‘Reuters’: Kosova në zgjedhje pas bllokadës njëvjeçare, standardi i jetesës, shqetësim kryesor për votuesit
Kosova shkoi në zgjedhje të dielën, me partinë e kryeministritnacionalist, Albin Kurti që synon të sigurojë shumicën për t’i dhënë fund një ngërçi politik njëvjeçar, i cili ka paralizuar parlamentin dhe ka vonuar financimet ndërkombëtare për shtetin më të ri të Evropës, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve, “Reuters”.
Votimi është i dyti këtë vit në Kosovë, pasi partia e Kurtit, Vetëvendosje, nuk arriti shumicën në shkurt.
Muaj të tërë bisedimesh të dështuara për koalicion e shtynë presidenten Vjosa Osmani ta shpërndajë parlamentin në nëntor dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme.
Dështimi për ta formuar qeverinë dhe për ta rihapur parlamentin do ta zgjaste krizën në një moment kritik. Ligjvënësit duhet të zgjedhin një president të ri në prill dhe të ratifikojnë marrëveshje huaje në vlerë 1 miliard euro nga Bashkimi Evropian dhe Banka Botërore, të cilat skadojnë në muajt e ardhshëm.
Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe mbyllen në orën 19:00, ndërsa rezultatet e para zyrtare priten menjëherë pas përfundimit të votimit.
Partitë opozitare të vendit ballkanik kanë refuzuar të qeverisin me Kurtin, duke kritikuar menaxhimin e tij të marrëdhënieve me aleatët perëndimorë dhe qasjen e tij ndaj veriut të Kosovës të ndarë etnikisht, ku jeton një pakicë serbe. Kurti e fajëson opozitën për ngërçin.
Në përpjekje për t’i joshur votuesit, Kurti ka premtuar një muaj shtesë page në vit për punonjësit e sektorit publik, 1 miliard euro në vit investime kapitale dhe një njësi të re prokuroriale për ta luftuar krimin e organizuar. Partitë opozitare janë fokusuar gjithashtu në përmirësimin e standardit të jetesës – një shqetësim kryesor për votuesit.
“Ne duam që qeveria e ardhshme të krijojë kushte që të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe të mos largohen”, i tha “Reuters”-it në kryeqytet, Prishtinë, një votues, Rexhep Karakashi, 58 vjeç.
Sondazhet e opinionit nuk publikohen në Kosovë, duke mos dhënë asnjë tregues për rezultatin e mundshëm, dhe disa votues thanë se nuk prisnin që votimi të sillte ndryshime të rëndësishme.
“Nuk do të kishte gëzim të madh nëse fiton Kurti, as nuk do të kishte nëse fiton opozita. Ky vend ka nevojë për ndryshime drastike dhe unë nuk e shoh që ky ndryshim po vjen”, tha Edi Krasiqi, mjek.



