
Rexhepi: Mos e ktheni festën në Luginën e Preshevës në shënjestër policore
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar (KKSH) në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, kërkon nga policia në Luginë kujdes dhe respektim të lirive qytetare pas festimeve për Kombëtaren.
Kryetari Rexhepi ka reaguar pas raportimeve se organet e rendit në komunat e Bujanocit dhe Preshevës po evidentojnë persona për shkak të festimeve pas fitores së Kombëtares së Shqipërisë ndaj Serbisë.
Ai ka kërkuar që institucionet policore të veprojnë me kujdes dhe pa paragjykime etnike, duke theksuar se “shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë të gëzohen për sukseset e Kombëtares së tyre, një gëzim që nuk përbën asnjë rrezik për rendin publik, por është shprehje e identitetit dhe krenarisë kombëtare”.
Rexhepi i ka bërë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe organeve kompetente që të garantojnë respektimin e lirive dhe të drejtave qytetare, duke paralajmëruar se do ta monitorojë nga afër situatën dhe do të reagojë në çdo rast të shkeljes së të drejtave të qytetarëve shqiptarë në Luginë.