Rezervat shtetërore, përfshirja e Kurtit, Hisen Berisha: Një ndër rastet më të çuditshme të trajtimit selektiv të përgjegjësisë penale
Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar në lidhje me aktakuzën për rezervat shtetërore.
Ai ka shkruar në “Facebook” se rasti i përfshirjes së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit në dosjen prokuroriale që lidhet me procedurat e blerjes dhe furnizimit të rezervave shtetërore, paraqet një ndër rastet më të çuditshme të trajtimit selektiv të përgjegjësisë penale në historinë e drejtësisë së re të Kosovës.
Ai ka theksuar se në aspektin juridik, ky akt përbën elementet e qarta të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Në këtë kontekst, fakti që Prokuroria Speciale e ka thirrur kryeministrin vetëm si dëshmitar dhe jo si të dyshuar kryesor paraqet një devijim të rëndë të parimit të përgjegjësisë penale hierarkike”, ka shkruar Berisha.
Postimi i plotë i tij:
Vështrim juridik institucional, mbi rastin e vendimit për rezervat shtetërore dhe trajtimin e dëshmisë së Kryeministrit Albin Kurti nga Prokuroria Speciale
Rasti i përfshirjes së Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në cilësinë e dëshmitarit në dosjen prokuroriale që lidhet me procedurat e blerjes dhe furnizimit të rezervave shtetërore, paraqet një ndër rastet më të çuditshme të trajtimit selektiv të përgjegjësisë penale në historinë e drejtësisë së re të Kosovës.
Vetë dokumentet zyrtare të Qeverisë dhe proceset administrative të datës 23–26 shkurt 2022 dëshmojnë një ndërhyrje direkte ekzekutive në procedurat e prokurimit publik, përmes përjashtimit të paligjshëm nga procedura konkurruese për furnizim me mallra për rezervat shtetërore, nën klasifikimin e kontratës si “sekrete”.
Në aspektin juridik, ky akt përbën elementet e qarta të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me pasoja direkte në cenimin e parimeve të prokurimit publik të drejtë, të barabartë dhe transparent të përcaktuara në nenin 1 dhe 3 të Ligjit nr. 04/L-042. Vendimi qeveritar i firmosur nga Kryeministri Kurti dhe i iniciuar nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përbën një akt të drejtpërdrejtë administrativ me efekt juridik dhe financiar, për të cilin përgjegjësia penale dhe politike bie mbi nënshkruesin dhe miratuesin përfundimtar të vendimit – acta non verba / veprimet, jo fjalët – e përcaktojnë përgjegjësinë ligjore.
Në këtë kontekst, fakti që Prokuroria Speciale e ka thirrur Kryeministrin vetëm si dëshmitar dhe jo si të dyshuar kryesor paraqet një devijim të rëndë të parimit të përgjegjësisë penale hierarkike. Kodi i Procedurës Penale përcakton se përgjegjësia për veprimet e paligjshme në një proces administrativ me efekt financiar nuk mund të kufizohet në vartësit ekzekutues, por i ngjitet vendimmarrësit politik – respondeat superior/eprori përgjigjet – për veprimet e vartësve të tij kur ka urdhëruar ose toleruar shkeljen.
Kështu që, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës duhet të vihet nën venerimin e dyshimit publik dhe institucional për mënyrën selektive, të vonuar dhe politikisht të motivuar të veprimeve të saj, si në rastin e largimit të hetuesve të rastit të rezervave shtetërore, pa asnjë pacta juridica për sjelljen e tyre. Në vazhdim, sjellja e PS, në raport me rastet që prekin drejtpërdrejt Kryeministrin Albin Kurti ka krijuar perceptimin se kjo prokurori po vepron jo në mbrojtje të ligjit, por në mbrojtje të pushtetit.
Dërgimi i ftesës ndaj Kurtit në prag të zgjedhjeve nacionale, i përdorur si instrument për mobilizimin e militantizmit partiak përmes skenarit të vjetër të viktimizimit, mosshoqërimi i tij pas refuzimit të urdhrit prokurorial për paraqitje dhe më pas ftesa e përsëritur në cilësinë e dëshmitarit, ndonëse hierarkikisht është subjekt i përgjegjësisë penale, përbëjnë devijim serioz nga parimet e drejtësisë dhe hierarkisë penale.
