
Revolucioni i vitit 1981 si pikënisje e një procesi të gjatë historik që çon drejtëpërdrejtë Republika e Kosovës
Imer Xhemail Lladrovci
I.
Gjysmë shekulli pas ngjarjeve të mëdha në Kosovë, saktësisht 44 vjet më vonë, një ish student, protagonist dhe udhëheqës i këtyre demonstratave, Bajram Kosumi, shkruan një libër për atë pranverë të trazuar, për atë revolucion të madh shoqëror, politik e kulturor, për atë Rilindje të Dytë Kombëtare të Kosovës. Nëse i referohemi Rilindjes sonë Kombëtare të shekulli XIX si Rilindje e Parë që e zgjodhi Prizrenin si qendrën e saj politike, atëherë me të vërtetë këtë herë mund të flasim për një Rilindje të Dytë. Ndryshe nga hera e parë, këtë herë Kosova u përfshi nga një frymë iluministe me rrjedhoja largvajtëse. Këtë gjë e thonë studiuesit dhe ata duhet të kenë gjetur mjaftueshëm elementë të përbashkët në këtë Lëvizje të Re Kombëtare. Kosova, me të vërtetë rilindi në këtë vit. Që nga ky vit, Kosova dhe gjithë hapësira shqiptare nö ish Jugosllavi do të funksionojë ndryshe. Në vazhdim kur them Kosova kam para sysh gjithë hapësirën shqiptare në ish Jugosllavi. Kjo terminologji përcaktohet nga parimi i ekonomisë, dmth. zgjidhet një term që përfaqëson diçka më të madhe. Kosova ishte vetëm një element i çështjes shqiptare, jo krejt çështja shqiptare. Madje me Republikën e Kosovës deri në vitin kur u shpallë pavarësia e Maqedonisë është nënkuptuar gjithë hapësira etnike shqiptare. Një kohë vetë lëvizja mbante emrin Lëvizja Popullore për Republikën Socialiste Shqiptare në Jugosllavi (LPRSShJ). Këtë gjë mendoj se mund ta thonë më së miri, në cilësinë e dëshmitarëve, veprimtarët e kësaj kohe. Bajram Kosumi përqëndrohet në gjërat që i ka përjetuar vetë.
Kosova nuk ndryshoi përnjëherë, ajo nuk u bë plotësisht ndryshe brenda një dite a një nate të vetme, por mund të thuhet se ajo filloi kaskadën e ndryshimeve, nisi të ndryshojë. Pikërisht këtë moment e vë re në mënyrë të shkëlqyer autori.
II.
Libri, me qindra faqe, përmbledh lëndën e tij jashtëzakonisht të pasur në tetë kapituj. Autori në hyrjen e librit ka vendosur dhe 14 tezat e tij. Ndoshta për këto teza do të kishte qenë më mirë të rezervohej një kapitull më vete, sepse ajo që thuhet në to është me peshë të madhe. Në kapitullin e parë jepet një histori e shkurtër politike e Kosovës. Lexuesi këtu mëson për ekzistencën e dy vijave politike në Kosovë dhe për faktin se Lufta e Dytë Botërore nuk solli ndryshimin e pritur. Partia Komuniste e Jugosllavisë e braktisi programin e saj politik dhe iu kthye praktikave shtetërore të Jugosllavisë mbretërore, sado që ambiciet e dikurshme shtetomëdha arsyetoheshin tani me një frazeologji të re internacionaliste. Në kapitullin e dytë Bajram Kosumi flet, në mbi 100 faqe, për atë që ndodhi në Kosovë në vitin 1981. Ndoshta ky kapitull mund të konsiderohet si shtylla kryesore e librit, sepse këtu gjejmë të dhënat konkrete historike të fillimit. Me 1 prill të vitit 1980, kur Titoja ishte ende gjallë, por i sëmurë rëndë, i shtruar në njërin nga spitalet e Lubjanës, pati një protestë kundër rritjes së çmimeve, por protesta s’ishte demonstratë, megjithatë si pikënisje e Revolucionit mund të merren vetëm protestat e 11 marsit të vitit 1981. Me këto protesta filloi një epokë e re. Bajram Kosumi e citon Kadri Kryeziun, i cili shkruan se „[n]e ishim në ballë të studentëve, ndërsa Gani Kocin e kisha afër, i cili në një moment nisi të brohoras ‚Kosova Republikë’. Unë në atë moment ia kam mbyllur gojën dhe i kam thënë: ngadalë se herët është.“( fq. 72). 26 marsi 1981 shënon një kthesë të madhe politike në demonstratat studentore, të cilat me 1 prill 1981 u bënë gjithëpopullore, sepse të gjitha rrugët e Prishtinës u mbushën me njerëz të të gjitha shtresave popullore. Që nga kjo kohë në lojë hynë edhe Grupet e Fshehta Patriotike. Kapitulli i tretë mbanë titullin „Shqiptarët dhe Jugosllavia. Pse Revolucioni 1981?