Rexhep Qosja, krijuesi i madh në universin kombëtar shqiptar

23 qershor 2023 | 12:26

Njeriun e bëjnë të përjetshëm veprat e tij.

Sami Frashri

Gjeniu i ngjan çdokujt, atij askush.

Balzaku

Nëse njeriu e zbraz kuletën e tij në kokë,

askush nuk mund t’ia marrë

Benjamin Franklin

Kur din diç, të tregosh që e di, dhe kur nuk din diç,

të tregosh që nuk e di, kjo është dituri

Konfuçi

Ata që dinë, veprojnë.

Ata që kuptojnë, i mësojnë të tjerët

Aristoteli

Fisnikja dhe fisnikëria janë ulur në portretin e Rexhep Qosjes. Aty është ulur forca, qetësia, dhe madhështia, duke e bërë atë portret të madh dhe ndriçues për të gjitha kohërat. Në ligjërimet dhe shkrimet e tij na vjen qartësia e të ardhmes, na paraqitet rruga drejtë lumturisë universale, na paraqitet perandoria e lirisë dhe e barazisë për të gjithë. Ai, gjithnjë si një perandor i pathyeshëm, na mëson se asgjë nuk lind nga asgjëja, por çdo e mirë vjen nga përkushtimi, bashkimi dhe qëndresa e palëkundur para çdo të keqeje. Fjala e tij vjen në çdo rast e gdhendur, për të zënë vendin e saj të palëkundshëm në kështjellën e lartë të mendimit të përparuar njerëzor.

Duke studiuar veprën e Qosjes, kupton se ai trason rrugë të qëndrueshme për brezat që vijnë pas tij. Nuk punon sot për sot. Ai ndërton për përjetësinë, duke ua mësuar të gjithë atyre që vijnë pas se cila është rruga e përparimit njerëzor, rruga e paqes dhe mirëkuptimit njerëzor.

Hapat e para dhe shpalosja e ideve të mëdha

Bëhu i sigurt që e ke vënë këmbën në vendin e duhur,

pastaj qëndro i palëkundshëm

Abraham Lincoln

Akademik Rexhep Qosja i përket asaj plejade që nuk e gjetën rrugën e mendimit të shtruar – ai është në atë formacion të mendimit kombëtar e njerëzor që e ndërtuan atë mendim, i themeluan dhe i zhvilluan idetë e përparimit. Prandaj, në të sotmen, e kemi për detyrë ta studiojmë atë mendim dhe ta shfrytëzojmë për interesat e zhvillimit dhe përparimit, edhe duke mos qenë dakord me elementë që nuk na shkojnë për shtat në kohët tona, por gjithnjë duke vlerësuar se kjo vepër është madhore dhe me shumë vlerë, jo vetëm për kombin shqiptar por për të gjithë kombet që aspirojnë për dinjitet e përparim. Kjo sepse sot ne e kemi të qartë qëllimin, sepse të qartë na e ka bërë vepra e Qosjes dhe paraardhësve e bashkëkohësve të tij. Prandaj, çdo hap ta bëjmë ta palëkundshëm dhe të pakthyeshëm në rrugën drejtë zhvillimit.

Profesor Qosja ka shpalosur një vepër që krijon hapësirë diellore të arsyetimit teorik, por njëkohësisht është kaq e thjeshtë për ta ulur në terrenin e zbatimit praktik. Sepse ai ka ditur çfarë bën. Në asnjë çast të jetës së tij nuk është përhapur në drejtime të ndryshme, por ka trasuar një rrugë dhe e ka bërë të pakthyeshme dhe të pathyeshme, duke ngulur thellë në këtë rrugë rrënjët e idesë së çlirimit, të bashkimit dhe të dinjitetit kombëtar shqiptar, duke dhënë modelin edhe për çdo komb që aspiron të jetë i lirë, i bashkuar dhe i zhvilluar.

Ashtu sikurse me mendimin e tij, me maturi tërheq vëmendjen për çdo dukuri që na pengon në rrugën e zhvillimit. Kritika që bën ai e arsyeton fuqishëm qëllimin, që njerëzit të bëhen të matur, që qeveritarët të largohen nga keqpërdorimi i fuqisë që u japin ligjet e qeverisjes, si dhe të shërbehet me përkushtim për të ndryshuar e përmirësuar gjendjen ekzistuese. Këtë Qosja e kërkon me ngulm, duke treguar edhe rrugën se si mund të zgjerohet fusha e zhvillimit, duke luftuar me forcë mendjemadhësinë, lakminë, egoizmin, zilinë dhe keqdashjen, si lodra të së keqes, që na e shtrembërojnë rrugën e zhvillimit dhe dobësojnë autoritetin e kombit në familjen e kombeve të qytetëruara.

Profesor Qosja është përqendruar për të bërë punën e tij, duke dhënë shembullin më të përsosur, se si njeriu, duhet të jetë i suksesshëm në jetë. Pasi, kur shpërndahemi duke marrë përgjegjësi të dimë gjithçka, nuk dimë të bëjmë asgjë si duhet, si dhe pengojmë të tjerët të bëjnë atë që dinë e duhet të bëjnë.

