REXHEP MALAJ- SIMBOL I REZISTENCËS DHE QËNDRESËS SHQIPTARE
Të nderuar studiues, përfaqësues të institucioneve, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të respektuar.
Jemi mbledhur sot në këtë tryezë përkujtimore dhe studimore për të nderuar heronjtë e Flakës së Janarit – figura emblematike të sakrificës sublime, që me jetën dhe veprën e tyre ndezën ndërgjegjen kombëtare dhe vulosën rrugën e rezistencës për liri, dinjitet dhe drejtësi.
Flaka e Janarit nuk ishte vetëm një ngjarje tragjike, por një akt i lartë që shndërroi rënien në frymëzim dhe dhimbjen në qëndresë.
Heronjtë e saj, përmes përkushtimit dhe guximit të pashoq, u bënë simbol i një epoke të rezistencës së organizuar dhe i një vizioni të qartë për të ardhmen e popullit tonë.
Nderimi ndaj heronjve është një detyrim moral dhe historik, ndërsa studimi i veprës së tyre është përgjegjësi shkencore dhe kombëtare.
Andaj, me kenaqësinë më të madhe kam pranuar ftesën të jem pjesë e kësaj tryeze e aq më shumë jam ndjerë e vlerësuar që do të flas për heroin, simbolin e rezistencës dhe lirisë kombëtare, patriotin e shquar Rexhep Malaj.
Unë e kam mike Fitoren ( të bijën e dëshmorit Rexhep Malaj) dhe në kohën kur Fitorja ishte drejtoreshë e shkollës ku unë edhe sot punoj, pra në shkollën Thimi Mitko, ne përveç punës që e ndanim bashkë, Fitorja shpesh herë më tregonte histori nga më të ndryshmet për Xhepën- po i drejtohem kështu, meqë vetëm Fitorja dhe teta Hanife e thërrisnin kështu Rexhep Malajn.
I lindur në Kosovë, në një kohë kur shqiptarët jetonin nën represion të vazhdueshëm politik dhe kombëtar, që në moshë të re, ai u formua me ndjenja të thella atdhedashurie dhe me vetëdije të lartë politike.
Si student dhe intelektual i ri, u dallua për mendimin kritik, përkushtimin ndaj dijes dhe guximin për të sfiduar padrejtësitë e sistemit jugosllav ndaj shqiptarëve.
Ishte pjesë e brezit të veprimtarëve që e kuptuan se liria dhe barazia nuk mund të fitoheshin pa organizim, rezistencë dhe sakrificë. Veprimtaria e tij nuk ishte vetëm politike, por edhe ideologjike e edukative.
Ai kontribuoi në shpërndarjen e literaturës ilegale, në ngritjen e vetëdijes kombëtare dhe në organizimin e rezistencës së strukturuar kundër pushtetit shtypës. Për këtë arsye ishte vazhdimisht nën ndjekje nga organet e sigurisë jugosllave.
Prandaj, sot në 42 vjetorin e rënies heroike të Rexhep Malaj dhe Nuhi Berishës do të flas shkurtimisht për biografinë e Rexhep Malaj, për të kaluar më pastaj në disa pjesë të shkëputura nga “Qëndresa” – Kujtime nga Burgu, dorëshkrime të tij, të cilat i ka shkruar në kohën kur ndodhej në burg.
Rexhep Malaj i lindur më 29 mars te vitit 1951, rrjedh nga një familje atëdhedashëse të fshatit Hogosht të Kamenicës.
I biri Mehmetit dhe nënë Faries, Rexhep Malaj shkollën fillore dhe 8 vjeqaren e kreu në Hogosht për të vazhduar pastaj me shkollimin e mesëm në Gjimnazin “Zenel Hajdini” në Gjilan, Që në vitin e 3-të të gjimnazit ishte ndër organizatorët e parë të demostratave të 1968’s.
Pikërisht për këtë arsye, gjatë vitit 1969/70, e përjashtojnë nga Gjimnazi në Gjilan, ndërsa shkollimin tutje e vazhdon ne Preshevë. Ku edhe e përfundon me sukses.
Gjatë vitit shkollor 1970/71 punoi si mësimdhënës në fshatin Marec të Prishtinës, mirëpo për shkak dëshirës së madhe për të studiuar tutje, ndërpreu punën dhe filloi studimet në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Gjatë kësaj kohe ishte në ilegale, dhe pasi kreu vitin e parë të studimeve kaloi në Shqipëri prej nga kthehet shumë shpejt sepse Rexhep Malaj e dinte se me armikun duhet të veprohet nga afër. Rrugëtimi i tij Kosovë-Shqipëri, i kushtoi me burg nga nga Gjykata për kundërvajtje e Gjilanit, ku dënohet me 28 dite burg.
