
Rinovimi në Klinikën e Syve në QKUK përmirëson cilësinë dhe qasjen në shërbime oftalmologjike
Reparti i diagnostikës në Klinikën e Syve, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka marrë pamje të re. Rinovimi konsiderohet të jetë i një rëndësie të veçantë drejt përmirësimit të cilësisë dhe qasjes në shërbimet oftalmologjike në vend.
Drejtori i klinikës, Mentor Gorani thotë për KosovaPress, se përveç investimeve në infrastrukturë, janë blerë edhe pajisje të avancuara për diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve të syrit.
Sstatistikat për gjashtëmujorin e parë të vitit tregojnë për një rritje të ndjeshme të aktiviteteve kirurgjikale dhe trajtimeve të avancuara brenda klinikës. Vetëm në këtë periudhë, janë kryer më shumë se njëmijedyqind (1200) operacione të kataraktës.
Gorani, për KosovaPress ka përmendur aparaturat e reja dhe funksionin e tyre, të cilat kanë mundësuar që të rritet numri i shërbimeve dhe përmirësimi i kualitetit të diagnostikimit në klinikën e syve.
“Ky renovim ka shkuar paralel edhe me blerjen e pajisjeve të nevojshme për ekzaminime oftalmologjike të cilat kryhen këtu si dhe disa ekzaminimeve më të rejat të cilat kemi arritur t’i kemi në klinikë si topografia korneale, ekzaminimi i retinopatisë të permaturëve me aparaturë më moderne me redcam me oftalmoskopë indirekte, OCT-ja e përparme e pasme. Të gjitha këto kanë mundësuar që të rritet në një anë numri i shërbimeve të reja dhe në anën tjetër edhe numri i shërbimeve në përgjegjësi dhe përmirësimi i kualitetit të diagnostikimit në Klinikën e Syve”, thotë Gorani.
Përveç rritjes së cilësisë së shërbimeve, Gorani flet edhe për përmirësimin në menaxhimin e listave të pritjes për disa patologji oftalmologjie.
Në patologjinë për kataratë lista e pritjes është rreth gjashtëqind raste, kurse për strabizëm dhjetë- pesëmbëdhjetë persona.
Një rezultat tjetër i madh, sipas drejtorit të klinikës, është edhe zvogëlimi i numrit të pacientëve që janë dërguar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, nga pesëqind (500) deri në shtatëqind (700) raste të pacientëve në vitin 2019, sot rreth njëqind (100) raste.
“Kemi arritur ta zvogëlojmë listën e pritjes dhe vetëm për dy patologji për kataratë ku lista e pritjes është përafërsisht rreth 600 raste ku presin prej pesë deri në gjashtë muaj, kurse për strabizëm lista është shumë e reduktuar diku rreth dhjetë-15 pacientë të cilët kryhen brenda dy muajve, ndërsa për patologji të tjera nuk kemi lista të pritjes… Ne kemi arritur edhe një rezultat tjetër shumë të madh gjatë viteve, deri në vitin 2019 ka pasur rreth pesë qind deri shtatë qind raste të pacientëve të cilët ne i kemi referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, e cila ka pasur një kosto jashtëzakonisht të madhe dhe ky numër ndër vite është zvogëluar, tani e kemi përafërsisht rreth një qind raste”, thotë Gorani.
Gorani tregon se cilat operacione janë kryer në këtë gjashtë mujor në Klinikën e Syve.
“Në gjashtë mujorin e parë të këtij viti në Klinikën e Syve janë kryer më shumë se një mijë e dy qind operacione të kataraktës respektivisht me fakoemulsifikimin, apo në popull njihet me llaser. Pastaj rastet e vitrektomisë, që është numri rreth dyqind raste të ndryshme. Mund të përmendim si trajtimet e Croslinking ku i kemi diku rreth më shumë se dyzet raste, vlen të përmendet edhe aplikimet intravitreale, ku kemi disa preparate të cilat i aplikojmë qe dymbëdhjetë vjet në Klinikën e Syve, sivjet është numri diku më shumë se dy mijë raste, të cilët kanë marrë aplikime të preparateve të ndryshme, nga bevacizumab, brolocizumab, faricimab”, ka shtuar ai.
Klinika ka një kapacitet prej pesëdhjetetetë (58) shtretër dhe vazhdon të përmbushë kërkesat në rritje për shërbime shëndetësore oftalmologjike.
“Në Klinikën tonë janë pesëdhjetë e tetë shtretër, në të cilin numri i pacientëve të shtrirë ka qenë rreth dy mijë, me ditë shërimi rreth nëntë mijë, numri i operacioneve dhe shërbimeve ambulantore ka qenë një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë e katër. Kisha shtuar operacionet antiglaukomatoze, i kemi diku rreth dyzet dhe këto operacione bëhen në disa metoda dhe në disa mënyra dhe me përdorimin edhe të elementeve tjera, të shanteve e kështu me radhë. Operacionet e Strabizimit më shumë se njëzet, operacionet e kanaleve të lotit, laser asisti dakirosist rinostomi është numri gjashtëdhjetë e pesë, vizitat ambulantore dhe konsultative që janë diku nëntëmbëdhjetë mijë, të cilat janë realizuar në këtë periudhën pesë mujor në Klinikën e Syve”, thotë ai.
Në këtë klinikë janë rreth njëzeteshtatë (27) mjekë specialistë në reparte të ndryshme dhe pesëdhjetë infermierë, për çka Gorani thotë se për shkak të numrit të madh të rasteve që trajtojnë nevojitet staf i ri. /KP/