshin, se si të punonin. Sikur ai të ishte i gjithë-dijshmi! Po, ç’është e vërteta, ne të gjithë i dimë aftësitë e tij fare modeste. Ne, duke i dhënë pozitë udhëheqëse, deshëm që ta ndihmonim ta gjente vetën. Dhe kujt t’i ndihmosh? Injo­rantit? Mosmirënjohësit? Ndaj kam vendosur, në fakt kemi vendosur që të gjithë ta shkarkojmë. Pas rënies së tij nga posti që i dhamë, mbase ai do ta njohë veten e tij dhe vlerën e vet!

Gjithë të tjerët sa ishin aty po heshtnin. Ai e kishte kthyer shikimin prapa. Miku më i mirë i tij po qeshej me ironi. Ky ishte ngritur rrëmbimthi në këmbë: Përse i gëzoheni rënies sime? Që ta zini vendin tim? Ah, o të mjerë! Nuk e kuptoni se edhe ju do të bini një ditë si unë, në mos edhe më keq. Atëherë do të përmbyset gjithçka në jetën tuaj. Edhe dëshirat, edhe ëndrrat, edhe shpresat. Sepse, kështu ka ndodhur e kështu do të ndodhë gjithmonë në jetë të jetëve.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një çift bashkëshortor nga Gllogoci janë rrahur mes vete. Kjo…