RIFATI, HAMZA DHE ADEMI

15 qershor 2020 | 11:23

Bedri Islami

Lavdia u takon atyre që flijohen për vizione të mëdha (6)

Rifati është vëllai i tyre i madh. Nuk jeton në Kosovë. Prej vitesh është detyruar të jetë larg familjes. Banon në qytetin e Munihut dhe kujdeset që familjes së tij të mos i mungojë asgjë. Ata e duan, e dinë se në trungun e tyre familjar ai është vazhdimi i familjes dhe i fisit, por edhe kanë mbështetur shpatullat tek ai. I kanë mbështetur si në një shkëmb të sigurt. E dinë fare mirë se është i njëjti brumë lufte, rrethanat e kanë shtyrë larg vendlindjes, por nuk ia kanë bjerrë tiparet.

Për të shkuar deri në shtëpi i duhet t’i kalojë tre shtete. I kishte thënë dikur i ati i tij, Shabani, se “qysh po shkon aq larg, a e di se duhet tri shtete me i kalue për me mbërri atje?”, por nuk kishte pasur rrugë tjetër.

Rifati është diçka në mes të Ademit dhe Hamzës, ai është pikëbashkimi i tyre. Është më i qetë, ka vështrimin e ngulitur të Jasharëve, fjalët i ka të avashta, dashamirëse. Askush nuk ndihet i larguar prej tij.

I larguar nga shtëpia, por i lidhur me të. I mërguar, por më rrënjëzim në vendin e tij. Rrugëtimet e tij kalojnë nëpër tri faza: legal, gjysmë legal, herë pas here krejtësisht ilegal. Është pjesë e familjes dhe e bën detyrën e tij. Është, si të thuash, zëri i vëllezërve në mërgim, por jo vetëm kaq, është më tepër, është pjesë e asaj që ndodh në Kosovë. Është magjja nga ku fillon e gatuhet lufta, pasi shumica e mjeteve luftarake kanë në themel djersën e tij. Bart materiale ilegale nga perëndimi në Kosovë, dhe kur vjen koha, atëherë kur duhet, shtyn më tej urët e rezistencës. Troket në disa dyer për të gjetur mbështetje, ndonjëra i hapet, por është e vaktë, ndonjëra i hapet përgjysmë, ndonjëra, ajo që ka më shumë, nuk i hapet fare. Atëherë hap kat më kat portat e tij, gjen mbështetje tek Fehmi Lladrovci më shumë se tek kushdo tjetër, dhe nuk thotë kurrë se ishte ai. Qëndron në heshtje, për shumë e shumë vite qëndron kështu, deri sa gjërat bëhen të ditura nga të tjerët.

Kur rri me të, njeriu e ndjen se po rri më mirë se me vetveten. Ndoshta kjo është një dukuri e Familjes, por e rëndësishmja është se ndjehesh i sigurt, i qetë, e di se në fund të fundit, e gjithë ajo që ka ndodhur, ka ecur edhe përmes këtij njeriu të urtë.

Është një treshe vëllezërish që bëjnë një plotësi të jashtëzakonshme.

Në dhjetorin e vitit 1991 kthehet për pushime në familjen e tij. Do të jetë hera e fundit që do të udhëtojë legalisht, deri në qershorin e vitit 1999. Në shtëpi janë tre vëllezërit, prindërit, familjet e tyre. Do të jetë ndër çastet e fundit që do të jenë legalisht të gjithë së bashku. Kishte pak kohë që Ademi ishte kthyer nga stërvitjet ushtarake në Shqipëri. Ndërkohë në Kosovë kishin filluar arrestimet. Shumica e atyre që ishin stërvitur në një qendër stërvitore në Malin e Dajtit, ose kishin rënë në pranga, ose kishin marrë rrugën e mërgimit. Disa kishin dorëzuar armët dhe kishin qëndruar në heshtje, disa i kishin fshehur armët në mal dhe kishin pritur një kohë tjetër.

