
Rikthimi i KFOR-it në pikat kufitare kthen epokën e Rezolutës 1244
Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Adri Nurellari, ka kritikuar kryeministri Albin Kurti për qasjen ndaj dialogut Kosovë-Serbi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se fillimisht kryeministri kishte thënë se ky proces nuk është prioritet për Kosovën, kurse tani ai po thotë se dialogu është e vetmja alternativë për të zgjedhur problemin me Serbinë.
Nurellari ka vlerësuar vetëm pas dushit të ftohtë nga partnerët ndërkombëtar për veprimet në veri, kryeministri e ka kuptuar nevojën e dialogut.
Sipas tij, kjo qasje e Kurtit ka shkaktuar regres jo vetëm në nivel të politikës së jashtme, por edhe në kuadër të politikës së brendshme.
“Policia e Kosovës ka qenë në gjendje të administrojë pikat e kalimit të Kosovës pa praninë e KFOR-it pasi trupat e KFOR-it më Policinë e Kosovës në qershor të 2011 zhbllokuan rrugët në veri nga barrikadat e vendosura me herët. Rikthimi i KFOR-it për të kontrolluar pikat kufitare kthen shijen e hidhur të epokës së rezolutës së 1244-ës të para shpalljes së pavarësisë. Regres!”, ka shkruar Nurellari.
Postimi i plotë i Nurellarit:
Fillimisht deklarata ishte që dialogu nuk ishte aspak prioritet e madje mund të bënim pa të sepse Kosova është në rregull pa dialog me Serbinë.
Tashmë na del që dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet me Serbinë. Me sa duket u desh kjo aventurë e tij dhe dushi i ftohtë i ardhur nga departamenti i shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë për të marrë një leksion e kuptuar nevojën e dialogut. Pikërisht atë proces me të cilin deri dje është tallur dhe e ka instrumentalizuar në mënyrë populiste për të marrë vota.
Kryeministri ka vendosur për të mësuar vetëm duke e pësuar pasi ka gabuar. Mirëpo këto leksione të politikës po i kushtojnë shumë Kosovës sepse nga njëra anë po dëmtojnë rëndë raportin e mirëbesimit me aleatët tanë. Nga ana tjetër e kanë bërë ndërkombtarisht të pranueshme e të justifikueshme rikthimin e tankeve dhe avioneve serb në kufirin e Kosovës, në shkelje të zonës tampon të sigurisë të parashikuar prej Marrëveshjes së Kumanovës.
Gjithashtu, ky “leksion” i hidhur ka shkaktuar regres jo vetëm në nivel të politikës së jashtme por edhe në kuadër të politikës së brendshme sepse për herë të parë pas 9 vjetësh është bërë e nevojshme kthimi i KFOR-it në vend-kalimet kufitare të Kosovës.
Policia e Kosovës ka qenë në gjendje të administrojë pikat e kalimit të Kosovës pa praninë e KFOR-it pasi trupat e KFOR-it më Policinë e Kosovës në qershor të 2011 zhbllokuan rrugët në veri nga barrikadat e vendosura me herët. Rikthimi i KFOR-it për të kontrolluar pikat kufitare kthen shijen e hidhur të epokës së rezolutës së 1244-ës të para shpalljes së pavarësisë. Regres!