
Rexha: Me meritë jemi kampionë vjeshtorë
Sulmuesi Kastriot Rexha ka thënë se Drita e Gjilanit me meritë e ka përfunduar sezonin vjeshtor në pozitën e parë në Superligë.
Të dielën edhe zyrtarisht përfundoi zezoni vjeshtor në Superligën e Kosovës në futboll, kurse skuadra e Dritës është shpallur kampione vjeshtore. Sulmuesi Kastriot Rexha ka thënë për “Epokën e re” se skuadra nga Gjilani me meritë e përfundoi sezonin vjeshtor në vendin e parë ani pse një gjë të tillë e ka merituar edhe Ballkani që ka shfaqur lojëra të mira. “Jemi të kënaqur me suksesin e arritur. Kemi luajtur me një orar të ngjeshur dhe në fund na është shpaguar mundi. Atmosfera e mirë në klub, angazhimi i futbollistëve dhe puna e shtabit teknik dhe drejtuesve të klubit kanë qenë në ndërlidhje me suksesin e arritur me meritë, por mund të them se edhe Ballkani po të ishte në vendin e parë do të ishte normale”, ka thënë Rexha. “Ne morëm rezultate pozitive në vazhdimësi, ndërsa Ballkani pati një krizë të rezultateve. Këtë e shfrytëzuam me marrjen e pozitës së parë”, ka shtuar Rexha.
Sulmuesi shtatlartë e komentoi edhe barazimin në ndeshjen e fundit kundër Prishtinës (1-1) që u zhvillua të dielën në stadiumin “Fadil Vokrri”. Ai tha se Drita mori një pikë nga ndeshja, por nuk u paraqit ashtu siç duhet. “Kemi pasur mungesa e lëndime në ndeshjen ndaj Prishtinës, prandaj nuk ka qenë një prej paraqitjeve tona të mira. Pavarësisht se kishim ardhur për fitore, në fund jemi të kënaqur edhe me barazimin e arritur”, ka deklaruar ai.
Nëntë pikë është dallimi në mes tri skuadrave të para në Superligë, Dritës, Ballkanit dhe Prishtinës, por Rexha e sheh në garën për titull edhe skuadrën e Gjilanit që ka dymbëdhjetë pikë më pak se skuadra e parë. “Përveç nesh, Ballkanit dhe Prishtinës, nuk bën të mos e përfshijmë në garën për titull edhe Gjilanin. Është fakt se ky klub ka pasur disa kriza, por me ardhjen e trajnerit Bylbyl Sokoli është rikthyer optimizmi për rezultate më pozitive. Dëshmoi edhe ndeshja ndaj Ballkanit. Në pranverë do të ketë ndeshje edhe më të forta dhe gara për titull do të jetë shumë interesante”, ka shtuar Rexha.
Sulmuesi prishtinas në edicionin e kaluar ishte shpallur lojtari i vitit në Superligë, kurse për këtë vit e favorizon bashkëlojtarin, Hamdi Namani. “Futbollisti i vitit duhet të jetë nga klubi ynë dhe një prej më meritoreve për suksesin e arritur është Hamdi Namani, i cili meriton të shpallet më i miri për vitin 2020. Ka edhe futbollistë të tjerë që janë paraqitur mirë gjatë këtij viti”, ka përfunduar Rexha, i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur edhe për Prishtinën, Feronikelin, Trepçën ’89, Besën e Pejës, Hysin, 2 Korrikun dhe Vllazninë e Shkodrës.
(Veton ZYMBERI)