Ademi kishte thënë se “armët nuk i kishte marrë as për t’i fshehur në mal, as për të ja dorëzuar Serbisë, por për ta luftuar atë”. Kjo kishte qenë e kuptueshme për të gjithë ata që e njihnin dhe e papritur për ata që e kishin ndërtuar gjithë këtë përgatitje si një lojë. Do të ishte njëri ndër përjashtimet e rralla. Përjashtimi tjetër do të ishte ai i Zahir Pajazitit të Llapit, por ata do të ishin dy vargmale, që megjithëse e shohin nga larg njëri tjetrin dhe ia dëgjojnë ushtimën e ortekëve kah bien, nuk kanë rast të takohen me njëri tjetrin.

Jasharët janë rrethuar tri herë nga forcat e stërmëdha serbe. Me to ka ndodhur si me rrethimet e Krujës.

Rrethimi i parë do të ndodhë në natën e 30 dhjetorit 1991. Është parathënia e luftës që do të vinte. Deri atëherë, në odat e burrave të Drenicës ishte diskutuar disa herë, “a po bëhet me pendë, a po bëhet me pushkë pavarësia e Kosovës”. Pas 30 dhjetorit 1991, nga të parët, Jasharët, e ndanë mendjen se fjalën do e kishte pushka. E kishin ditur edhe më parë një gjë të tillë, kishin pasur një shpresë të vakët se mund të ndodhte edhe ndryshe, kishin dashur t’u besonin atyre që po quheshin institucione, mirëpo 30 dhjetori do të tregonte se, megjithëse do të kishte njerëz që mund të tentonin të ndalnin luftën, ajo do të vinte.

Për rrethimin e parë kam shkëputur një pjesë nga rrëfimi i Rifat Jasharit. Është një rrëfim në vetën e parë, por që i përfshin të gjithë…Ajo që më ka bërë përshtypje, që ditët kur e kam dëgjuar për herë të parë këtë histori, jo nga Jasharët, por nga Ramiz Lladrovci, është hapja e rrethit të qëndresës, mënyra se si shtrihet ai, nga njëra dhomë në tjetrën brenda familjes, nga njëra kullë në tjetrën brenda Fisit, nga njëra lagje në tjetrën brenda fshatit, dhe nga njëri fshat në tjetrin brenda Drenicës. Në se do të kishte zgjatur më shumë, pra në se nuk do të kishte ndodhur tërheqja e forcave serbe, mund të kishte ndodhur shtrirja nga njëra krahinë në tjetrën, brenda Kosovës. Por mund të ishte e parakohshme dhe njëkohësisht fatale. Lisat kanë kohën e vet.

Në rrethimin që do i bëhej Tahir Mehës dhe babait të tij, 10 vite më parë, po në Drenicë, lëvizja rrethore do të jetë pak ose fare pak e dukshme. Ndoshta edhe nga fakti se rrethuesit, krahas policëve serbë, ishin edhe shqiptarë. Jasharët do të jenë ndër ato që do të lëvizin në krah të Mehajve, por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme. Në 30 dhjetor 1991 ndodh diçka krejt tjetër, ndodh një lëvizje që ka një përhapje jashtëzakonisht të shpejtë, mali vjen e mbushet me njerëz të armatosur, nuk dihet më se kush është prekazali e kush është drenicak, kush është mik e farefisni, e kush është i  panjohur.

RRËFIMI I RIFAT JASHARIT PËR NATËN E 30 DHJETORIT

… Arrestimet së pari fillojnë në Deçan, në disa lagje e fshatra të kësaj komune… për t’u zgjeruar pastaj edhe në rajonin e Prishtinës, atë të Klinës etj.

Erdhën dy djem të Klinës së Poshtme dhe e kërkuan Ademin. Ishte 30 dhjetor. Ata ishin të përfshirë në organizim. Filluan të më tregojnë se policia kishte tentuar t’i arrestonte. Ata kishin ardhur të kontaktonin me Ademin për të ditur se çfarë duhet bërë më tutje.

Kur erdhi Ademi, i tregova për këtë dhe ai me shokë u tubuan shpejt në kullën tonë.