Mosmarrëveshja e Qosjes

Askush nuk është aq i pasur,

sa të mund të blejë të kaluarën e vet

Oscar Wilde

Me pushtetin qeverisës, siç duket, Qosja nuk e ka pasur në asnjë rast të mundur të merret vesh. Dhe kjo për një arsye shumë të thjeshtë: sepse ai nuk arrin ta kuptojë se si është e mundur që ata të cilët kanë në dorë pushtetin kanë fjalë më shumë se ata që janë përballë për të vlerësuar qeverisjen e tyre, që në gjuhën parlamentare e quajnë opozitë? Ai kërkon që opozita të flasë fortë, por të shpalosë pasqyra zhvillimi, jo të bëjë rolin e gjykatësit a policit. Ndërsa ata që qeverisin të punojnë e të mos flasin fare. Puna e qeverisësve flet vetë, nuk ka nevojë as për mbrojtje, as për marketing, as për arsyetim. Kaq kërkon Qosja. Por ata që duan të qeverisin pa u lodhur dhe ata që duan të bëjnë opozitarizëm pa program, nuk duan ta pranojnë këtë. Ndërsa, Qosja nuk mund të bëjë lëshime, prandaj në shumë raste gjenden në fronte përballë. Por duhet ditur se kjo nuk i sjellë pasoja Qosjes. I sjellë pasoja atdheut dhe atyre që qeverisin keq e që nuk duan të jenë të ndershëm me detyrën që marrin përgjegjësi ta kryejnë. Sikur të kishte qeveri dhe opozitë e të mos kishte popull, do të ishte e plotë ajo që bëjnë ata. Por ja që është populli, i cili, një ditë do t’i nxjerrë të tepërt këtë kategori qeverisësish, duke e kuptuar e vlerësuar plotësisht qëndrimin e palëkundur të Qosjes përballë tyre.

Koha jetësore dhe mosnxitimi i Qosjes

Ka vetëm një të mirë: dituria.

Dhe vetëm një të keqe: padituria.

Sokrati

Akademiku Qosja, në jetën e tij vërehet se ka pasur dhe ka një synim të prekshëm: të jetë njeri i veprimit, të jetë i dobishëm për shoqërinë, për atdheun dhe kombin e tij, duke bërë të gjitha përpjekjet të jetë sa më i qartë dhe me një vepër të prekshme e të kuptueshme.

Kuptohet se të flasësh me profesorin do të thotë që ai të ketë një pamje të kthjelltë të asaj që trajtohet edhe në procesin e mëtejshëm. Kur përballë tij flitet për një kohë shumë të shkurtër, ai ka mundësi intelektuale të dijë se deri ku do të arrij trajtesa përkatëse, duke mos e parë të arsyeshme të harxhojë kohë për të marrë pjesë në diskutim. Edhe ky është një tregues për të na bindur se sa me vlerë është koha jetësore e profesorit.

Ai nuk bën asgjë me nxitim, nuk bën asgjë me koncepte sipërfaqësore, nuk bën asgjë jashtë veprimit natyror, përkundrazi, në gjithë veprimtarinë e tij mbisundon qetësia dhe përpjekjet për të depërtuar në thelbin e çështjeve. Por këto paraqitje të profesorit Qosja në mjaft raste bëjnë që paaftësia të bezdiset, të humbasë durimin, sepse duke mos arritur te ai, shfaq mosdurim, për tentativën e mendimit të tij drejtë përsosmërisë. Megjithatë profesori ka të qartë atë fjalën e urtë të popullit, se, kush futet nëpër ferra do të shpohet nga gjembat. Ndaj ka vendosur që me gjithë veprën e tij, t’i qëndrojë besnik botës së tij shpirtërore, sepse ai do që veprën e tij ta lerë të qartë për të sotmen dhe të ardhmen – të afërt dhe të largët. Kështu ai ka edhe qartësi në shpirt: sikurse duke krijuar një vepër të madhërishme, ka paraqitur edhe karakterin e tij të madhërishëm.

Edhe kundërshtarët

Keni armiq? Në rregull.

Kjo do të thotë që keni mbrojtur një kauzë në jetën tuaj.

Winston Churchill

Kundërshtarët e tij është e kuptueshme që nuk do të shuhen, sepse disa prej tyre përtojnë ta lexojnë veprën e tij, nuk e njohin fare dhe për të mos e lodhur veten, thjeshtë nuk duan të kenë të bëjnë me të, ndaj do ta quajnë të pa kuptueshme, pa kuptuar se shpalosin budallallëkun e tyre. Por, me të tillët Qosja nuk merret fare, sepse e kupton se ata aq dinë aq bëjnë. Disa të tjerë madje janë ziliqarë, të cilët jo rrallë hapur e shprehin inatin: pse fuqia e mendimit duhet të jetë e Qosjes dhe jo e tyre? Të tillët do ta nderonin shumë atë po të ishte një njeri me mendime të nivelit të ultë. Një kategori e kundërshtarëve të tij shprehin revoltën e tyre që nuk arrijnë dot që me punën e tyre ta lënë pas vetes atë.

