Rexhepi: Serbia po vazhdon me përjashtimin e shqiptarëve
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka reaguar lidhur me votimin e anëtarëve të Këshillit të Rregullatorit për Mediat Elektronike (REM) në Kuvendin e Serbisë, duke theksuar se shqiptarët janë përjashtuar padrejtësisht nga ky proces.
Ai ka thënë se në seancën e Kuvendit të Serbisë është votuar për përbërjen e re të REM-it, ku janë zgjedhur tetë anëtarë nga propozimet e institucioneve dhe shoqatave serbe. Megjithatë, ai ka thënë se asnjë nga kandidatët e propozuar nga këshillat kombëtare të pakicave kombëtare, përfshirë shqiptarët, nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e këtij organi.
Sipas Rexhepit, kjo është një dëshmi e qartë e qasjes diskriminuese të qeverisë serbe ndaj pakicave kombëtare.
“Kjo është një dëshmi e qartë se për qeverinë aktuale ksenofobe, as shqiptari, as boshnjaku nuk janë të pranueshëm. Votimi i sotëm tregon mungesë vullneti për përfaqësim të barabartë dhe shkelje të frymës së ligjit për Këshillat Kombëtare të Pakicave”, ka shkruar Rexhepi në “Facebook”.
Kreu i Këshillit Kombëtar Shqiptar, ka theksuar se REM mbetet një nga institucionet më të politizuara në Serbi, i cili në vend që të garantojë lirinë e mediave, është shndërruar në instrument kontrolli dhe ndikimi qeveritar. Ai ka shtuar se mediat e mbikëqyrura nga ky institucion shpesh portretizojnë shqiptarët në mënyrë negative, ndërsa gjuha e urrejtjes ndaj pakicave mbetet pa ndëshkim.
“Përjashtimi i përfaqësuesve të pakicave nga REM-i do të thotë heshtje e qëllimshme ndaj diskriminimit mediatik dhe pamundësi që zëri i pakicave të dëgjohet në një organ që duhet të garantojë pluralizmin dhe barazinë në hapësirën mediatike” ka shkruar Rexhepi.
Në përfundim, Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dënuar ashpër këtë praktikë përjashtuese.