Pastaj biseduam me babën Shaban, me Ademin e me Hamzën se çka të bëjmë më tutje. Vetëm për sekonda bëhet fjalë deri sa policia serbe të vijë tek ne, u thashë unë, ndërsa Ademi, duke qeshur më tha: Jo, nuk vijnë, nesër është Viti i Ri, ditë tregu dhe pretojnë me ardhë”. More, i thashë, veç momenti pritet. “Ku po mërzitesh për këtë punë”, më tha Hamza. Unë e kisha një parandjenjë dhe më dukej se veç po i shihja të rreshtuar policët serbë. U thashë se nuk ua kisha frikën fare atyre, por nuk doja të na zënë në gjumë. Nuk po vijnë jo “- këmbëngulte Ademi”, ndërsa unë këmbëngulja në timen: “Pasha Zotin, veç sa nuk po i shoh rreth oborrit”.

-“Hajt shko fli e mos u bëj merak”, ma ktheu Ademi, dhe më urdhëroi që të shkoja për të fjetur.

U përshëndetëm dhe shkova të fle. Sa më kishte zënë gjumi, Ademi trokiti ngadalë në derë, duke më thënë: Çou Rifat se u rrethuam…”

Unë mendoja se ai kishte diktuar diku larg policinë serbe se ishte duke ardhur në Prekaz dhe nuk nxitova fare, ndërsa ai më tha se po shkonte t’i bënte zë babës. Dy herë ka shkuar tek plaku dhe është kthyer kah unë, duke më thënë “çou më, çka po bën”. I kam thënë hajt se deri sa të vijnë ata, unë bëhem gati, ndërsa Ademi ma ktheu shkurt: “Te trafoja në rrugë janë”.

Është zgjuar edhe Hamza, dhe më tha, “gati jemi”. Ndërsa unë vesha një pallto dhe mora një palë këpucë të këqija në këmbë dhe për disa sekonda kemi nxituar që t’i marrim pozicionet.

Dolëm kah ana e epërme e oborrit dhe e ndezëm luftën me ta. Hamza ishte në një pozicion afër një dardhe në oborr, unë kisha zënë një pozicion në skaj të oborrit, pikërisht aty ku me 6 mars 1998 ka rënë Fitimi, duke luftuar me mitraloz, ndërsa Ademi kishte zënë një pozicion tjetër. I thashë: “O djalo, vepro me shumë mend se mos janë futur në brendi të oborrit te kulla”, ndërsa Ademi më tha: “Veç mos e lësho frontin aty”. Kur Ademi iu afrua kullës për t’ua zënë aty pritën policëve që të mos depërtojnë brenda, ata kishin qenë duke hyrë në oborr. Menjëherë ka hapur zjarr mbi ta, duke i sharë në atë serbishten që e dinte fare pak: “Kur po shkoni he nanën e çetnikëve ua…” u ka bërtitur atyre dhe për nja 4-5 minuta aty i ka shkuar flakë e verdhë.

Unë e kam ndërruar pozicionin dhe kam dalë më poshtë, ndërsa me vete i kisha disa bomba, një revole dhe automatikun. E bëja me mend, nëse arrij t’i shkrep të gjitha këto, puna nuk do të ishte keq.

Pasi i zmbrapsi policës që donin të futeshin në oborr andej nga kulla, Ademi u kthye te unë dhe më pyeti:

– A të mori ndokund?

– Jo, i thashë dhe e pyeta se mos e kishte kapur ndonjë plumb atë?

– Këtu më është nxehur pak, tha ai, duke treguar kah brezi.

Kur ia hoqa këmishën, nuk kishte pasur gjë serioze, ndërsa në ato momente, në rrugë u ndez automjeti i ndihmës së shpejtë. E paska hëngër dikush prej tyre, i thashë Ademit.

U ngjita në kullë dhe përmes dritareve të saj i vërejta policët, të cilët iu kishin veshur muret poshtë, por nuk guxonin të bëjnë hapa e të provojnë të futen në oborr. Biseduam shpejt e shpejt me Ademin dhe vendosëm të depërtojmë në anën e kundërt, andej nga lagjja e Lushtakëve….