“ Në këtë pjesë të librit, autori fokusohet tek raportet e shqiptarëve me Serbinë, përkatësisht Jugosllavinë dhe projektet e shumëta serbe për ndryshimin e strukturës etnike të hapësirës së pushtuar shqiptare. Duke iu referuar një vëzhguesi europian ai këto projekte i quan një „Bulevard Trekëmbëshash“. Në këtë kapitull flitet edhe për PKJ-në dhe programin e saj politik që ndryshon në rrjedhën e kohës. PKJ-ja lëvizi nga vetëvendosja tek pushtimi i pothuajse të gjitha tokave shqiptare. Synimi i saj për ta përfshirë Shqipërinë në Jugosllavinë komuniste, si republikë të shtatë. Kështu donte ta zgjidhte çështjen shqiptare Titoja: në vend të vetëvendosjes, ai ofront pushtimin e Shqipërisë si zgjidhje për problemin shqiptar. Kosumi në këtë kapitull flet edhe për katër përmasat e Kushtetutës së vitit 1974, të cilën e zbërthen sipas modelit të Macaulay-it. Kryesorja, megjithatë, mbetet çështja e trajtimit të kësaj lëvizje të madhe politike si Revolucion. Argumentat që sjellë janë bindëse, sepse vetëm një revolucion mund të ndryshojë kaq thellë një shoqëri. Gjithë shoqëria kosovare dhe shqiptare në viset e tjera u përfshi në këtë shndërrim të madh: parulla për Republikën e Kosovës, që ishte shfaqur për herë të parë në vitin 1968, tani zbriti në popull dhe u bë shumë vepruese. Nuk mund të gjeje në këtë kohë asnjë shqiptar që do të ishte kundër kësaj kërkese. Flas këtu për dëshira politike, jo për kontribute konkrete, sepse inteligjencia shqiptare dinte të shfaqej jashtëzakonisht oportuniste. Thoshte diçka, e bënte diçka tjetër. Libri nuk përmbanë asgjë polemike, ai thjesht përshkruan dhe konstaton gjëra me një lloj gjakftohtësie që e hasim te kronikanët.
Në kapitullin e katërt flitet për klasën e studentëve dhe për strukturat e tjera sociale e politike që vepronin në vitin 1981. Autori është i vetëdijshëm se klasifikimi i studentëve si klasë shoqërore si terminologji mund të kontestohet. Megjithatë, ai me të drejtë, nga këndvështrimi funksional, flet për studentët si për një klasë të veçantë shoqërore. Studentët përbënin të paktën 10% të banorëve të Prishtinës nga ana statistikore, kështu që edhe mund të trajtoheshin në pikëpamje sociologjike si një klasë. Por, studentët, për kah pesha specifike në shoqërinë kosovare, mund të thuhet se ishin klasa dominuese, duke qenë se mendimet dhe vendimet e tyre pranoheshin pothuajse në mënyrë automatike. Diçka e tilllë ndodh vetëm në shoqëritë që janë të gatshme për ndryshime të mëdha. Parakushtet sociologjike dukej se ishin pjekur për një hop të madh që shënjon termi revolucion.
Kapitulli i pestë i kushtohet inteligjencisë dhe rolit të saj në këtë periudhë. Në përgjithësi mund të thuhet se kjo inteligjenci heshti dhe oportunizmin shoqëror dhe politik e kishte modusin e veprimit të saj. Megjithatë, kontributi i saj vlerësohet. Kryevepër e saj llogaritet: Kondresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe në Tiranë i vitit 1972. Bibla e heshtjes s‘ishte vetëm metaforë poetike e kësaj kohe, por edhe filozofi jetësore për shumë intelektualë shqiptarë. Hermetizmi në letërsi mund të merrte forma groteske. Mund të thuhet se në këtë rast kemi të bëjmë me një lloj të pseudoelitës.
Në kapitullin e gjashtë që mbanë titullin „Revolucioni i vitit 1981 dhe proceset politike shqiptare“ autori flet për ndryshimin e status quos dhe rihapjen e çështjes shqiptare. Politika komuniste jugosllave e mohimit të shqiptarëve rishqyrtohet nga një klasë e re politike që kërkon një çasje të ndryshme për problemet e vjetra. Në këtë kapitull flitet edhe për Lëvizjen e Fshehtë Patriotike dhe proogramin e saj politik. Mund të thuhet se dy parullat për Republikën e Kosovës përbëjnë programin e saj praktik politik. Parulla „Kosova Republikë“ Përbën një gjetje jaashtëzakonisht kreative. Në këto dy fjalë artikulohej një synim tepër dinamik politik, kurse në parullën tjetër „Republikë, kushtetutë, ja me hatër, ja me luftë“ shprehej vendosmëria politike e shqiptarëve për të luftuar qoftë edhe me armë në dorë për republikën. Me këtë parullë nënvizohej fakti se kjo kërkesë mund të realizohet përmes ndryshimeve në kushtetutë, por nëse kjo nuk do të ndodhte, atëherë shqiptarët ishin të gatshëm t‘i kapin armët. Sidoqoftë, kthim prapa s‘do të kishte. Kërkesa „Republika e Kosovës“ kështu fitonte një dimension ultimativ. Ndryshimi i status quos s‘ishte më një dëshirë, por një domosdoshmëri.