Menjëherë pasiqë del nga burgu Rexhep Malaj kalon një kohë në shtetet e Evropës si Gjermani, Francë, Zvicër dhe Itali.
Pra, largohet nga ish shteti Jugosllavisë të cilin nuk e njohu kurrë si të tillë.
Ideali për një Kosovë të lirë dhe të pavarur e ndjekte ngado që shkonte Rexhepi.
Për këtë ai kudo që ishte dhe me këdo që fliste e shpaloste brengën se si të çlirohet njëherë e përgjithmonë Kosova.
Ai ishte në përndjekje të vazhdueshme nga barbarët serb, e meqë ishte pjesëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës (LNÇ) në vitin 1974 së bashku me Adem Demaçin e shumë anëtarë të tjerë arrestohet dhe kështu pas 9 muaj hetimesh dënohet me 9 vite burgim të rëndë.
Në kohën kur Rexhep Malaj ishte në burg, u torturua në mënyra më çnjerëzore dhe shtazarake të UDB-ës, por megjithëatë nuk u thye kurrë, nuk u dorëzua kurrë dhe mbi të gjitha nuk tradhtoi kurrë.
Në fund pas 8 vitesh vuajtje dhe tortura, më 23 maj të vitit 1983 lirohet nga dyert plotë egërsi dhe vuajtje të pashlyera ngase pjesën më të madhe të denimit e kishte kaluar i vetëm nëpër qeli të burgjeve të cilat nuk arritën dot ta thyejnë apo të detyrojnë t’iu bindet pushtetit komunist që Rexhep Malaj nuk e njohu kurrë në jetën e tij.
Përderisa e vuante burgun, ai herë pas here kur iu jepej mundësia shkruante për jetën e tij në burg dhe të gjitha dorëshkrimet e tij ua dërgonte familjarëve.
Një dorë e artë dhe një mendje e ndritur e mbyllur në vetmi, brenda 4 mureve, shpesh herë edhe pa ndriçim. Ishte Xhepa- Rexhep Malaj, njeriu i çelikt.
Prandaj sot, në 42 vjetorin e rënies së tij, unë kam shkëputur disa pjesë nga përjetimet e Rexhës në burg, të cilat vet i ka shkruar dhe më pas janë botuar në një dorëshkrim të vetëm të quajtur “Qëndresa”.
Citoj:
KUJTIME NGA BURGU
“Njerëzit e shtëpisë më përcollën me grushtin lart. Taman si përcillet luftëtari i lirisë për në luftë. Paj, edhe unë në luftë shkoja; në luftë me bisha që kanë pamje njeriu. Më futën në një makinë të policisë, para dhe prapa së cilës kishte makina të tjera përplot policë të armatosur”.
“Fundi ishte akoma larg, shumë larg.
Kisha dëgjuar se pak njerëz kishin mundur t’u qëndronin torturave të këtyre përbindëshave me pamje njeriu. Isha i vetëdijshëm për pafajësinë time, por edhe i dhashë vetes për detyrë të qëndroja gjer në fund, të mos tradhtoja, të mos kallëzoja askënd dhe me asnjë çmim të mos i pranoja akuzat e tyre. Duhej t’ju jipja shembull edhe të tjerëve që do të vijnë pas”.
…
Kishte të burgosur që s’kishin mundur t’u qëndronin torturave dhe ishin thyer. Kishin pranuar të deponojnë gjëra çfarë u kishin thënë hetuesit, dhe i kishin nënshkrua deklaratat shpifëse e vetakuzuese. Deponimet e tyre me dorëshkrimin dhe nënshkrimin e tyre m’i sillnin dhe m’i tregonin bile edhe m’i jepnin t’i shoh nga afër. Duke hasur në pathyeshmërinë time as me deponimet e nënshkruara nga vetë të burgosurit, ata përdorën edhe kartën e fundit: ballafaqimin.
Mendonin se po të me thoshte ndonjë nga te
burgosurit (të cilët edhe i njihja), se kisha bërë këtë apo atë pune, se kishte kryer bashkë me mua këtë apo atë detyrë, se i kisha dhënë për të lexuar ndonjë libër apo gazetë te ndaluar, etj., unë do të thyhesha dhe do t’i
pranoja deklaratat e diktuara nga udbashë dhe përdhunshëm të nënshkruara nga të torturuarit.
Më ballafaquan me një të burgosur.
