Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve varet nga puna që bëhet në QNR

22 shkurt 2021 | 11:23

Ende nuk dihet se kur mund të bëhet shpallja e rezultatit  përfundimtar nga Komisioni Qendrore i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, për faktin se shpallja e këtij rezultati varet nga puna që po bëhet aktualisht në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka folur për “Epokën e re” për proceset nga të cilat varet publikimi i rezultatit përfundimtar të këtyre zgjedhjeve. “Nuk ka një afat ligjor se kur duhet të bëhet shpallja dhe certifikimi i rezultateve përfundimtare. Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve bëhet i mundur pasi të kryhen disa procese në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, siç janë: skanimi i listës përfundimtare të votuesve, futja në sistem e të dhënave nga formularët për subjektet dhe kandidatët, vlerësimi i pakove me fletëvotime nga jashtë vendit, numërimi i votave me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga jashtë vendit, si dhe pasi të bëhen rinumërimet eventuale”, ka thënë Elezi.

Ai ka treguar se tani disa nga këto procese janë duke shkuar drejt fundit.

“Disa nga aktivitetet që po zhvillohen në QNR pothuajse janë në fund, siç është skanimi i listës përfundimtare i votuesve si dhe futja e të dhënave nga formularët e rezultateve të kandidatëve dhe subjekteve politike. Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke vijuar procesin e vlerësimit të rreth 43 500 pakove të supozuara me fletëvotime dhe selektimin e tyre, të cilat i kemi pranuar gjatë periudhës së votimit përmes postës. Ky proces verifikimi do të na ndihmojë që të japim përgjigje se sa është numri i saktë i fletëvotimeve nga jashtë vendit”, është shprehur Elezi.

Sipas tij, deri më tani janë trajtuar një pjesë e këtyre pakove dhe pas procesit të vlerësimit janë aprovuar më shumë se 16 000 zarfe me fletëvotime, ndërsa janë refuzuar 6 800 të tjera.  “Arsyet e refuzimit të tyre janë nga më të ndryshmet. Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 5 000, janë refuzuar për shkak se janë dërguar nga persona që nuk janë të regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe për shkak se janë dërguar nga persona që janë refuzuar në periudhën e aplikimit. Arsyet e tjera se përse nuk janë aprovuar kanë të bëjnë me faktet se ato janë dërguar nga votues të paidentifikuar (votim grupor), se në pakon që e kanë dërguar kanë bashkangjitur dokumente jovalide dhe se kanë dërguar fletëvotime më shumë se dy herë”, ka thënë Elezi.

Më tej, zëdhënësi i KQZ-së ka vlerësuar se shpallja e rezultatit përfundimtar nuk është duke u zvarritur. “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 2014 dhe 2017, kanë marrë pothuajse të njëjtën kohë për t’u përmbyllur. Nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim të rezultateve, KQZ-së i janë dashur 27 ditë më 2014 dhe 28 ditë më 2017. Numri i vendvotimeve të rinumëruara ka qenë 21 për qind – 22 për qind e vendvotimeve”, ka thënë ai, duke treguar arsyet se pse zgjedhjet e vitit 2019 kanë marrë më shumë kohë. “Ndërsa zgjedhjet e vitit 2019, nga dita e zgjedhjeve deri në certifikim janë përmbyllur brenda 53 ditëve. Në 2019-n procesi ka zgjatur më shumë për shkak të numrit të madh të vendvotimeve të rinumëruara, rreth 90 për qind e tyre apo 2 254 nga 2 547 vendvotime”, është shprehur zëdhënësi i KQZ-së.

Pas mbylljes së qendrave të votimit, ditën e zgjedhjeve, komisionarët në vendvotime numërojnë votat për subjektet politike dhe kandidatët për deputetë. Më pas, i tërë materiali zgjedhor dërgohet në Qendrën e Numërimit të Rezultateve (QNR), ku verifikohen të dhënat e dërguara nga qendrat e votimit. Në rast se ka mospërputhje në rezultatet e formularëve me votat në kuti ose ka dyshime për parregullsi, atëherë materialet vendosen në karantinë dhe më pas nis procesi i verifikimit. Këto janë procedura që marrin kohë.

Zyrtarët kanë konfirmuar se nga zgjedhjet e 14 shkurtit, në karantinë janë vendosur 101 kuti votimi.

Pas sqarimit të paqartësive eventuale, atëherë nis procesi i verifikimit dhe numërimit të votave me kusht dhe të atyre të ardhura me postë nga diaspora. Edhe ky proces merr disa ditë kohë. Sipas rezultatit preliminar të KQZ-së, në zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.85 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.41 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.08 për qind të votave, ndërkaq Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 7.43 për qind të votave. Në këto zgjedhje kanë marrë pjesë shumë se 830 mijë qytetarë.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se gjysma e punëdhënësve në Britani të Madhe…