Reshjet e mëdha të shiut, Komuna e Prishtinës: Shmangni zonat e përmbytura
Komuna e Prishtinës, ka apeluar tek të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike.
Ky apel i pushtetit lokal të kryeqytetit, vjen pas reshjeve të mëdha që janë regjistruar në 24 orët e fundit.
“Bazuar në informacionet zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njoftojmë qytetarët e Kryeqytetit se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mbi 25 mm/m² reshje shiu, ndërsa reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.
Më tutje, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut mund të ketë:
- vështirësi në qarkullimin rrugor,
- mbingarkesë të kanalizimit dhe ujërave atmosferike,
- grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime,
- rrezik për rrëshqitje lokale të dheut në zona të ndjeshme.
“Institucionet përkatëse të Kryeqytetit janë në gatishmëri të plotë për monitorimin e situatës dhe ndërhyrje sipas nevojës. Për informata të mëtejme, ndiqni njoftimet zyrtare”, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.



