Rezultatet e zgjedhjeve lokale apo furtunë para qetësisë!

21 tetor 2021 | 12:08

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Rezultatet preliminare për asamblistë dhe kryetarë komunash të zgjedhjeve lokale : Para zgjedhjeve lokale të datës 17 tetor 2021 dola me rezultat preliminar në gazetën “Epoka e Re”, të cilës i kam ndejtur besnik që nga shkrimi i parë dhe që asnjëherë nuk kam pranuar të kompensohem nga ata për këto shkrime që janë të shumta dhe, po t’i përmbledhja për botime do t’i bëja konkurrencë shokut Enver për numrin e veprave të botuara. Shkrimi apo analiza paraprake ishte për rezultat në nivel vendi (asamblistë) dhe për kryetarë të komunave.

Për rezultatin e përgjithshëm të LDK-së, PDK-së, AAK-së dhe LS-së ia kam qëlluar 100 për qind kurse për LV-në kam dështuar rëndë sepse kam parashikuar që do të ketë 42 për qind të asamblistëve në nivel vendi kurse, sipas rezultateve, ende të pacertifikuara ka afërsisht 26 për qind të pushtetit lokal në nivel vendi. Kurrë nuk e kam besuar se LV-ja do të ketë rezultat të tillë dhe as sot disi nuk po besoj, po më duket si një ëndërr apo makth. Kur kam parashikuar këtë rezultat jam mbështetur në 51 për qind të votave në nivel qendror dhe kohë e shkurtër, vetëm tetë muaj nga organizimi i zgjedhjeve të fundit ku LV-ja fitoi 51 për qind të votave. Pastaj, thuaja në asnjë vend në botë partia që ka pushtetin qendror nuk i humbë zgjedhjet lokale duke pësuar përgjysmim të votave. Duket se ende kam nevojë të mësojë! Ndërkaq, në garë për kryetarë të komunave ishte më lehtë të parashiheshin rezultatet për faktin se për partitë kryesore është edhe një mundësi, balotazhi e që nuk është mundësi edhe për asamblistë komunash. Të shkojmë me radhë, sipas fuqisë politike të zgjedhjeve të fundit lokale për asamblistë komunalë.

