Reshitaj në Gjakovë, trajtimi i ujërave të zeza prioritet qeveritar

19 qershor 2018 | 21:33

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj mori pjesë në ceremoninë e vënies së gur-themelit të impiantit për trajtimin e ujërave të ndotura në Komunë e Gjakovës, projekt ky që po realizohet me mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhe asaj të Zvicrës.

Reshitaj deklaroi se impiantet për trajtimin e ujërave të ndotura janë bazë infrastrukturore për një mjedis ujor më të pastër, prandaj përmirësimi i gjendjes teknike dhe qëndrueshmëria financiare e tyre do të trajtohen me kujdes të veçantë.

“Gjendja aktuale e trajtimit të ujërave të ndotura në Republikën e Kosovës, është në fazën e investimeve të vazhdueshme, duke filluar nga studimet e fizibiliteteve për shtatë qendrat e mëdha urbane, vazhduar me vendbanime më të vogla, deri te qendrat e bizneseve”, ka thënë ajo.

Reshitaj në fund vlerësoi se ky projekt do të ndikojë në rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve të Gjakovës si një zonë me vlera të larta natyrore, e cila me një menaxhim efikas të ujërave të ndotura do të bëhet shumë më atraktive për investime në rritjen ekonomike dhe në zhvillimin e turizmit si një qytet me traditë të vjetër qytetare.

Pas ministres Reshitaj me fjalë rasti u paraqitën edhe ambasadorët e Gjermanisë e Zvicrës Christian Heldt, Jean-Hubert Lebet si dhe Roland Siller, nënkryetar i Bankës Gjermane për Zhvillim- KfW.

Që të tre u shprehen të kënaqur për fillimin e këtij projekti duke vlerësuar se me këtë projekt do të përmirësohet cilësia e jetës së qytetarëve në Gjakovës.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj si dhe kryetari i Komunës se Gjakovës, Ardian Gjini.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
As brenda më nuk janë të sigurt, andaj po luajnë…