Kapitulli i shtatë mbanë titullin „Revolucioni 1981 dhe reagimi jugosllav“. Sipas autorit, reagimi jugosllav përmes shpalljes së gjendjes së luftës dhe nxjerrjes së Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) në rrugët e Kosovës ishte një reagim jo i zgjuar, që e diskreditoi „parrajsën nacionale“ jugosllave, brenda dhe jashtë. Në botë njihej „parrajsa sociale“ e Lindjes dhe „parrajsa nacionale“ e Jugosllavisë. Zgjidhja e arsyeshme e çështjes sociale dhe e atyre nacionale konsideroheshin arritje të mëdha të socializmit. E para, e humbi besueshmërinë në Poloni në vitet 1980-1981, kurse e dyta, „parrajsa nacionale“, dmth. zgjidhja më e mirë e mundshme e çështjeve nacionale e komprometoi Jugosllavinë. Me demonstratat në Kosovë në vitin 1981 u diskreditua kjo floskulë politike perfide, me të cilën Jugosllavia për një kohë të gjatë e mashtroi gjatë bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kapitull Bajram Kosumi flet edhe për arsyen e heshtjes së klasës politike kosovare përsa i përket kualifikimit të demonstratave. Në Kosovë e tregoi fytyrën e tij të shëmtuar nacionalizmi serb, kurse klasa politike kosovare e zbuloi fytyrën e saj të vërtetë poltroniste. Klasa politike kosovare ishte përzgjedhur nga Beogradi, kështu që askush nuk priste prej saj ndonjë heroizëm, megjithatë ajo i dëshpëroi të gjithë me oportunizmin dhe frikën e saj, sepse njerëzit kishin projektuar tek ta edhe një qikë idealizëm e burrni dhe s’kishin pritur kaq shumë egoizëm e frikë. Nëse kjo klasë do të kishte treguar përgjegjësi politike dhe t‘i qëndronte trysnisë nacionaliste që vinte nga Beogradi, gjithçka ndoshta do të kishte rrjedhur ndryshe në Jugosllavi, e cila edhe mund të shpërbëhej, sepse, siç e thotë edhe vetë Dobrica Qosiqi, ky shtet e kishte humbur tashmë të drejtën e ekzistencës, por rajoni do të ishte kursyer nga shumë të këqija të mëdha dhe tragjedi njerëzore. E krijuar në fillim të shekullit XX, Jugosllavia në fund të këtij shekulli s‘kishte kurrëfarë mbështetje të brendshme dhe të jashtme. Kjo mbështetje ishte e domosdoshme, ndryshe projekti Jugosllavi s‘i përkiste më të ardhmes.
Në kapitullin e fundit, dmth. të tetë flitet për Revolucionin 1981 dhe fundin e sovjet- komunizmit. Komunizmi i markës sovjetike u demaskua në shekullin XX pak nga pak si një ideologji sllavofile e imperializmit rus. Ndoshta udhëheqësit e parë sovjetikë e ëndërruan një parrajasë sociale, por në fund krijuan një ferr të vërtetë social ku njerëzit vdisnin edhe nga uria. Kujto këtu gjenocidin ukrainas hollodomor në vitet 1930. Jo vetëm për shqiptarët vuajtja mori një vulë kombëtare. Ishin edhe kombe të tjera në Lindje që iu nënshtruan shtypjes. Serbët me mbështetjen ruse arritën të ushtronin një trysni të madhe mbi shqiptarët.
III.