Sikurse duhet të jemi të mirëkuptuar edhe me faktin që edhe Qosja është njeri, si gjithë të tjerët, prandaj nuk është i imunizuar nga dobësitë a gabimet. Por, siç kam konstatuar, gjithmonë kritikat rëndom kanë ardhur me vonesë, çka do të thotë se kritikët e Qosjes janë paraqitur pasi dobësitë a gabimet janë tejkaluar dhe korrigjuar. Kështu që edhe këta kundërshtarë kritikë të vonuar bëhen të panevojshëm, pasi thjeshtë bëjnë zhurmë. Ka edhe një pjesë tjetër të kundërshtarëve që veten e quan të përsosur dhe çdo mendim ndryshe, për ta është i pa vlefshëm dhe i duhet qëndruar përballë. Kjo kategori që nuk e kuptojnë se ashtu siç janë të ndryshme portretet janë të ndryshme edhe mendimet.

Por me gjithë paraqitjen e kategorive të kundërshtarëve, Qosja ndihet i plotësuar, sepse ka dy fuqi pas vetes: Së pari, mbështetësit e tij janë masiv në mesin e shqiptarëve dhe të qytetarëve të kombeve të tjera; së dyti, vepra e tij teorike është një vepër që më shumë se çdo vepër tjetër është aplikuar në terrenin e atdheut dhe në hapësirat e kombit shqiptar, saqë është kthyer në një busull orientuese për të gjitha kombet që aspirojnë të nesërme të sigurt.

Edukimi atdhetar

Edukimi i mendjes pa edukimin e zemrës

nuk është aspak edukim.

Aristoteli

Detyra e parë që vë Qosja në veprën e tij është çështja e edukimit atdhetar. E, për këtë ai ka studiuar me shumë vëmendje njeriun shqiptar me gjithë universalitetin e shfaqjes së tij, duke përcaktuar normat e nevojshme të mendimit të qëndrueshëm, pa e parë çështjen në interesin e përkohshëm, por në atë afatgjatë dhe të perspektivës së largët të së ardhmes. E, për këtë, ai ka arritur të përcaktojë mesazhet e ballafaqimit të karaktereve, për të edukuar vetitë e shkathtësive jetësore duke u vënë përballë situatave të vështira të jetës kombëtare.

Gjithashtu, Qosja ka ardhur në përfundimin se, që të kesh fuqi të emrit dhe portretit, nuk duhet të jesh i prirë për të bërë para, sepse paraja dhe autoriteti nuk shkojnë bashkë. Është për të ardhur keq që, njerëz me emër, të cilët ngjiten deri në nivelet më të larta të qeverisjes, vetëm pse vrapojnë pas pasurimit të shpejtë, ndoshta edhe të paligjshëm, sapo të largohen nga postet që mbajnë, as që dihet nëse kanë jetuar a ekzistuar ndonjëherë. Pasi sipas vlerësimeve që kemi mësuar, paraja e madhe e zhbën autoritetin.

Prandaj, edhe profesor Qosja, gjithë jetën e tij, në përpunimin e veprës, ka ndërtuar qëndrimin serioz ndaj interesit të përgjithshëm të kombit e të qytetarisë, pa bërë përpjekje të nxjerrë në pah veten, për ta zënë një vend sa më të mirë në shoqëri, pasi atë e ka konsideruar prirje të rreme dhe nuk ka dashur që ajo të zërë vend në personalitetin e tij, duke mos u bërë kurrë pjesë e atyre individëve që kërkojnë me çdo kusht të tregojnë shkëlqimin e tyre, pa marrë në konsideratë vlerat mbi të cilat duhen mbështetur dhe parimet e të përgjithshmes. Ndërsa Qosja edhe vesin është përpjekur ta tregojë lakuriq, ashtu siç paraqitet, për ta paralajmëruar shoqërinë për dukjen e tij dhe për ta bërë të qëndrueshme atë para dukurive të tilla tragjike që e dëmtojnë kombin dhe zhvillimin shoqëror.

Përballë kritikës historike

Parimisht, janë dy lloje njerëzish.

Njerëzit të cilët kryejnë punët dhe

njerëzit të cilët deklarojnë se kanë kryer punët.

Grupi i pare është grumbull më i vogël.

Mark Tuen

Tërheq vëmendjen fakti që në pasqyrën e veprës së tij Qosja ka vetëm shpëtimtarët e kombit shqiptar dhe ata që kanë shpëtuar kombet e tyre në gjithë botën. Ai është i gatshëm të qëndrojë edhe përballë kritikës historike, siç edhe ka qëndruar stoikisht, për t’i mbajtur të pastër ata nga njollat që përpiqen t’ua veshin, që nga Teuta e lashtë, Skënderbeu i mesjetës, rilindësit e lavdishëm, udhëheqësit e luftërave të bërjes së shtetit shqiptar, e deri te luftëtarët e udhëheqësit e Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe luftërave çlirimtare në Kosovën Lindore e në Maqedoni. Ka qëndruar vazhdimisht përballë atyre që janë përpjekur e përpiqen t’u heqin një vizë të zezë ngjarjeve të mëdha të historisë kombëtare, pasi duket se çdo tentativë e tillë e bën që t’i dhëmbë shpirti.