  1. LV-ja: Nuk e fitoi asnjë komunë pa balotazh ndonëse kishte pushtetin lokal në tri komuna, Prizren, Mitrovicë dhe Podujevë ndërkaq që në emër të LV-së ishin fituar edhe Prishtina dhe Kamenica. Pritjet kanë qenë që LV-ja të fitojë, pa balotazh Prishtinën, Podujevën dhe Prizrenin, si komuna të mëdha dhe disa komuna të vogla. Ambiciet (për shkak të kandidatit të mrekullueshëm) ishin të fitohej edhe Gjilani por se nuk doli ky parashikim. Tash, koalicionet para balotazhit dhe pazaret për poste dhe ndikim do të përcaktojnë numrin e komunave që eventualisht do të fitohen nga LV-ja e që mundësitë janë te 12 komuna ku LV-ja është në balotazh. Do të jetë shumë sfiduese për faktin se mund të bëhen koalicione të mëdha kundër LV-së e që do t’ia vështirësonin rikthimin në balotazh. Është interesant fakti se, gjykuar sipas rezultateve të raundit të parë dhe mundësive për koalicione tash, LV-ja mund të fitojë shumë komuna por mund të ndahet aspak mirë edhe pas balotazhit. Nëse LV-ja fiton zgjedhjet për kryetarë në Prishtinë, Prizren dhe Gjilan si dhe në ndonjë qendër më të vogël siç është Shtima, atëherë mund të llogaritet si fituese. Prishtina është pika kryesore dhe synim i madh, dhe kushdo që e fiton Prishtinën lirisht llogaritet se e ka pushtetin lokal aq më parë që niveli qendror i qeverisjes është në pronësi të LV-së ku ajo është aksionare kryesore me 51 për qind të aksioneve. Mirëpo, do të jetë tmerrësisht vështirë!
  2. PDK-ja: Pas raundit të parë konsiderohet si fituese dhe është fituese për faktin se fitoi katër komuna, Mitrovicën, Ferizajn, Skenderajn dhe Hanin e Elezit ndërkaq është me gjasa të mëdha të fitojë edhe 3-4 komuna tjera pas balotazhit. Rezultati i PDK-së është befasi e madhe aq më parë që riktheu Mitrovicën, qendër të fortë të Agim Bahtirit që ishte kandidat i LV-së e që ishte gabim strategjik i LV-së. Kur kishte dyshime nëse ai do të ishte kandidat i LV-së, Agim Bahtiri kërcënoi haptas LV-në se: “nëse nuk e përkrahin kandidaturën time atëherë do të investojë 1 milion euro në fushatën e Bedri Hamzës…”. Kjo ishte mundësia e artë e LV-së të lirohej nga ky shantazhues duke e rinkofirmuar premtimin kryesor elektoral me të cilat dominoi në zgjedhjet e përgjithshme, se do ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Po ta zbatonte këtë parim në rastin e Agim Bahtirit, cilido kandidat i LV-së për kryetar të Mitrovicës do t’i fitonte zgjedhjet, pa shkuar fare në balotazh. PDK-ja rikonfirmoi fitoren në Ferizaj në saj të një pune të mrekullueshme që e bëri kryetari Agim Aliu në punën e të cilit më së paku vërehej përcaktimi partiak e më së shumti dominonte interesi qytetar. Në Han të Elezit kam besuar se do të fitojë Rufki Suma, fitorja e Ballazhit për mua është befasi. Para zgjedhjeve edhe nuk kam qenë aq i sigurt se PDK-ja do të fitojë katër komuna e më së paku se do ta fitojë Mitrovicën. Përtej parashikimeve të mia, PDK-ja mund të fitojë 7-8 komuna dhe nëse e fiton Prizrenin, PDK-ja do të bëjë gjumë të rehatshëm. PDK-ja arriti fitore të madhe dhe plotësisht të merituar në Skenderaj. Do të llogaritej si fituese e zgjedhjeve për faktin se nuk ishte favorite para zgjedhjeve. Për balotazh PDK-ja e ka një përparësi të madhe sepse të gjitha partitë mund të përfitojnë nga koalicioni me PDK-në e më së shumti LDK-ja.
  3. LDK-ja: Dikush po thotë se është rikthim i madh i LDK-së e unë nuk e quaj ashtu; nëse kemi parasysh rezultatin e raundit të parë. Madje, në një mënyrë, nëse kemi parasysh fuqinë e pushtetit lokal para zgjedhjeve, LDK-ja ka prapakthim për faktin se fitoi pa balotazh vetëm dy komuna ndërsa i dërgoi në balotazh 4-5 komuna që më parë i kishte fituar pa balotazh, Fushë-Kosova, Gjilani, Vitia, Vushtrria dhe Istogu. Pejën e fitoi Gazmend Muhaxheri sikur që edhe Lipjanin e ka fituar Imri Ahmeti. Me punën që e ka bërë Imri Ahmeti në Lipjan edhe po të dilte si kandidat i pavarur do ta meritonte 100 për qind të fitonte edhe një mandat. Se si do të kalojë LDK-ja në balotazh e synimet i ka ta fitojë Prishtinën, Gjilanin, Podujevën, Istogun, Vitinë dhe Fushë-Kosovën, më shumë varet nga koalicioni me PDK-në, në radhë të parë dhe partitë tjera se nga votuesi i LDK-së. Vetëm pas balotazhit do të konstatojmë nëse “fryma e re” e riktheu LDK-në apo do të kemi një vendnumrim. Zgjedhjet nacionale nuk mund të krahasohen me zgjedhjet lokale prandaj edhe krahasimet për rënie apo ngritje janë të pavenda!
  4. AAK-ja: E ruajti konstantën e deritashme. Fitoi, pa balotazh dy komuna ndërsa ka mundsësi reale të fitojë edhe 3-4 të tjera. Nëse e fiton kryeqytetin e AAK-së, Gjakovën, AAK-ja do të ndjehej e qetësuar, dhe ka mundësi reale ta fitojë Gjakovën. Kam menduar dhe besuar se AAK-ja do ta fitojë pa balotazh Rahovecin në saj të punës shumë të mirë që ka bërë Smajl Latifi. Bali Muharremaj fitoi, plotësisht me meritë në Suharekë sepse ka bërë punë të shkëlqyer.
  5. LS-ja: Partia e Serbisë në Kosovë e jo e serbëve të Kosovës, Lista Serbe do t’i fitojë 100 për qind të komunave. Tash ka fituar 9 komuna pa balotazh, i ka mbetur edhe 1 që e fiton pa asnjë problem. Agim Bahtiri e ka shantazhuar LV-në me një kandidaturë, LS-ja po e shantazhon Qeverinë dhe shtetin e Kosovës me një Zajbenicë që e ka projektuar si shtet të fuqishëm brenda një shteti të dobësuar. LS-ja ka kapacitet të madh shantazhues dhe destabilizues. E papranueshme për një shtet normal dhe një bashkësi ndërkombëtare normale!

Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut dhe në Kosovë, pasojat për nivelin qendror: Pak para zgjedhjeve lokale në Kosovë isha në Kërçovë dhe Strugë. Në të njëjtën kohë mbaheshin zgjedhjet lokale edhe në Maqedoni të Veriut ku për zgjedhje lokale garonin dy koalicione; LSDM-ja dhe BDI-ja, në njërën anë dhe VMRO – Aleanca, në anën tjetër. Me Tahir Zhidovin, vëllaun e të ndjerit Orhan Hani me të cilin isha në shkollë të mesme në Prishtinë, u takuam në Llogorin e Stara Gradishkës në Kroaci, si të dënuar politikë e që pastaj këtë miqësi e vazhduam deri më sot. Tahiri ka një ndjeshshmëri të stërholluar politike ku çdo gjë sillet dhe pështillet te interesi kombëtar ku Tahiri nuk bënë lëshime me asnjë kusht. Kjo mbase ka qenë përcaktuese që nuk i ka arritur majat e pushtetit sepse, as nuk ka qenë e as nuk bëhet konformist apo përshtatës për arritje të qëllime që i shërbejnë për të fituar apo gllabëruar poste politike. Biseduam për gjasat që i kanë subjektet politike shqiptare në zgjedhje lokale dhe ai, si anëtar joortodoks i BDI-së tha se BDI-ja ka përparësi para partive tjera shqiptare dhe se do të fitojë komunat shqiptare. Shpresonte se edhe LSDM-ja, si partner koalicioni në nivel qendror por edhe lokal do ta përkrahë BDI-në. Vërejtja ime ishte, jo të BDI-në por te LSDM-ja sepse isha i sigurt se në këto zgjedhje VMRO-ja do të ketë rritje të ndjeshme e që nënkupton pakësimin e përkrahjes së BDI-ja nga një partner i dobësuar siç është LSDM-ja. Ashtu edhe doli. Tash është e qartë se VMRO-ja ka fituar 60,000 vota më shumë se LSDM-ja dhe duket se LSDM-ja e ka humbur legjitimitetin qeverisës. Hipotetikisht e që lehtë mund të jetësohet nëse BESA i tërheq katër deputetë nga Sobranja (Kuvendi) i Maqedonisë së Veriut, koalicioni qeverisës LSDM – BDI mbetet me 58 deputetë nga 120 deputetë sa i ka ky Kuvend e që nënkupton automatikisht ndërrimin e koalicionit qeverisës. Kjo ishte sa i përket Maqedonisë së Veriut. Po si mund të zhvillohen ngjarjet në Kosovë, do të merret vesh pas balotazhit, muajin që vjen.