Në fakt, demonstratat e vitit 1981 ishin Rilindja e vetme e shoqërisë kosovare, sepse në historinë e Kosovës nuk njihen zhvillime të tilla të ngjashme politike më parë. As para vitit 1913 qëkur kjo zonë shqiptare e pushtuar nga serbët e malazezët u nda nga trungu tjetër kombëtar. Adem Demaçi, qysh në vitin 1959, e definoi saktësisht problemin kosovar si një çështje të kombit të ndarë, sepse nga nja 2 milionë shqiptarë sa mendohet se ishin në Ballkan në fillim të shekullit XX vetëm 800.000 sosh ishin përfshirë në Republikën londineze të Shqipërisë, në shtetin shqiptar. Bazuar në këtë perceptim parak të çështjes, çdo zgjidhje e mëvonshme e problemit përbënte një zgjidhje kompromisi. Hapësira shqiptare në këtë kontekst ndërkombëtar ishte ndarë me motivacionin e rrejshëm se kështu po ruhej paqja botërore. Paqja nuk u ruajt, por kufinjtë mbeten edhe pas dy luftërave të mëdha, kufijtë i mbijetuan këto kriza të mëdha botërore dhe u bënë realitet shqiptar për një kohë të gjatë sa që brenda hapësirës shqiptare lindën ndryshime shtesë në kuptimin që shqiptarët filluan të largoheshin e të bëheshin të huaj për njëri-tjetrin, dmth. për vetëveten. Ky problem u krijua nga shkëputja e territoreve të mëdha shqiptare nga trungu kombëtar. Hapësira jonë në ish Jugosllavi u nda dikur në obllaste e banovina, më vonë në republika të federuara, kurse sot në shtete të veçanta që ndaj shqiptarëve sillen me egërsi. T’i marrim vetëm shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, të cilët trajtohen keq nga pushteti qendror maqedonas në Shkup, i cili ende vepron me kategoritë e shtetit kombëtar të shekullit XIX e XX. Po shqiptarët janë në trojet e tyre, ndaj dhe konsiderojnë që nuk mund të bëjnë kompromise që prekin dinjitetin e tyre njerëzor e kolektiv. Gjuha, vetë qenia e tyre kolektive përjetohet nga pushtetmbajtësit si një provokim. Edhe mund të duket kështu, por e vërteta është ndryshe. Supozojmë se kjo urrejtje vjen nga mosnjohja e tjetrit, që në disa gjëra është vërtet i ndryshëm, por të qenit ndryshe nuk do të thotë se përbën për popullin tjetër një kërcënim ekzistencial. Nuk duhet të projektohet aq shumë frikë te tjetri. Ky moment prodhon politikë kundërshqiptare që për disa qarqe shihet si diçka e domosdoshme dhe e pashmangshme. Në këto raste nuk ka nevojë të përçash njerëzit për t‘i sunduar. Përçarja ekziston si realitet politik e social. Politika thjesht e konservon atë dhe pastaj, në përputhje me natyrën e saj, e përdor si mjet sundimi. Ç’të bëjnë këta njerëz në dilemë, qofshin shqiptarë a maqedonasë? Ata duan thesht koordinata orientimi dhe ato detyrohen t’i marrin nga ata që këto çështje i përdorin si potencial sundimi? Mendoj se libri „Revolucioni 1981“ ofron një rrugëzgjidhje për këtë çështje të vështirë. Fakti që studentë të dikurshëm shqiptarë nga Maqedonia e Veriut ende janë në skenën politike e ndihmon edhe më shumë këtë perspektivë konstruktive: problemet duhet të diskutohen dhe kërkohen zgjidhje realiste e të mira, që janë në pajtim me mendjen njerëzore. Askush nuk duhet të ushqejë iluzionin se mundet edhe ndryshe, përmes dhunës të zgjidh çështje që i takojnë marrëveshjeve dhe mirëkuptimit. Maqedonasit erdhën më vonë në këtë zonë, ndaj dhe s’kanë kurrëfarë të drejte të veçantë historike, për t‘i ndryshuar gjërat me forcë. Në fakt këtë të drejtë s’mund ta ketë askush. Represioni s’është zgjidhje. Përkundrazi. Ai tregon vetëm se mendja nuk është duke punuar. Bajram Kosumi në këtë libër i përmend me emra studentët nga Maqedonia dhe Mali i Zi, me të cilët kishte bashkëpunuar gjatë kohës së fillimeve të Revolucionit. Shqiptarët atëherë vepronin si një bllok, nuk ndaheshin sipas kufijve që na i vunë të tjerët. Në fakt kush i ndanë kështu shqiptarët, tregon vetëm sesa pak shqiptar është, dmth. prezantohet si një ekzemplar i mjerë i shqiptarisë. Ali Ahmeti, Musa Xhaferi, etj. janë disa prej shqiptarëve që janë ose kanë qenë deri vonë figura politike dhe publike në RMV. Nuk mungojnë as personalitete nga Lugina e Preshevës, por nuk ka pothuajse asnjë emër nga Sanxhaku, i cili dikur fliste shqip, por në ndërkohë gjendja atje ndryshoi rrënjësisht, kështu që studentë nga kjo hapësirë në Prishtinë i gjeje vetëm në degët fetare, por jo në albanologji e në shkenca të tjera humane.