Fuqia e fjalës, e idesë dhe e mendimit

Sekreti i suksesit është këmbëngulja për arritjen e qëllimit.

Benxhamin Dizraeli

Duke i perceptuar problemet e botës në tërësi dhe të botës shqiptare në veçanti, Qosja ka bërë përpjekje t’i njohë ata deri në hollësi, për të dhënë edhe idetë e zgjidhjeve të mundshme. Kjo e bën Qosjen edhe një psikolog të shpirtit kombëtar, pasi shihet se ka depërtuar deri në thellësi të tij, duke krijuar pamjen e plotë të pritshmërisë së të ardhmes.

Ndërsa për politikën dhe diplomacinë, në veprën e tij ai ka apeluar gjithnjë për bashkëpunimin midis kombeve, pasi rekomandon se ata zhvillojnë njëri-tjetrin dhe korrigjojnë gabimet e njëri-tjetrit, por gjithnjë kur ka mirëkuptim e nderim të ndërsjellë.

Që ta kuptosh Qosjen duhet t’ia studiosh veprën. Të nderosh Qosjen duhet t’ia dëgjosh e vlerësosh fjalën. Veprën e vet ai e ka shkruar për ata që e studiojnë, jo për ata që e shikojnë. Prandaj, edhe do të rekomandoja që kush merr përgjegjësi të flasë për Qosjen e ka obligim ta studiojë me përkushtim veprën e tij dhe pastaj mund të bëjë kritikën e thelluar për ta pasuruar e përmirësuar atë më tej. Por, këtë e bëjnë dhe mund ta bëjnë vetëm ata studiues, të cilët dëshirojnë dhe kërkojnë atë rrugë të cilën e ka trasuar ai, për të arritur në synimet e dëshiruara. Sepse, në fund të fundit, siç ka thënë Gëte ”duhet të jesh dikush që të mund të bësh diçka”.

I bindur pas të vërtetës

Të flasësh dhe të shkruash të vërtetën është arti më i rëndë nga të gjitha artet.

Gorki

Rexhep Qosja është shpirti që është i dashuruar pas të vërtetës dhe të madhërishmes. E për këtë ai i ka zhvilluar në vijimësi aftësitë e tij të trashëguara, duke thithur me etje ndikimet e botës, duke përvetësuar ato elementë që i janë nevojitur për të ndërtuar veprën e tij. Dhe për të vërtetën ai ka folur vazhdimisht pavarësisht nga sfidat. Sepse ka kuptuar se predikimi i të rremes me të cilën është ndeshur, është sëmundje e shoqërisë dhe kombit, megjithëse ajo bën përpjekje të dalë shpesh në krye dhe të ndihet e sigurt, pasi është më e lehtë për t’u përvetësuar e rremja se e vërteta. Por, Qosja i ka vënë vetes mision të flasë vazhdimisht për të vërtetën, duke luftuar pa u ndalur predikimin e të rremes, si dhe duke bërë përpjekje ta pastrojë të vërtetën nga e rremja, pasi ato shpesh edhe vijnë bashkë.

E gjithë kjo e bën Qosjen një njeri të mirë, prandaj edhe të madh në universin kombëtar shqiptar, në të gjitha fushat e studimit e të zhvillimit, pasi duke qenë i mirë dhe me talent ka arritur të krijojë ndikimin pozitiv në kombin shqiptar e edhe në shoqërinë në tërësi. Kështu, ai gjithnjë është vigjilent për të mos lejuar që asgjë t’i kalojë nga moskokëçarja e as nga zemërgjerësia.

Vepra që për t’i kuptuar duhet t’i studiosh

Me anë të vlerësimit,

e bëjmë përsosmërinë e të tjerëve pronën tonë.

Volteri

Profesor Qosja ka krijuar vepra që për t’i kuptuar duhet t’i studiosh. Dhe vetëm duke i studiuar do të arrijmë të kuptojmë çfarë duhet bërë dhe si duhet bërë ajo punë, ai veprim apo ndërtuar ajo vepër kombëtare, që të jetë e qëndrueshme në të ardhmen e afërt dhe të largët. Ai nuk ka krijuar vepra për ata që nuk duan të lexojnë, as për ata që nuk duan të kuptojnë.

Ashtu sikurse duhet pranuar se ndikimi i veprës së Qosjes mbi universin kombëtar shqiptar është shumë i natyrshëm dhe i sjellë dobi të mëdha procesit të ngjitjes në horizontet e krijimit të vlerave, duke u ndeshur me vështirësitë dhe dhunën e kundërshtive, për të ruajtur anën më të mirë të natyrës sonë. Dhe këtë e ka bërë duke u mbështetur fortë në tokë, pa iu nënshtruar ndikimeve të jashtme për ta marrë nën pushtetin e tyre. Sepse ka bindjen e plotë se shqiptarët, që në lashtësinë e tyre, janë vendosur në këto troje për arsye se u kanë pëlqyer, sepse janë pajtuar me to, sepse janë dashuruar pas tyre dhe se këto troje kanë qenë dhe janë në ujdi me karakterin e lindur të tyre. Prandaj edhe gjithë vepra e profesor Qosjes është ndërtuar duke përdorur mjetet reale në mënyrë të tillë, që e vërteta e pasqyruar të jetë pa dyshim e vërteta reale, pasi ai, në radhë të parë, ka bërë përpjekje të njohë vetveten … dhe mendoj se ia ka arritur ta njohë atë.