…Ishte një pjesë nga rrëfimi i Rifat Jasharit. Ishte 30 dhjetor i vitit 1991. Fund viti dhe fillim lufte. Do të jetë hera e fundit që luftojnë së bashku. Nuk do të kenë rast tjetër, megjithëse lufta i kishte trokitur herët në portat e kullave të tyre. Prej kësaj date edhe ai do të jetë ilegal në shtëpinë e tij, herë pas here do të kthehet aty nëpër natë, i shoqëruar nga miqtë dhe shokët, shumë prej tyre ilegalë, si ai. Do të kthehet gjithnjë me ndjenjën e mallit, fillon e ndjen mbi vete peshën e mos qenies së tij së bashku me vëllezërit, mendon të mos kthehet më, në atë vend të huaj, pas më shume se tre shtetesh tashmë, Bisedon me vëllezërit. Mendjen dhe shpirtin e ka tek shtëpia dhe njerëzit e tij. E di krejt mirë se tash ka ardhë një kohë tjetër, se asgjë nuk do të jetë si më parë, se dy vëllezërit e tij e duan edhe një krah më shumë, mirëpo fjala e tyre është e paktë dhe e saktë, “A e bën mend se 30 anëtarët e tjerë të familjes duhet të mbahen”.

Është kohë e vështirë. Vëllezërit do ta duan përherë ndihmën e tij, ai do e ndjejë përherë mungesën e tyre. Është një kohë që përmes telefonit shtohet malli, shtohen pikëpyetjet, ai nuk e di më se ku kanë bujtur vëllezërit e tij, tashmë ilegalë, që nga 30 dhjetori 1991 dhe deri në ditën e 7 marsit 1998,  cila është vatra që i ka dhënë zjarr, konaku ku kanë rënë, por e di krejt mirë se cilido të jetë ai, është për të mirë.

Do i kujtohet shpesh, se pas natës së 30 dhjetorit, u hapën për to dhjetëra e dhjetëra shtëpi.

Vëllezërit e tij u strehuan tek Shaban Shala, në Negrovc. Afër Shaban Shalës është një familje, ajo e Krasniqëve. Dy vëllezër janë aty. Ajeti dhe Shefqeti. Nana e tyre, me sa i kujtohej, e kishte emrin Hanë. Një plakë e dashur, që i ngjante shumë nanës së tyre. Djemve të Prekazit u lëshon dhomën e nuses.

E brente meraku Ademin se mos iu bante barrë këtij konaku, nuk ishte një ditë a një natë, nuk ishin një a dy njerëz. Kishte merak se mos e pësonin prej tij, nuk kishte dashur kurrë që asnjë fije floku t’i binte dikujt për shkakun e tij. I dhëmbshur me njerëzit si ai, i kujdesshëm deri në dhimbje.

Po i thote Ademi njerëzve të shtëpisë dhe shokëve të tij se, po due me shkue në Prekaz, të kthehemi në shtëpi, nuk due të rrezikoheni për mue“. Ishte diku një javë pas lufte.

Po i thotë nanë Hana se, çfarë të keni ju , unë ju a dërgoj. Qoftë fjalë, a qoftë letër. Jam plakë nuk dyshon kush tek unë. Prekazi qe, tek asht, as 30 kilometër nuk i ka. Unë e di se kush jeni. Shtëpia ime asht shtepia juej, djemtë e mi janë vëllezërit tuaj. Veç një punë nuk ua kisha ba hallall. Nëse vjen shkau e në këtë kullë mbesin dy gurë nji mbi nji. Për luftë i shkojmë deri në fund. Në mbetë kulla në kambë e ju e leni luftën, atëherë jena koritë e hallall nuk ju a baj. Për të tjerat mos kini merak.

Tre vëllezërit do të kenë rrugë të gjatë për të bërë me njëri tjetrin.

(Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 03/L-214 për Vlerësimin e…