Ikja në solucione byrokratike, sado tërheqëse të duket në fillim, në fund i ka frutet e hidhura, sepse të gjithë i shpie në greminë. Dikur problemet me shqiptarët e pushtuar zgjidheshin me kolonizim dhe dëbim. Në këtë mënyrë u krijuan zona të tëra të lira nga armiqtë e supozuar. Dhe, u kolonizuan, duke zhdukur çdo gjurmë të atyre që ishin më parë aty. Vendbanime dhe qytete ndërruan emrat dhe banorët e tyre dhe u bënë vendbanime pa shqiptarë. Kjo mundësi historike nuk ekziston më, kështu që politikanët duhet ta ndërgjegjësojnë masën popullore se zgjidhjet e lehta s’janë zgjidhje dhe se votat nuk duhet të merren me premtime djallëzore.
Territoret shqiptare që iu dhanë monarkive ballkanike në Konferencën e Londrës në vitin 1913, përbënin më shumë se gjysmën e Shqipërisë etnike që kishte mbetur pas Krizës Lindore të vitit 1878. Historiani irlandez Justin Mccarthy shkruan se në Ballkan u dëbuan rreth 60% e muslimanëve dhe kështu e maskon me terma fetar faktin se kush ishte ajo popullsi që u dëbua nga viset e saj ku banonte me shekuj e mijëvjeçarë.
IV.
Bajram Kosumi, autori i librit „Revolucioni 1981“, vie në ballë të librit katër citate të personaliteteve shqiptare që lidhen me këtë kthesë të madhe politike të Kosovës. Ajo ishte ndarë padrejtësisht nga Shqipëria, ndaj dhe „Kosova duhet të bashkohet me Shqipërinë dhe, nëse nuk e ndryshon politikën e saj, Serbia do të marrë përgjegjësinë historike për shkatërrimin e Jugosllavisë“ thotë në gjyqin e tij të dytë në Prishtinë, në vitin 1964, Adem Demaçi. Viti 1981 tregoi se Serbia do të bëhej shkaktari kryesor për rrënimin e Jugosllavisë. Shkrimtari i njohur serb Vuk Drashkoviq (Vuk Drašković), ish Ministër i Jashtëm i Serbisë dhe i Malit të Zi në vitin 1999, më vonë edhe Ministër i Jashtëm i Serbisë, ka shkruar një roman me titullin „Aleksandri i Jugosllavisë (Aleksandar od Jugoslavije) ku thotë se vetëm ai e krijoi një shtet ku të gjithë serbët ishin nën të njëjtën çati. Jugosllavia e Karagjorgjeviqit dhe ajo e Rankoviqit ishin një trajtë e Serbisë së Madhe. Por Drashkoviqi shkruan edhe se shkatërrimi i Jugosllavisë filloi në Beograd dhe jo dikund tjetër, kështu që serbët nuk duhet ta kërkojnë fajtorin gjetkë, por te vetëvetja. Ky Aleksandër Karagjorgjeviqi, sipas Bajram Kosumit, në anën tjetër, në vitin 1922, me kushtetutën e Vidovdanit, krijoi një shtet diktatorial që i dëmtoi rëndë interesat kombëtare shqiptare dhe të popujve të tjerë. Për shqiptarët ai nuk parashikoi asnjë të drejtë. Kjo politikë radikale në fund e vrau Aleksandër Karagjorgjeviqin. Ky shtet që ende atëbotë quhej Mbretëria SKS, në vitin 1929 e ndryshoi emrin dhe filloi të quhej Jugosllavi, pra shtet i sllavëve të jugut, shtet ku në parim s’e kishin vendin shqiptarët josllavë. Ideja e Jugosllavisë, siç dihet, fillimisht lindi në Kroaci, mirëpo si realitet praktik lidhet me Serbinë. Por imperializmi serb nuk ishte aspak në frymën e idealeve të jugosllavistëve si Ante Trumbiqi (Ante Trumbić).
Ukshin Hoti prezantohet me një citat të vitit 1990 ku ai thotë se „[d]emokracia e Kosovës u vetëlind në vitin 1981 […] Nga ky aspekt, duket se viti 1981 është nyja, zbërthimi i së cilës mundëson lëvizjen e drejtë të gjërave dhe proceseve.“ Ukshin Hoti si politolog profesionist e konstatoi këtë ndryshim thelbësor, por për këtë guxim u ndëshkua rëndë me burg dhe më vonė u vra. Nëse klasa politike komuniste dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës do ta kishin mbrojtur kolegun e tyre në një mbledhje që u mbajt në nëntor të vitit 1981, gjithë rrjedha e historisë së këtij nënqielli, me gjasë, do të kishte pasur një epilog më njerëzor. Por politikanët e Kosovës dhe profesorët e Universitetit të Prishtinës patën frikë për një akt të tillë kurajoz. Ata e lanë të binte në humnerë Ukshin Hotin, i cili shpejt do të burgosetj dhe dënohej për ndershmërinë si profesor që s’i braktisë studentët e tij. Pa asnjë dyshim edhe profesorët e tjerë ndjenin dhembje për studentët e tyre të rrahur e të burgosur, por guxim nuk kishin për t’i mbrojtur në mbledhjet që organizoheshin në universitet.