Megjithëse njohja e vetvetes është një kërkesë që është e vështirë të realizohet, sepse ëndrrat dhe synimet e tij janë drejtuar për ta njohur botën, për ta njohur mjedisin që na rrethon, si dhe për ta njohur shpirtin veprues, prandaj kjo përpjekje për ta vënë gjithçka në shërbim të qëllimeve të veprës së tij, bën që ai të gëzojë dhe të vuaj njëkohësisht, e nëpërmjet gëzimeve dhe vuajtjeve ai ka arritur të bëhet udhërrëfyes për kombin dhe për qytetarinë, duke shmangur të gjithë elementët që kanë tentuar t’i zënë rrugën për ta penguar.

Sa më larg nga zhurma

Idetë e mëdha shpesh pranojnë kundërshtime të dhunshme

nga mendje të mesme.

Albert Ajnshtajn

Profesori gjithnjë ka kërkuar dhe kërkon që, secili të jetë jo vetëm shfrytëzues i asaj që krijojnë të tjerët, por edhe zhvillues dhe fuqizues të asaj që mësojmë a që trashëgojmë. Sepse nëse do të jemi thjeshtë shfrytëzues, kur të vijë çasti t’i kthejmë kohës atë që është e saj, kuptojmë se jemi shumë të varfër, por tashmë është vonë për ta kthyer rrjedhën. Ai na këshillon të kuptojmë se bota nuk ka filluar me ne dhe nuk ekziston për hir tonin; se dielli ka lindur e do të lind përjetësisht, jemi apo nuk jemi ne; se dita dhe nata do të zëvendësojnë njëra tjetrën përjetësisht; se brezat do të zëvendësojnë njëri-tjetrin, si ajo spiralja që vjen gjithnjë në ngjitje të vazhdueshme dhe që jeta pasurohet, zhvillohet dhe zgjerohet vazhdimisht, pavarësisht prej nesh. Ne mund të japim kontributin tonë, por duhet të jemi të kujdesshëm që atë gur në kështjellën jetësore ta vendosim atje ku duhet dhe ashtu si duhet, se në të kundërt do të vije dikush e do ta hedhë në humnerën e kohës, duke riparuar defektin që kemi shkaktuar ne me veprën tonë të gabuar, dhe kështu nuk na mbetet më asnjë gjurmë. Prandaj, profesori kërkon të qëndrojmë larg ndjenjës egoiste, thjeshtë për të dalë në pah si ato orkestrat që bëjnë aq zhurmë sa nuk lënë të dëgjohet asnjë fjalë nga kënga e këngëtarit të cilit është vënë t’i shërbejë. Zhurma mbetet zhurmë, dhe pasi të kalojë, ata që janë shqetësuar prej saj kuptojnë se nuk kanë dëgjuar e as kuptuar asgjë. Të mos biem në të tilla nivele sa të mos themi asgjë, por thjeshtë të shqetësojmë të tjerët. Ky është një mesazh që ia vlen ta kuptojmë të gjithë.

Pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve të mëdha

Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate,

andaj kujdesu të shkruash mirë,

sepse një faqe e keqe e ndyn gjithë librin!

Sami Frashëri

Dhe Qosja gjithnjë ka dhënë këshilla të vlefshme, duke vënë në pah synimet më të qarta e të detyrueshme për ecjen kombëtare e qytetare, pavarësisht nga ekzistenca edhe e zhvillimeve absurde, të cilat jo gjithnjë janë të shmangshme. Por, edhe të tilla zhvillime, atij nuk kanë arritur t’ia zbehin dëshirën për të bërë detyrën e tij të këshilltarit të urtë. Ama, duhet të kemi të qartë se, Qosja nuk është një këshilltar pasiv. Ai është pjesëmarrës i të gjitha zhvillimeve në terrenin praktik. Dhe kjo e bën shumë më të fuqishme këshillën e tij, pasi ai e ka peshuar mirë atë që rekomandon të realizohet, sepse punon vetë për ta realizuar dhe nuk është soditës i jashtëm i praktikës së këshillave të tij. Kjo ka bërë që ai gjithë jetën ta ruaj nivelin e punës së tij në lartësinë e mençurisë së lartë, duke mos pasur asnjë luhatje apo ulje-ngritje në rrugëtimin e tij të gjatë të krijimit, në universin kombëtar shqiptar.

