Reuters: Turqia i kërkon shërbimit sekret britanik MI6 të rrisë mbrojtjen për presidentin sirian Ahmed al-Sharaa

06 mars 2026 | 20:29

Agjencia e Inteligjencës së Turqisë i ka kërkuar shërbimit sekret britanik MI6, që të marrë një rol më të madh në mbrojtjen e presidentit sirian Ahmed al-Sharaa, pas disa komploteve të fundit për atentat, raporton “Reuters” duke iu referuar pesë burimeve që kanë njohuri mbi çështjen.

Sipas raportimit, kërkesa është bërë muajin e kaluar dhe nxjerr në pah përpjekjet e aleatëve të huaj për të stabilizuar një vend që ende është i tronditur nga dhuna sporadike, 15 muaj pas rrëzimit të presidentit Bashar al-Assad, ndërkohë që lufta SHBA-Izrael kundër Iranit po trondit tani rajonin më të gjerë.

Aleatët e shohin Ahmed al-Sharaa si një figurë shumë të rëndësishme për të parandaluar që Siria të rikthehet në përplasje sektare ose në një luftë të re civile. Kjo vjen pasi 14 vite luftë civile detyruan miliona sirianë të largohen nga vendi si refugjatë dhe i dhanë mundësi Shtetit Islamik (ISIS) të marrë nën kontroll pjesë të mëdha të territorit të Sirisë.

Muajin e kaluar, militantët e ISIS-it shtuan sulmet ndaj forcave ushtarake dhe të sigurisë në të gjithë Sirinë dhe e shpallën Sharaa-n, si “armikun e tyre numër një.”

Megjithatë, nuk është e qartë saktësisht se çfarë i ka kërkuar Turqia shërbimit sekret britanik MI6, ose nëse MI6 ka marrë ndonjë rol të ri në këtë çështje.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Burimet i kanë thënë televizionit amerikan, “CBS News”, se Rusia…