Ismail Kadareja në vitin 1998, pas dinamizimit që solli në jetën tonë politike paraqitja e UÇK-së dhe Lëvizja Studentore, thotë se „Lëvizja studentore në Prishtinë, e sidomos dalja në skenë e UÇK-së, përveç rolit kolosal historik, dëshmitarë të të cilit jemi të gjithë, bëjnë pjesë në historinë morale të kombit shqiptar.“
Dhe, në fund, citati i katërt, është ai i Rexhep Qosjes, i vitit 2007. „Rilindja e dytë fillon si lëvizje politike në demonstratat e rinisë studentore dhe shkollore në vitin 1981 […] [D]he, mandej, […] vazhdon […] me ide dhe ideale gjithnjë më të shpjeguara dhe gjithnjë e më botore.“
Këto citate shënjojnë itinerarin tematik të librit dhe përcaktimin ideor të autorit.
V.
Pa këtë libër nuk mund të kuptohet enigma e shtetit të Kosovës, sepse, nëse flasim për fillet e kësaj ideje që në rrjedhën e kohës evoluoi, atëherë duhet të themi se gjithçka filloi me vitin e madh, 1981. Një shtet nuk vjen ashtu thjesht në jetën e një populli. Ai e hedh shumë kohë më parë hijen e tij. 17 shkurti i vitit 2008 është ditëlindja e Republikës së Kosovës, por jo zanafilla e tij. Për shumë gjëra në këtë botë, ato që nuk shihen janë shumëherë më të rëndësishme ose poaq të rëndësishme sa edhe ato që shihen. Shteti i sotëm i Kosovës i ka rrënjët në vitin 1981. Mendoj se Bajram Kosumi si veprimtar dëshmitar është njëri nga njerëzit më të kualifikuar për të thënë atë që thotë në këtë libër. Ky vit nuk guxon të trajtohet vetem si një të dukuri e thjeshtë kalendarike, pesha e tij është tjetërfare, sepse viti 1981 ka një peshë të veçantë politike dhe historike për shtetin tonë. Pa zhvillimet politike të këtij Moti të Madh, gjithçka do të dukej ndryshe, shumë më prozaike dhe ndoshta me një Kosovë ende brenda Serbisë, sado që disa liderë komunistë të asaj kohe, sidomos Azem Vllasi, për demagogji, përpiqen t‘na e mbushin mendjen se ne, dmth. shqiptarët në Kosovë, e kishim republikën, vetëm se ajo kishte një emër tjetër, quhej Krahina Socialiste Autonome e Kosovës (KSAK). S‘ishte aspak kështu, thotë me të drejtë autori i librit: Ne nuk kishim asgjë, nuk kishim shtet, republikë, me të drejtë vetëvendosjeje. Nuk duhet ta shikojmë vetëm njërën anë të medalies: praninë tonë në Federatë. Ka edhe një anë të errët të autonomisë tonë. Ne duhet të kujtojmë edhe nenin 301 të Kushtetutës së Serbisë. Me këtë nen Kosova trajtohej si pjesë integrale e Serbisë, e cila vendoste për fatin politik të KSAK-ut. Të ishte krahinë autonome, nuk do të thoshte aspak se ishe republikë. Si krahinë nuk e gëzoje të drejtën e vetëvendosjes kombëtare, dmth. të shkëputjes nga Federata. Bajram Kosumi me të drejtë pohon se „komunistët shqiptarë të Kosovës“ bartin përgjegjësi të madhe morale dhe politike që nuk i bën rezistencë aspak nacionalizmit dhe shovinizmit serb kur pranuan kualifikimet e tij politike për ngjarjet e vitit 1981 si „demonstrata të nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar“ dhe kualifikimin e tyre si „kontrarevolucion“. U deshën disa ditë që Serbia ta shqiptonte këtë kualifikim politik. Hulumtuesit e arkivave duhet të dëshmojnë se cilat qenë lëvizjet diplomatike të Beogradit në këtë kohë. Mund të supozohet se Beogradi federal u përpoq ta tërhiqte pas vetes Perëndimin, kurse Beogradi serb duhet të jetë orientuar kah Moska dhe që andej duhet të ketë kërkuar dhe marrë instruksione politike. Llazar Mojsovi në fillim deshi t‘i klasifikojë këto demonstrata si ndërhyrje sovjetike, por shpejt u hoq dorë nga kjo shpifje. Ende nuk e dimë përse politika federale u tërhoq nga kjo propagandë. Nëse klasa e frikësuar politike, kosovare, që ishte mësuar të merrte urdhëra nga lartë, por jo vendime vetanake, do të ishte treguar më autonome dhe e moralshme në aspektin politik, do ta kishte shpëtuar Jugosllavinë nga një e keqe e madhe: nga vetëvrasja. Studentët demonstruesë