Me rëndësi është që bota të shihet drejtë, qartë, kthjelltë, me qëllim që përmendoret e krijuesve, të cilat na i lënë si trashëgim nëpër histori, të jenë produkt i vullnetit të mirë, të jenë prodhim i shikimit të mprehtë dhe të jenë ndërtuar pa paramendime të caktuara. Mendoj se këtë e ka bërë mjaft mirë profesor Qosja, i cili ka bërë që e shkruara e tij, duke qenë e drejtë për kohën e lindjes së saj, do të mbetet e drejtë edhe në përjetësi, për të mbetur si gur i gdhendur saktë në murin e kështjellës kombëtare e qytetare. Prandaj, edhe është detyrë jona ta pasqyrojmë bindshëm e me vërtetësi butësinë e pikëpamjeve të tij, qartësinë, forcën e shpirtit të tij, gjithë madhështinë e këtij njeriu të jashtëzakonshëm, që ka krijuar epokën e tij.

Përjetësisht në sprovë të kohës

Asnjë s’mund të të bëjë të ndihesh inferior pa lejen tënde.

Eleanor Roosevelt

Edhe një bisedë me akademik Qosjen është e shumanshme, siç është edhe vepra e tij. Ai është i palëkundur, gjithmonë i njëjtë dhe gjithmonë në prodhim të ideve të reja për të tashmen dhe të ardhmen, duke u paraprirë zhvillimeve historike, politike, kulturore dhe qytetare. Idetë e tij të reja rrjedhin paprerë, janë vijimësi, janë një lumë i pashtershëm. Ligjërimi i tij gjithnjë është i qetë, i pa ndërprerë, i kuptueshëm, duke respektuar edhe pikat e presjet, për të shqiptuar mendimet më të matura, me fjalët më të gjetura, për të shpërfaqur gjithë pasurinë që ruan natyra e tij, duke bërë që në një bisedë të gjallë ai të jetë gjithnjë i shkëlqyer dhe i pagabueshëm.

Qosja ka arritur nivelin më të lartë të përqendrimit mbi çështjet që analizon. Kjo mënyrë përqendrimi është bërë një tipar dallues i karakterit të tij. Prandaj ai është gjithnjë edhe zot i lëndës që trajton, duke u dhënë veprave të tij përsosmërinë. Por dihet që madhështia është edhe burim mundimesh e vuajtjesh, prej të cilave as profesor Qosja nuk mund të ikë, pasi realisht i lumtur është ai që nuk e njeh askush e që kënaqet me vetveten. Por profesori ka zgjedhur të ngjitet në lartësitë e thepisura për të qenë përjetësisht në sprovë të kohës.

Vepra e Qosjes, “eksploziv” që hap shtigje në terrene të vështira

E pamundura është një fjalë

që mund të gjendet vetëm në fjalorët e budallenjve.

Napoleon Bonaparti

Prandaj do të rekomandoja që të studiohet fuqia dhe përmasat e atij fenomeni që quhet Qosje, pasi ata që do të merren me këtë, do të tregojnë se kanë talent, pasi nuk mund të kalohet pa e vënë re Qosjen, nuk mund të mos studiohet ai. Dhe duke e studiuar secili do të bindej se Qosja e ka kuptuar plotësisht të mirën njerëzore, pasi ka studiuar e njohur edhe natyrën njerëzore, me gjithë larminë e zhvillimit të saj, si dhe ka vënë në pah edhe vlerat e kombit të cilit i përket në këtë larmi përplasjesh, kundërshtish e zhvillimesh. Të studiohet sepse vlerësoj se vepra e tij është si eksplozivi, që hap shtigje në terrene të vështira.

Unë e di se me Qosjen jo të gjithë njerëzit janë të kënaqur dhe jo të gjithë duan ta shohin ashtu siç është. Për rrjedhojë jo të gjithë kanë mbetur të kënaqur edhe me veprën e tij. Megjithëse me sa e kam studiuar unë veprën e tij, ai gjithë jetën është përpjekur me gjithë shpirt që t’i ndihmojë njerëzit me atë vepër. Por ja që ka njerëz të cilët nuk e gjejnë zgjidhjen në atë vepër sipas pikëpamjes së tyre. Dhe unë këtë e pranoj si të drejtë, por nuk pranoj mospajtimin pa argumentuar kundërshtinë. E për këtë deri sot ka pasur vetëm një diskutim që është quajtur debati Qosja – Kadare, i cili, sipas mendimit tim, ia ka vlejtur. Ndërsa më tej, unë nuk e kam gjetur kritikën për veprën e Qosjes, përveç kundërshti a mosdashje thjeshtë për ambicie të sëmurë ose smirë.

Gjithashtu, ajo që vërej unë është se Qosja është në paqe me veten, në paqe me familjen, në paqe me shokët, në paqe me shoqërinë, në paqe me atdheun, në paqe me kombin, duke ecur nëpër jetë pa kërkuar prej askujt mirënjohje, por duke dhënë mirënjohje për të gjithë ata që bëjnë vepra të mira për interesat e atdheut, të kombit dhe të shoqërisë në tërësi.

Qosja ia di vlerën veprës që ka punuar

Fuqinë e mendjes e ke ti. jo ngjarjet jashtë.

Kupto këtë, dhe do të gjesh forcë.

