Rikthim pas 6 vitesh, Kim Jong Un niset drejt Kinës me trenin e blinduar

01 shtator 2025 | 17:43

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, u nis nga Pheniani me tren të hënën drejt Pekinit, duke përdorur një formë të ngadaltë por të specializuar të transportit që udhëheqësit e këtij vendi të izoluar e kanë përdorur prej dekadash.

Agjencia e lajmeve Yonhap raportoi se lideri i Koresë komuniste do të marrë pjesë në një paradë ushtarake në përkujtim të dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

Ky është një udhëtim i rrallë i Kim Jong-un jashtë vendit të tij të izoluar për pjesëmarrjen e tij të parë në një ngjarje të madhe diplomatike shumëpalëshe, pas rreth 6 vitesh. Kim pritet të mbërrijë në Pekin të marten dhe ai pritet të takohet edhe me Presidentin rus Vladimir Putin, me të cilin ka krijuar një marrëdhënie të ngushtë vitet e fundit.

Nuk është e qartë se cilin tren Kim ka përdorur, por në të kaluarën ai ka lëvizur me trena të blinduar që ofrojnë një hapësirë më të sigurt dhe më komode për një shpurë të madhe, roje sigurie, ushqim dhe lehtësira të tjera, si dhe një vend për të diskutuar agjenda përpara takimeve.

Që kur mori pushtetin në fund të vitit 2011, Kim ka përdorur trenin për të vizituar Kinën, Vietnamin dhe Rusinë.

Çfarë ka brenda trenit të blinduar?

Nuk dihet saktësisht sa trena kanë përdorur udhëheqësit e Koresë së Veriut ndër vite, por Ahn Byung-min, një ekspert jugkorean për transportin në Korenë e Veriut, ka thënë se për arsye sigurie përdoren disa trena. Sipas Ahn, këta trena kanë nga 10 deri në 15 vagonë secili, disa prej të cilëve janë vetëm për udhëheqësin, si p.sh. një dhomë gjumi, ndërsa të tjerët mbajnë roje sigurie dhe staf mjekësor.

Ata zakonisht kanë edhe hapësirë për zyrën e Kim-it, pajisje komunikimi, një restorant, dhe disa vagonë për transportimin e makinave, përfshirë dy Mercedes të blinduara.

Një video e publikuar në vitin 2018 nga televizioni shtetëror i Koresë së Veriut tregonte Kim-in duke u takuar me zyrtarë të lartë kinezë në një vagon treni të rrethuar me kolltuqe rozë.

Videoja tregonte gjithashtu një zyrë brenda vagonit me tavolinë dhe karrige, dhe me një hartë të Kinës dhe gadishullit Korean në mur.

Ndërkohë në vitin 2020, televizioni shtetëror tregoi pamje të Kim-it në një tren duke vizituar një zonë të goditur nga tajfuni, duke ofruar një pamje të një vagoni të dekoruar me ndriçim në formë lulesh dhe karrige me dizajn me lëkurë zebre.

Në librin e vitit 2002, “Orient Express”, zyrtari rus Konstantin Pulikovsky përshkruante një udhëtim tre-javor drejt Moskës me Kim Jong Il, babain dhe paraardhësin e Kim Jong Un-it. Në atë tren, sipas librit, shishe vere Bordeaux dhe Beaujolais silleshin me avion nga Parisi, ashtu si dhe karavidhe të freskëta.

Si e kalon kufirin?

Kur Kim Jong Un udhëtoi me tren drejt Rusisë, përfshirë edhe në vitin 2023 për një samit me Presidentin Vladimir Putin, pjesët e nënvagonëve të trenit duhej të rikonfiguroheshin në një stacion kufitar për shkak se të dy vendet përdorin gjerësi hekurudhore të ndryshme, thotë Ahn.

Ndërsa për Kinën nuk ka nevojë për këtë ndryshim, një lokomotivë kineze tërheq trenin sapo ai kalon kufirin, sepse një inxhinier lokal njeh më mirë sistemin hekurudhor dhe sinjalistikën, tha Kim Han-tae, një ish-inxhinier hekurudhash nga Koreja e Jugut që ka shkruar një libër mbi hekurudhat e Koresë së Veriut.

Për të udhëtuar në samitet e mëparshme me Xi Jinping, treni i posaçëm i Kim-it është tërhequr zakonisht nga lokomotiva të gjelbra DF11Z të prodhimit kinez, që mbajnë stemën e Korporatës Shtetërore të Hekurudhave të Kinës, me të paktën tre numra të ndryshëm regjistrimi, sipas një analize të imazheve të mediave.

Ahn thekson se numrat serialë janë zakonisht 0001 ose 0002, gjë që sugjeron se Kina i vë në dispozicion lokomotiva të rezervuara për zyrtarët më të lartë.

Dhe kur Kim udhëtoi përmes Kinës drejt samitit të vitit 2019 me Presidentin amerikan Donald Trump në Vietnam, treni i tij u tërhoq nga një lokomotivë kuq-e-verdhë me logon e hekurudhave kombëtare të Kinës. Treni mund të arrijë shpejtësi deri në 80 km/h në rrjetin kinez, krahasuar me maksimumin prej rreth 45 km/h në shinat e Koresë së Veriut, tha Ahn.

Kush i përdor këta trena?

Udhëheqësi themelues i Koresë së Veriut, Kim Il Sung, gjyshi i Kim Jong Un-it, udhëtonte rregullisht jashtë vendit me tren gjatë sundimit të tij deri në vdekjen në vitin 1994.

Kim Jong Il përdorte vetëm trena për të vizituar Rusinë tre herë, përfshirë një udhëtim prej 20,000 km drejt Moskës në vitin 2001. Ai vdiq nga një sulm në zemër në fund të vitit 2011 gjatë një udhëtimi me tren dhe vagoni i tij tani ndodhet në mauzoleumin e tij.

Treni është bërë pjesë qendrore e propagandës shtetërore rreth familjes Kim, e cila, sipas tyre, ndërmerr udhëtime të gjata me tren për t’u takuar me qytetarët e zakonshëm në mbarë vendin.

Në vitin 2022, televizioni shtetëror tregoi Kim Jong Un-in duke ndërmarrë atë që e quajti një “turne të lodhshëm me tren” nëpër Korenë e Veriut për të inspektuar të mbjellat e misrit dhe për të promovuar një “utopi komuniste”. (A2)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ALTRONIC ENTERPRISE SHPK, shpall te pavleshme certifikaten e biznesit me…