protestonin për kushtet e rënda jetësore, por s‘ishin aspak intransigjentë. Përkundrazi, ata donin që edhe synimet e tyre politike t‘i arrinin përmes kompromiseve dhe negociatave, por ajo që donin me të vërtetë ishin ndryshimet. Byrokracisë lokale s’i besonin aspak. Por kjo byrokraci ishte e lidhur me mijëra fije me byrokracinë qendrore në Beograd, e cila donte ndryshime, por jo të tilla si ato të studentëve. Kjo byrokraci, në stilin e saj stalinist, donte subordinim të pakusht dhe s‘e kishte fare mendjen te ndryshimet që kërkoheshin, sepse ato i përjetonte si kërcënim politik dhe social për pozitën e saj. Në Serbi ekzistonte tashmë „Libri i kaltërt“, që ishte një dokument i nacionalizmit serb që e shprehte mospajtimin e tij me Kushtetutën e vitit 1974. Ky libër e trajtonte Serbinë si humbësen e madhe, pas rënies së Aleksandër Rankoviqit ( Aleksandar Ranković). Dobrica Qosiqi madje këtë Jugosllavi e quante Jugosllavia brioniste. Profesori Mihajllo Gjuriq bashkë me juristë të tjerë serbë si Vojisllav Koshtunica (Vojislav Koštunica) që më vonë do të arrinte deri në postin e presidentit të Serbisë dhe Malit të Zi, e kishte shndërruar Fakultetin Juridik të Universitetit të Beogradit në një kështjellë të nacionalizmit serb ku propagohej haptazi unitarizmi serb si alternativë e vetme ndaj liberalizimit të Titos dhe prirjeve konfederaliste të kroatëve e sllovenëve. Kjo ishte klima politike dhe intelektuale e Beogradit në vitet 1970. Por 11 mars 1981 në Prishtinë solli diçka tjetër. Jugosllavia e Kosova filluan një udhë tjetër të kundërthënieve të hapura, me shumë të panjohura. Ende s‘ishte bërë viti nga vdekja e diktatorit komunist Josip Broz- Tito në mars të vitit 1981, diktatorit që kishte lënë pas një shtet mbi themele të paqëndrueshme të totalitarizmit, kur shpërthyen demonstratat e mëdha në Kosovë. Ishte thënë edhe më herët në Perëndim se Jugosllavia nuk do të mund ta mbijetonte liderin e saj autoritarist, por kurrëkush nuk kishte besuar se sfida do të shfaqej kaq shpejtë. Sidoqoftë, diagnoza politike doli e saktë. Bashkimi Sovjetik në Lindje, në anën tjetër, s’ishte aspak miqësor ndaj Jugosllavisë. Ai, me sa u pa, ishte në pritje të çarjeve në godinën shtetërore të Jugosllavisë. Ai vëzhgonte si një macë e egër, e gatshme në çdo moment t’i hidhej në grykë viktimës, por nuk bëzante. Bashkimi Sovjetik kishte edhe obligime ndërkombëtare, jo vetëm kapacitete të kufizuara ushtarake. Ne njërën anë, ai ishte i zënë me luftën e Afganistanit që nga tetori i vitit 1980 dhe, në anën tjetër, Bashkimi Sovjetik alias Rusia nuk posedonte kapacitete politike dhe ushtarake për një ndeshje të madhe me Perëndimin, kështu që ndërhyrja me tankse në Beograd s’ishte opsion realist, sado që dikush në Beograd ta dëshironte këtë gjë. Ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë së Shqipërisë, Veli Llakaj, ka treguar se në vitin 1981 rusët kishin dërguar një gjeneral në Bullgari për bisedime me krerët e lartë komunistë shqiptarë. Ky fakt tregon se Moska s’ishte mike e Jugosllavisë, ajo kishte interesim të madh për sa ngjante në të. Ky gjeneral i inkurajonte politikanët shqiptarë që të ndërhynin ushtarakisht në Kosovë, në mënyrë që Moska pastaj, pas ndërlikimit ndërkombëtar që do të pasonte, të mund të intervenonte, për t’i dhënë një karar punës. Historianët shqiptarë duhet të ndriçojnë lëvizjet diplomatike të Tiranës në këtë kohë. Enver Hoxha ka thënë se studentët kosovarë kanë luajtur një rol të madh edhe për Tiranën zyrtare. Këtë kod mund ta zbërthejnë vetëm historianët përmes arkivave. Shqiptarët s’e bënë këtë gjë dhe kriza politike e tyre me jugosllavët s’u kthye kurrë në një krizë ushtarake që do ta motivonte një fuqi të madhe lindore për ndërhyrje, sepse rusët në këtë kohë, pa asnjë dyshim, do të kishin ndërhyrë. Shkurt, mund të thuhet se Bashkimi