
Revoltë në ushtrinë izraelite kundër Netanjahut?
Këtë javë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, synon të vendosë së bashku me kabinetin e tij të sigurisë për fatin e Rripit të Gazës.
Sipas mediave izraelite, ai planifikon një pushtim të plotë të këtij territori bregdetar. Por në ushtri po lindin kundërshtime ndaj këtij plani.
Aktualisht, ushtria izraelite kontrollon rreth 75 për qind të territorit të Gazës. Sipas gazetës Times of Israel, drejtues të ushtrisë kanë shprehur shqetësime se eliminimi i të gjithë tuneleve dhe bunkerëve të Hamasit mund të zgjasë me vite. Po ashtu, pengjet mund të rrezikohen nëse trupat izraelite afrohen në zonat ku ato mbahen. Sipas vlerësimeve izraelite, aktualisht rreth 50 pengje ndodhen ende në duart e Hamasit, dhe të paktën 20 prej tyre dyshohet se janë ende gjallë.
Pavarësisht shqetësimeve të ushtrisë, Netanjahu u ka bërë me dije ministrave se do të kërkojë mbështetjen e kabinetit për një plan që synon pushtimin e plotë të Gazës, raportoi Times of Israel.
Faqja e lajmeve Ynet citon gjithashtu një zyrtar duke thënë:
“Nëse shefi i shtabit të përgjithshëm nuk është dakord me këtë, atëherë le të japë dorëheqjen”.
Sipas raportimeve, kreu i ushtrisë, Eyal Zamir, ka pasur diskutime të ashpra në mbledhjet e fundit të kabinetit të sigurisë me ministra që kërkonin pushtimin e plotë të Gazës.
Ynet citon një zyrtar nga rrethi i Netanjahut që thotë:
“Zaret janë hedhur – ne synojmë të pushtojmë plotësisht Gazën”.
Megjithatë, raportohet se kjo mund të jetë edhe një taktikë negociuese për të detyruar organizatën terroriste islamike Hamas të kthehet në tryezën e bisedimeve.
Netanjahu më parë kishte thënë se do të thërrasë këtë javë kabinetin e sigurisë për të vendosur për veprimet e ardhshme në Gaza.
“E kuptoj mirë se çfarë dëshiron Hamas-i. Ata nuk duan marrëveshje,” tha ai në një mesazh video.
Ai theksoi se është më i vendosur se kurrë për të liruar pengjet, për të eliminuar Hamas-in dhe për të siguruar që Gaza të mos përbëjë kurrë më kërcënim për Izraelin.