Mark Aureli

Duhet thënë njëkohësisht se Qosja është shumë modest, por ia di vlerën veprës që ka punuar. Nëse dikush e konsideron veprën e tij të padurueshme, mos ta kërkojë fajin te Qosja, por te vetvetja që nuk është në gjendje të kuptojë çfarë është shkruar dhe çfarë kërkohet. Ashtu sikurse ndoshta dikush ka dëshirë ta shohë atë që të shqiptojë me përvujtëri fjalë modeste, për vlerësimet që i bëhen për veprën. Këtë nuk duhet e nuk mund ta kërkojë askush nga Qosja. Të kemi të qartë se, njeriu i ngjan mjedisit ku ka lindur, e ai ka lindur midis maleve kryelartë dhe aheve e pishave shtatlartë, prandaj nuk ka pasur ku ta gjej përulësinë. Prandaj ai nuk mund të veprojë e të paraqitet në kundërshtim me natyrën e tij, se do të ishte një i mjerë, dyfytyrësh e gënjeshtar. Prandaj, ai është aq i fortë sa të shfaqet ashtu siç është në të vërtetë, ani pse ndonjëri do të thotë se ai është mendjemadh.

I dashuruar me lirinë

Dashuria për atdheun është topi

që shkatërron kalatë më të forta

dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë.

Sami Frashëri

I dashuruar me lirinë, Qosje është armik i betuar i arbitraritetit, prandaj edhe i bindur se për lirinë duhen bërë sakrifica sublime. Qosja në vijimësi ka dhënë mesazhet e organizimit dhe të luftës për ta fituar lirinë kombëtare për shqiptarët dhe të gjithë popujt që shtypen e shfrytëzohen dhe masakrohen nga pushtuesit. Ai kërkon që edhe ndërtimi i shtetit të tij të jetë në çdo gjë i drejtë, i mirë dhe i arsyeshëm, duke mos bërë asgjë që të kundërshtohet nga qytetarët e vendit a të jetë në dëm të tyre. Por, ai nuk bëhet kurrë as mik i shtetit të tij nëse krahas shumë të mirave ka edhe shumë të këqija, shumë padrejtësi dhe papërsosmëri, sepse nuk pranon të bëhet mik i së keqes. Kështu ai edhe shpesh vihet në shenjë nga ata që marrin pushtet, sepse nuk janë në gjendje të krijojnë atë shtet siç e rekomandon ai. Pasi prej tyre nuk merret në konsideratë fakti që koha lëvizë përjetësisht përpara dhe kërkesat e qytetarëve janë gjithnjë në rritje, sepse diçka që në vitin 1999 ishte e mirë në vitin 2023 nuk vlen.

Të mbajmë në vëmendje se, është thënë që kombi ka karakteristikat e tij, vlerat e tij, shpirtin e tij, thelbin e tij, prandaj edhe nevojat e tij duhet të dalin prej këtyre karakteristikave. Asgjë më shumë se kaq nuk kërkon Qosja prej shqiptarëve dhe të tjerëve. Ne nuk mund të ndërtojmë në vendin tonë kopjet e vjetra të të huajve. E kjo është një dobësi që po vërehet, pasi nuk merret në konsideratë se ajo që për një popull a një shtet mund të jetë e mirë, për ne, për shtetin tonë e për popullin tonë mund të jetë e keqe. Kështu që, përpjekjet për të thithur përvojat e huaja, pa qenë nevojë e lindur nga thelbi i kombit, janë të pa arsyeshme dhe të pasuksesshme.

Gjykatës i paanshëm dhe lider si një institucion

Sa më shumë e mendoj aq më shumë e kuptoj

që s’ka asgjë më artistike se sa të duash të tjerët.

Vincent Van Gogh

Vlerësoj gjithashtu se Qosja gjithnjë ka ruajtur baraspeshën, edhe kur ka vlerësuar talentet, zhvillimet, konfliktet dhe paqen. Paanshmëria e tij e ka bërë gjykatës të saktë të situatave dhe të zhvillimeve e gjendjeve të ndryshme kombëtare dhe qytetare. Kështu që, ai gjithnjë ka qenë i ftohtë në gjykime, larg simpative dhe njëanshmërive. Ai ka vlerësuar se, në jetën kombëtare, intelektuale e qytetare nuk është thjeshtë një person privat, por një institucion, mbarëvajtja e të cilit është shumë më e rëndësishme dhe më e shtrenjtë e më e shenjtë për të, se sa jeta e tij vetjake, të cilën e ka konsideruar gjithnjë kalimtare. Ai i ngjan një busulle që gjithnjë tregon të vërtetën, duke qenë zot i vetvetes dhe zot i institucionit që i ka vënë vetes për detyrë të zhvillojë për interesat e atdheut dhe të kombit të tij, duke fituar kështu autoritetin e një lideri të pagabueshëm.