Sovjetik i vëzhgonte si një shpend grabitçar zhvillimet në Jugosllavi, ku përmes serbëve mendonte se kishte një çasje të veçantë në krizën e brendshme të këtij shteti, kështu që përmes manipulimit të ambicieve pushtetore serbe kujtonte se do të ishte në gjendje t’i përcaktonte rrjedhat e kësaj krize. Siç e thotë autori Kosumi shumë herë në libër, serbët kontrollonin aparatin shtetëror, dmth. Jugosllavinë, kështu që rusët kishin njëfarë sigurie se në Jugosllavi nuk mund të ngjante asgjë e madhe pa vullnetin e tyre. Fillimisht, Sllovenia dhe Kroacia nuk e penguan aspak nacionalizmin serb përsa i përket masave ndëshkuese ndaj Kosovës, por shpejt e kuptuan se në këtë rast nuk bëhej fjalë vetëm për një politikë ndëshkuese të një njësie federale. Ekziston edhe një interpretim tjetër i zhvillimeve: ndoshta sllovenët dhe kroatët donin që serbët të zhyteshin thellë në një konflikt me shqiptarët, në mënyrë që të mos mund të ktheheshin mbrapa dhe kështu pastaj Sllovenia dhe Kroacia do të mund të dilnin me kërkesat e tyre politike në momentin e duhur. Për këtë kurth kurrë nuk do të mund të gjejmë të dhëna empirike, por si perspektivë analitike gjithmonë duhet të merret në konsideratë. Sllovenët dhe kroatët e ndienin veten të tradhëtuar nga serbët në idenë e jugosllavizmit. Dhe, vërtet ishte ashtu. Dobrica Qosiqi ( Dobrica Ćosić) me Knjizhevna Zadrugën e tij ( Knjizevna Zadruga) thotë se Jugosllavnia nuk kishte arsye të ekzistonte më. Bajram Kosumi sjellë në librin e tij pesë arsyet e Qosiqit. Arsyeja e parë ishte, sipas shkrimtarit serb, mungesa e kërcënimit të asimilimit nga Austria dhe Turqia. As sllovenët e kroatët dhe as serbët nuk e ndjenin kërcënimin nga jashtë. Arsyeja e dytë lidhej me unitetin ideologjik të komunizmit. Komunizmi si ideologji kishte dështuar në shkallë botëror, kështu që, sipas Qosiqit, as në Jugosllavi s‘mund t‘i bashkonte më njerëzit. Me komunizëm nuk viheshin njerëzit më në lëvizje. Arsyeja e tretë për ruajtjen e Jugosllavisë ishte mbojtja e përbashkët. Armiku s‘ishte askund, ndaj dhe mbrojtja nuk mund të organizohej për diçka që s‘ishte në rrezik. Arsyeja e katërt: afërsia gjuhësore e popujve jugosllavë në këtë kontekst s‘ishte ndonjë gjë e madhe. Arsyeja e pestë kishte të bënte me ekonominë. Në ndërvarësinë ekonomike globale, popujt ishin njësi variabile dhe me këtë jo të lidhura domosdoshmërisht me struktura të caktuara shtetërore. Jugosllavia, në këtë perspektivë, nuk mund të mbijetonte. Dobrica Qosiqi nxjerrë përfundimin logjik se „nuk ka asnjë forcë që mund të na bashkojë në përçarjen e krijuar.“ (fq. 461). Bajram Kosumi shkruan se “Jugosllavinë e krijuan, mbi idealizmin e Stjepan Radiqit dhe të shumë idealistëve kroatë, serbë, sllovenë etj., për krijimin e një shteti të lirë të sllavëve të Jugut, mbreti Aleksandër Karagjorgjeviq dhe politika malicioze e tij dhe e Nikolla Pashiqit për dominimin serb mbi sllavët e Jugut dhe për pushtimin e territoreve shqiptare.“ (fq. 462).
Libri i Bajram Kosumit “Revolucioni 1981“ duhet të jetë në raftet e çdo biblioteke shqiptare e studentore. Studentët e sotëm duhet ta mësojnë këtë histori krenare e të dhimbshme të kolegëve të tyre pothuajse gjysmë shekulli më parë, për të kuptuar se kjo që kemi sot ka një kosto politike e njerëzore. Dikur studentët për idealet e tyre pranonin të flijoheshin dhe të privoheshin nga jeta e qetë njerëzore. Ata kanë një rast unik për të dëgjuar një rrëfimtar të talentuar që tregon për një kohë kur vetë ishte student. Ai nuk rrëfen nga ajo që ka dëgjuar, por në rradhë të parë si dëshmitar. Për ato që ka parë me sytë e tij, që ka dëgjuar me veshët e tij në betejat e ndryshme dhe për atë që ka bërë vetë. Në vitin 1981 studentët kërkonin me ngulm Republikën e Kosovës, në vitin 2025 deputetët e saj e sabotojnë konstituimin e Kuvendit të kësaj republike.