Në Kuvendin e Kosovës janë 120 deputetë, 59 i ka LV-ja dhe 20 pakicat e që janë 79 e që konsiderohet si një koalicion i qëndrueshëm dhe stabil. Opozita nuk ka mundësi, as të provokojë rrëzimin e qeverisë e as zgjedhje të reja kurse proceset politike lehtësisht mund ta përmbysin situatën. Nëse LV-ja këmbëngul se nuk do ta formojë Zajebnicen në këtë formë dhe në këtë përmbajtje kurse Serbia dhe bashkësia  ndërkombëtare po insiston që Zajebnica të formohet pikërisht mbi këto baza, atëherë do të ketë zhvillime tjera. LS-ja ka paralajmëruar largimin nga të gjitha institucionet e Kosovës, nga Kuvendi dhe Qeveria e që nënkupton 10 deputetë më pak. Nëse tensionohet situata shkaku se palët do të barikadohen në qëndrimet që i kanë, bashkësia ndërkombëtare do të ndikojë që edhe deputetët e pakicave joserbe të largohen nga Kuvendi duke provokuar edhe rrëzimin e qeverisë përmes mocionit. Jam i sigurt se nëse ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë do ta luaj rolin që i kërkohet; një shetitje nëpër hapësiart e paeksploruara të Ambasadës amerikane në Prishtinë, bashkë me presidenten do të ndikojë që edhe deputetët e Vjosa Osmanit do të largohen nga kuvendi dhe koalicioni qeverisëse. Nëse amerikanët vlerësojnë se duhet të kërkohet diçka më tepër, një vizitë e presidentes në SHBA dhe një takim me presidentin Bajden, si baba të Asociacionit, jo që do ta bind presidenten që ta pranojë Asociacionin por do ta shndërronte në kundërshtar të Albin Kurtit. Prandaj, nëse bashkësia ndërkombëtare vlerëson se duhet të luftohet Albin Kurti, në mungesë të një kundërshtari kredibil dhe serioz, Vjosa Osmani është alternativa thuaja e vetme dhe e besueshme. Dhe, jam i sigurt se Vjosa Osmani do ta bënte këtë me kënaqësi të madhe. Do të harrohej sjellja e Vjosa Osmanit ndaj Hashim Thaçit kur do ta shihni se si do të sillej ndaj Albin Kurtit. Dhe këtë do ta bënte me pasionin më të madh. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Mirëpo, jam i sigurt se Albin Kurti i nuhatë shumë mirë dhe me kohë zhvillimet e proceseve e sidomos kur kanë të bëjnë me lëkurën e tij prandaj nuk do të lejojë që, të gozhduar ta bartin, sikur Krishtin nëpër Autostradën e Dhimbjeve – Via Doloressa për ta vendosur në kryqin me kurorë prej therrave të murrizit.

Albin Kurti do të tërhiqet duke provokuar zgjedhje të tjera. Albin Kurti ka plotësisht të drejtë për Zajebnicën por nuk ka fuqi ta kundërshtojë  dhe të vazhdojë të mbetet në pushtet. Nuk e lënë këta që po e duan Zajebnicen. Me një fjalë, fati politik i Albin Kurtit nuk varet nga rezultati i balotazhit por nga qëndrimi dhe vendimi i faktorit vendimmarrës ndërkombëtar se me cilin ekip duan ta përfundojnë lojën e arritjes së një Marrëveshjeje me Serbinë. Ndërkombëtarët nuk pyesin për çmim që duhet ta paguajë Kosova dhe duhet të kuptohet se ekipi amerikan diplomatik në Ballkan, në me krye ambasadorin Hill nuk ka ardhur këtu për t’i dëgjuar dëshirat e Albin Kurtit, Vjosa Osmanit apo Behxhet Shalës por kanë ardhur për të kryer punë e që është nënshkrimi i një marrëveshjeje me Serbinë, pasi që ta kenë themeluar Zajebnicën, baba i së cilës është Joe Bajden, president aktual i SHBA-ve. Dikush mund të më fajësojë për mungesë të vizionit, optimizmit dhe heqjes dorë nga qëndrimet e mia të forta kundër Zajebnices. Ka diçka të vërtetë këtu por e kam kuptuar se e drejta, edhe nëse është në anën tuaj, e është, pa asnjë dyshim, në mungesë të forcës kalon te ai që e ka forcën! Albin Kurti në rastin konkret është në pozitë, ose – ose, e pranon propozimin ndërkombëtar apo nuk e pranon, mundësi tjetër nuk ka. Për fat të keq, Albin Kurti është në pozitë vetëm të menaxhojë procesin e përpjekjeve për pakësimin e humbjeve dhe dëmeve që i kanë shkaktuar të tjerët, asgjë më tepër! Çdo përpjekje, vetëm sa do ta dobësojë pozicionin e Kosovës dhe humbjet do të jenë më të mëdha. Qofsha i gabuar në këtë fall që po e bëjë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtarja shqiptare, Semi Jaupaj, ka filluar të komentohet shumë për…