Rexhep Ferri dhuron portretin e Pjetër Bogdanit

25 janar 2018 | 12:23

Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve të Kosovës është pasuruar me dy vizatime të dhuruara nga akademik Rexhep Ferri. Vizatimet e dhuruara janë: “Portreti i Pjetër Bogdanit” (1986), tush në letër, madhësia 70 x 100cm dhe “Portret i dyfishtë” (1985), tush në letër, madhësia 100 x 70 cm.

“Edhe pse e di se gjatë këtyre 18 vjetëve pas luftës së fundit është harruar ideja dhe dëshira që edhe Kosova ta ketë institucionin më të lartë të arteve pamore, Muzeun e Artit Bashkëkohor, me këtë rast i fala për këtë koleksion dy vizatime, për Muzeun që është harruar, për të cilin para 30 vjetëve janë mbledhur e blerë shumë vepra të cilat tani gjenden në deponë e Galerisë Kombëtare. Gjatë viteve të fundit kohë pas kohe flitej për Operën, por për Artet Pamore shumë pak… Një popull që nuk e mban gjallë traditën është humbës i madh”, ka thënë Ferri gjatë takimit me drejtoreshën e Galerisë, Arta Agani.

Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , ka lindur në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 ka mbaruar Shkollën e Mesme të Artit në Pejë. Më 1962 ka botuar poezitë nga cikli shëtitësit e lodhur në revistën letrare “Jeta e re” në Prishtinë.
Në vitin 1966 ka diplomuar në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 ka mbaruar studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 ka marrë çmimin e dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 është zgjedhur pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 ka fituar çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 është zgjedhur sekretar i Seksionit të Arteve në AShAK dhe në vitin 2000 është zgjedhur anëtar i rregullt i AShAK-ut. Kritika i ka vlerësuar lart veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive si dhe disa romane. Ekspozita e tij e fundit e tapicerive në Akademinë e Arteve dhe Shkencave, ka rikonfirmuar rëndësinë e tij si artist inderdisiplinar, por edhe si personalitet dinjitoz, përfaqësues i trashëgimisë artistike të Kosovës.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të lësh smartfonin sot është bërë po aq e vështirë…