Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera: Qeveria e Kosovës të ndalë erozionin e lirisë së mediave, LV-ja dobësoi disa standarde
Reporterët pa Kufij bashkë me një numër të madh të organizatave ndërkombëtare të cilat mbrojnë lirinë e medias dhe gazetarëve kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti, që të ndalojë gërryerjen e mëtejshme të lirisë së mediave.
Në një reagim të përbashkët, Reporterët pa Kufij dhe organizatat e tjera kanë kujtuar faktin se në Kosovë ka rënie të lirisë së medias për shkak të presionit politik mbi median publike, zhvillimet shqetësuese legjislative dhe sulmeve verbale ndaj gazetarëve nga politikanët.
“Reporterët pa Kufij (RSF) dhe partnerët e saj i kanë bërë thirrje Kryeministrit të Kosovës të krijojë një grup pune për të adresuar çështjet e lirisë së shtypit dhe për t’u përgatitur për zbatimin e Marrëveshjes Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), ndërsa vendi kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian (BE)”, është thënë në reagim.
Në reagim është thënë se ndonëse Kosova ka peizazh të larmishëm mediatik dhe nivel të ulët të dhunës fizike, disa standarde janë dobësuar nga Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet.
“Pas takimeve me dhjetëra gazetarë dhe media në Kosovë më 24 mars, organizatat partnere të Platformës së Këshillit të Evropës për Sigurinë e Gazetarëve, përfshirë Reporterët pa Kufij (RSF) – diskutuan gjendjen e lirisë së shtypit me kryeministrin Albin Kurti dhe këshilltarët e tij. Ndërsa Kosova ka një peizazh të larmishëm mediatik, një nivel të ulët të dhunës fizike ndaj gazetarëve dhe një kornizë ligjore përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare, disa standarde janë dobësuar nga partia në pushtet, Vetëvendosje”.
“Na duhet një sinjal i fortë nga qeveria në mbështetje të një peizazhi mediatik të lirë, të pavarur dhe të larmishëm. Ngritja e një grupi pune të dedikuar i përbërë nga palë të interesuara lokale dhe duke u mbështetur në praktikat më të mira ndërkombëtare do të ishte një hap i parë. Rregullorja Evropiane për Lirinë e Medias (EMFA), të cilën Kosova do të duhet ta zbatojë si shtet kandidat për në BE, adreson problemet kryesore të vendit: mungesën e pavarësisë për transmetuesin publik, mbrojtjet e dobëta për burimet gazetareske dhe transparencën e pamjaftueshme në lidhje me pronësinë dhe financimin e medias. Kjo është një thirrje për veprim të menjëhershëm”, citohet të këtë thënë Pavol Salzai i RSF-së.