Me atë rast salla qe mbushur plot udbashë për t’i përcjellë reagimet e mia. Kur i hodha poshtë deponimet e të burgosurit u tërbuan fare. Thashë se do të më shqyejnë, aq keq më mbërthyen dhe me goditën duke bërtitur: “More gomar, more idiot, në sy te dëshmoi para të gjithë neve dhe thua se nuk eshtë e vërtetë. Vetë ai kërkoi të ballafaqohet me ty e ne e sollëm dhe ti tani na nxjerr bishta!”
Por unë isha këmbëngulës dhe vazhdova në timen, se s’ishte e vërtetë çfarë thoshte deponuesi i këtyre dëshmive të rrejshme.
Si ujq të uritur m’u lëshuan, kush me kërbaç e kush me grushte e me shqelma.
Nuk besoja se do të shpëtoja i gjallë.
Isha i përgjakur dhe i tëri i dërrmuar.
Në këto situata edhe pse të vështira sa s’bëhet, për mua ishte një kënaqësi e veçantë kur i shihja të tërbuar nga inati duke shkumbuar si qentë e çartur.
Shpesh më ndodhte edhe të buzëqeshja ani boll me zor, buzët i kisha krejtësisht të çara. Çdo buzëqeshje, natyrisht më kushtonte shtrenjtë, por mjaftohesha me tërbimin e tyre.
Me rendin shtëpiak të burgut kishim të drejtë parapaguanim gazeta dhe revista. Këtë të drejtë na e garantonte edhe ligji, por, për ne të burgosurit politikë shqiptarë kjo nuk vlente.
Për ne, vlente ligji i plotëfuqishëm i UDB-s fashiste jugosllave, i cili na ndalonte edhe të drejtat më elementare të burgosurve.
Qëllimi kryesor i tyre ishte që në mungesë të shtypit të përditshëm, ne të shkëputemi nga rrjedha e jetës jashtë burgut dhe të jemi jashtë çdo zhvillimi të ngjarjeve.
Pastaj në muıngesë të angazhimit të mendjes në qeli ne nuk na mbetej tjetër veçse të mendonim për ato gjëra që i kërkonte UDB; dhe të mendonim veçanërisht për torturat që na i bënin dhe do të na i bënin akoma. Duke mos gjetur kurrfarë ushqimi shpirtëror as në shtypin që nuk na lejonin e as në librat që nuk na jepnin, ata mendonin se në fund të fundit nga torturat e vazhdueshme në UDB-në dhe
nga vetmia totale në qeli ne do të thyheshim.”
…
Pra, të nderuar të pranishëm,
Dorëshkrimi “Qëndresa” i Rexhep Malaj përfaqëson një dëshmi autentike të frymës së Flakës së Janarit, ku qëndresa individuale shndërrohet në simbol kolektiv të sakrificës dhe idealit për liri.
Studimi dhe prezantimi i këtyre kujtimeve në një tryezë të tillë nuk ka vetëm vlerë përkujtimore, por edhe vlerë njohëse, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës historike dhe në ndërtimin e diskursit akademik mbi rezistencën shqiptare në ish-Jugosllavi.
Më 11 janar 1984, Rexhep Malaj ra heroikisht në Prishtinë, së bashku me shokun e tij Nuhi Berishën, gjatë një përballjeje të armatosur me forcat policore jugosllave.
Rënia e tij nuk ishte thjesht një humbje individuale, por një akt i lartë sakrifice që shënoi thellë ndërgjegjen kombëtare shqiptare.
Ai zgjodhi qëndresën dhe nderin, duke mos u dorëzuar dhe duke e vulosur jetën e tij me idealin e lirisë. Për këtë arsye, Rexhep Malaj u shndërrua në simbol të rezistencës aktive dhe të vendosmërisë për çlirim.
Edhe pse jetoi pak, vepra e Rexhep Malës është e madhe.
Ai la pas një trashëgimi morale dhe politike që frymëzoi brezat pasues të veprimtarëve dhe luftëtarëve të lirisë, deri te Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Figura e tij përfaqëson: guximin intelektual dhe politik, vendosmërinë për të mos bërë kompromis me padrejtësinë dhe sakrificën sublime për idealin kombëtar.
Vendi ku ranë heroikisht Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha, që atëherë e sot njihet me emrin “Kodra e Trimave”.
Dhe në fund,
Flaka e Janarit nuk është vetëm kujtim i rënies së heronjve, por është thirrje për reflektim dhe përgjegjësi historike.
Në këtë kontekst, Rexhep Malaj mbetet një nga figurat më të pastra të rezistencës shqiptare, një shembull se si ideali kombëtar mund të mbrohet deri në vetëflijim.
Lavdi jetës dhe veprës së Rexhep Malës!
Lavdi të gjithë dëshmorëve të rënë për Lirinë e Kosovës!
Faleminderit!
Gjilan, 17 janar 2026




