
Rihapen shtëpitë publike në Greqi, 15 minuta për çdo klient
Greqia ka regjistruar relativisht pak raste me koronavirus. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në Greqi janë konfirmuar 3 148 raste dhe 185 vdekje, derisa qeveria tashmë ka lejuar që bizneset të rihapen dhe të lejohet udhëtimi në gjithë vendin.
Që nga e hëna, autoritetet gjithashtu kanë lejuar edhe shtëpitë publike të rihapen, por me një manual të rregullave strikte.
Vizitat janë të kufizuara në 15 minuta për çdo klient, derisa maskat janë të rekomanduara njëlloj për punëtorët dhe klientët, transmeton Klan Kosova.
Dyert dhe dritaret duhet të mbahen të hapura në mënyrë që të futet ajri i pastër, pagesa duhet të bëhet vetëm me kartela dhe jo me para kesh, ndërsa shtëpitë publike obligohen që të mbajnë një listë të klientëve – bashkë me emrat dhe numrat e tyre të telefonit, në një zarf të mbyllur për katër javë, në rast se autoritetet shëndetësore kanë nevojë që të gjurmojnë rastet e të infektuarve të mundshëm.
Shtetet e tjera po e konsiderojnë që të lejojnë përsëri punën e seksit. Qeveria e Holandës planifikon që të rihapë shtëpitë publike më 1 shtator, megjithëse ka pasur thirrje që një gjë e tillë të ndodhë më herët.
Punëtorët e seksit në gjithë botën kanë frikë për të ardhurat e tyre në mes të shpërthimit të virusit, derisa disa prej tyre janë detyruar që të punojnë edhe gjatë gjithë kohës së pandemisë për të përmbushur detyrimet e tyre.