Përvoja dhe urtësia kanë bërë që Qosja të përsosë portretin e asaj që është e rëndësishme, që është e mirë dhe që është e moralshme, duke dhënë ide për rrugët e zhvillimit dhe largimin nga ajo që është e keqe e që vjen në jetën kombëtare e qytetare me të gjitha pasojat e saj, për të shkatërruar të vlefshmen dhe të nevojshmen e fisniken. Dhe këtë ai e ka arritur duke qëndruar në marrëdhënie të afërta me paraardhësit e mëdhenj, si ato të kombit shqiptar ashtu edhe të kombeve të tjera, çka dëshmon për fuqinë e tij dhe synimin për ta bërë gjithçka sa më mirë e më saktë. Kjo tregon se ai është një njeri fisnik, me shpirt e karakter të fortë dhe me synime të larta, ndaj edhe ka arritur të realizojë një zhvillim harmonik e duke iu afruar përditë përsosmërisë, për të ardhur në atë përfundimin se zhvillimi mendor i kombit është prioritet për mendjet e fuqishme, që kanë aftësinë të krijojnë idetë e të ardhmes.

Qytetar i kombit, por edhe i gjithë botës

Çdo ditë e jetës sate është një faqe e biografisë sate,

kujdesu ta shkruash mirë.

Sami Frashëri

Mund të themi pa u lëkundur se Qosja me veprën e tij, i ka bërë një shërbim të madh kombit shqiptar. Ai ka ditur të shpreh ndjenjat kombëtare të shqiptarëve, si dhe të japë modelin e vizionarit për të gjitha kombet drejtë lirisë, duke vënë në pah lavdinë e kombit nëpër breza, përpjekjet, luftërat, zhvillimet, burrat e fortë të kombit dhe të të tjerëve, si dhe vetitë më të mira të popullit tonë, të cilat i ka çmuar gjithnjë, pa i mohuar a fshehur edhe dobësitë e mangësitë. Prandaj mendoj se profesor Qosja është qytetar i kombit por edhe i gjithë botës.

Pra duket se, çka ka të mirë e të lartë natyra njerëzore, si dashurinë për truallin atëror, ndjenjën e lirisë dhe të sigurisë, krijimin e ligjeve mbrojtëse të atdheut, mospranimin e robërisë dhe mospajtimin me pushtimin, luftën kundër pushtuesit dhe bërjen e sakrificave për lirinë, duke mos u shmangur nga vendimi për ta parë kombin të lirë e të bashkuar, janë cilësitë të cilat përbëjnë petkun që mban veshur profesor Qosja.

Ndikimi i veprës së Qosjes në jetën kombëtare, në të sotmen dhe të ardhmen e tij, dhe gjerësia e asaj vepre me ndikim dhe në jetën e popujve të tjerë dhe të shoqërisë në tërësi, e bëjnë atë një figurë të përjetshme, duke e larguar nga ata figura që janë të fuqishme vetëm në të gjallë të tyre.  Kështu, gjenialiteti i Qosjes qëndron pikërisht në atë, se ka prodhuar vepra jetëgjata, që do të japin ide për zhvillim edhe pas shekujsh historie, pasi duken vepra vitale dhe që i qëndrojnë kohës së të ardhmes.

Përfundim

Njeriu s’mund të gjejë askund një strehë më të qetë

dhe më të patrazuar se brenda Shpirtit të tij.

Mark Aureli

Qosja ka ditur të mbështetet në vetvete dhe të jetë në harmoni me veten. Ai e ndërtoj veprën e tij gjithnjë pa u ndikuar nga trysnitë e kohës dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni. Pa ndjekur modën, pa bërë punë thjeshtë për të bërë përshtypje e lënë mbresa, pa kërkuar të pëlqehet dhe pa shikuar se çfarë punojnë të tjerët. Ai krijoi gjithnjë atë që ishte e nevojshme, atë për të cilën është i bindur se i nevojitet popullit, atdheut dhe kombit të tij. Asnjëherë nuk e pyeti veten: a kam krijuar diçka që t’ma pëlqejnë, por a kam krijuar diçka që është e duhura për të shërbyer sa më mirë në jetë e qytetarëve të vendit të tij. Kështu, ai gjithnjë ka vlerësuar dhe vlerëson mendimet, dëshirat dhe nevojat e popullit të tij, duke bërë që gjithnjë t’i rritet besimi në vetvete sepse ka punuar për ta pasur shpirtin e tij në harmoni me shpirtin e kombit shqiptar. Vepra e tij është e mbështetur në truallin e kombit, duke ndërthurur brenda saj gjithë mençurinë e paraardhësve dhe të bashkëkohësve, të kompozuar me mjeshtri, që t’i shërbejë kombit drejtë të ardhmes, duke iu nënshtruar vullnetit të fortë, mjeshtërisë dhe këmbënguljes që tij, për ta përsosur atë vazhdimisht.

(Një vlerësim për Akademikun e madh të shqiptarëve, profesor Rexhep Qosjen,

në 70 -vjetorin e krijimit të Institutit Albanologjik

dhe në përvjetorin e tij të 87-të të lindjes.)

 Prishtinë, më, 21.06.2023

Prof. dr. Kudusi Lama, gjeneral në pension

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia e Kosovës sot ka arrestuar të dyshuarin Nenad Orloviq,…