Këto veprime jo vetëm e komprometojnë integritetin e Prokurorisë Speciale, por ngrejnë dyshime të arsyeshme se ajo është shndërruar në instrument të mbulimit të kauzave mbi krim të lidhura me qeverinë Kurti – fiat justitia, ruat caelum / le të bëhet drejtësi, qoftë edhe po të shembet qielli.
Për më tepër, vendimi i datës 26.02.2022 (nr. 01/65), i publikuar në Gazetën Zyrtare, u parapri nga një zinxhir i dokumentuar komunikimesh elektronike ndërmjet zyrtarëve të MINT-it dhe Kabinetit të Kryeministrit (email-et e datës 25.02.2022), që dëshmojnë koordinim të plotë dhe aprovimin politik për shmangien e procedurave ligjore të prokurimit.
Ky veprim përjashton mundësinë e “padijes administrative” dhe nënkupton dashje të plotë (dolus directus) në nënshkrimin e një vendimi me pasoja të dëmshme për buxhetin e shtetit – ignorantia legis non excusat / mosnjohja e ligjit nuk e përjashton përgjegjësinë.
Nëse kjo çështje do të trajtohej sipas standardeve të praktikës ndërkombëtare penale dhe parimit ubi culpa, ibi poena (ku ka faj, ka ndëshkim), atëherë trajtimi i z. Kurti si dëshmitar do të ishte i pamundur.
Në rastin konkret, Prokuroria Speciale, në vend se të mbrojë Parimin e Ligjshmërisë, ka krijuar një precedent të rrezikshëm të imunitetit funksional të pushtetit ekzekutiv, duke e kthyer instrumentin penal në mjet për justifikim politik – lex dura sed lex / ligji është i ashpër, por ligj është.
Dyshimi i arsyeshëm i ngritur në opinionin publik se Prokuroria po i shërben kauzës politike të Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje nuk është më supozim, por indicie e mbështetur në vetë dokumentacionin zyrtar të dosjes prokuroriale nr. 2023:0038541, ku në listën e provave figurojnë aktet e qeverisë dhe korrespondencat që mbartin firmën e nënshkruesve politikë.
Në aspektin doktrinar, kjo sjellje institucionale përputhet me tri format klasike të pjesëmarrjes në kryerjen e veprës penale, të njohura në të drejtën romake dhe europiane moderne:
– dare (dhënia), ofrimi i urdhrit ose miratimi i aktit;
– facere (veprimi), nënshkrimi ose ekzekutimi i vendimit;
– praestare (lehtësimi ose tolerimi i shkeljes), mosveprimi institucional për ta parandaluar – qui facit per alium, facit per se / kush vepron përmes tjetrit, vepron vetë.
Në këtë rast, Kurti i përmbush të trija format, dhe për pasojë, kualifikimi i tij si dëshmitar e jo si i dyshuar, është juridikisht i pajustifikueshëm dhe politikisht i motivuar.
Përfundimisht, ky rast nuk është vetëm çështje e interpretimit penal, por test i seriozitetit të sistemit të drejtësisë në raport me pushtetin politik.
Heshtja, vonesat dhe devijimet procedurale të Prokurorisë Speciale e dëmtojnë besimin publik në ligj dhe rrezikojnë ta kthejnë përgjegjësinë penale në privilegj politik.
Nëse drejtësia nuk është e aftë të hetojë, të thërrasë dhe të mbajë përgjegjës edhe vetë kryeministrin për aktet me efekt financiar dhe administrativ, atëherë Kosova rrezikon të rikthehet në modelin e pandëshkueshmërisë që e kishte trashëguar nga periudhat më të errëta të tranzicionit të saj institucional – summum ius, summa iniuria / zbatimi ekstrem i ligjit pa drejtësi është padrejtësia më e madhe.



