Rezoluta për Hagën, zgjatja buxhetore, 16 komisionet parlamentare – vendimet kryesore në seancën e parë të legjislaturës së dhjetë

12 shkurt 2026 | 22:39

Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në një seancë të jashtëzakonshme plenare, të udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu, me ftesë të 40 deputetëve nënshkrues.

Në fillim të seancës, kryetarja Haxhiu njoftoi se presidentja Vjosa Osmani ka ndërmarrë hapat ligjorë për zëvendësimin e deputetëve që janë bërë pjesë e kabinetit qeveritar. Me këtë rast u bë betimi i 18 deputetëve të rinj, të cilët morën zyrtarisht mandatin në legjislaturën e dhjetë.

Gjatë seancës, me kërkesë të kryetarit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, u votua që shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë të kalojë si pikë e parë e rendit të ditës. Pas miratimit të shmangies nga rregullorja, Kuvendi me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim miratoi rezolutën e paraqitur nga deputeti i PDK-së, Përparim Gruda.

Rezoluta kërkon nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar që të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, si dhe standardeve ndërkombëtare për një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm. Ajo thekson gjithashtu domosdoshmërinë e mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, në përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjatë debatit, kryetarja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, propozoi shtimin e një pike në tekstin e rezolutës, por propozimi nuk mori mbështetjen e nevojshme as që të dal në votim.

LDK nuk votoi fare për Rezolutën, kurse i vetmi që votoi kundër ishte deputeti i VV-së, Fatos Geci.

Seanca vijoi me miratimin e Propozim-vendimit të Qeverisë për zgjatjen e zbatimit të Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars 2026, me qëllim të shmangies së pengesave në procesin e pagesave deri në miratimin e buxhetit të ri.

Në fund, Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare për legjislaturën e dhjetë, me anëtarët e propozuar nga grupet parlamentare, sipas ndarjes së dakorduar në Kryesinë e Kuvendit.

Njoftimi i plotë nga Kuvendi i Kosovës:

Seancë e jashtëzakonshme plenare e Kuvendit

Udhëhequr nga kryetarja Albulena Haxhiu, Kuvendi i Republikës së Kosovës u mblodh sot në seancë të jashtëzakonshme plenare, të ftuar nga 40 deputetë nënshkrues.
Kryetarja Haxhiu njoftoi se presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka ndërmarrë hapat ligjorë për zëvendësimin e deputetëve të cilët tashmë janë pjesë e kabinetit qeveritar. Më këtë rast u bë betimi i 18 deputetëve të rinj: Bajram Mavriqi, Luan Aliu, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Ejup Ahmeti, Avdullah Klinaku, Mytaher Haskuka, Bylbyl Sokoli, Ilir Qeriqi, Mimoza Shala, Egzon Azemi, Fahrush Rexhepi, Arijeta Rexhepi, Shqipe Isufi, Afërdita Hajrizi, Fridon Lala, Lazar Raduloviq dhe Bahrim Shabani.
Seanca e Kuvendit vazhdoi me kërkesën e kryetarit të GP të AAK-së, Besnik Tahiri, që pika e tretë e rendit të ditës, përkatësisht Shqyrtimi i Propozim Rezolutës për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, të dalë si pikë e parë e rendit të ditës.
Pasi mori mbështetje këtë propozim dhe pas votimit për shmangie nga rregullorja, Kuvendi, me 90 vota për, një kundër dhe asnjë abstenim, miratoi rezolutën e paraqitur nga deputeti Përparim Gruda (PDK), nëpërmjet të cilës kërkohet nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë që, në ushtrimin e funksioneve të tyre, të sigurojnë zbatimin me përpikëri të ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës, që përmban standardet më të mira ndërkombëtare, lidhur me një proces gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm, duke respektuar gjithashtu parimet e transparencës, llogaridhënies dhe kultivimit të besimit të publikut në drejtësi.
Ndër të tjera kërkohet po ashtu që të ushtrohet zbatim me përpikëri i standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare lidhur me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe të tjerëve, përfshirë edhe detyrimet që burojnë nga jurisprudenca e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në prezantimin e përmbajtjes së kësaj rezolute, deputeti Gruda potencoi se rezoluta është hartuar nga ekspertë të pavarur, duke shtuar se i takon Kuvendit të Kosovës të ketë një qëndrim lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Hagë.
Kryetarja e GP të LDK-së, Jehona Lushaku, propozoi futjen e një pike shtesë në tekstin e rezolutës, por e cila nuk mori mbështetjen për t’u bërë pjesë e rezolutës.
Seanca vazhdoi me miratimin e Propozim-vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për autorizimin e zgjatjes për zbatimin e Ligjit për ndarjet buxhetore të vitit të kaluar fiskal edhe për muajin mars të vitit 2026.
Në seancën e sotme Kuvendi miratoi përbërjen e 16 komisioneve parlamentare, aq sa do të ketë Kuvendi në këtë legjislaturë, me anëtarët e propozuar nga ana e grupeve parlamentare, sipas ndarjes në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një incident ka ndodhur sonte live në emisionin “Opinon” i…