
Rishikim i librit “Kritika e Mendjes Politike” nga Zlatko Kramarić
Besfort Rrecaj
Isha i lumtur ta merrja në duar librin e autorit Zlatko Kramaric me titull “Kritika e Mendjes Poitike nga miku im i ngushtë dhe shumë i respektuar Prof. Safet Gërgjaliu. Një ditë vjeshte ne u takuam rastësisht në një rrugë në qendër të Prishtinës dhe më tha se i kishte disa kopje të librit dhe se një e kishte planifikuar për mua që të ma japë që ta lexoj dhe të japë një rishikim të librit për audiencën në Kosovë. Edhe pse ishte një kohë mjaft e ngarkuar me angazhimet e mia në fakultet dhe jashtë tija, megjithatë u fokusova në libër sepse tashmë ia kisha dhënë fjalën mikut tim se do të përgatitja diçka për këtë ngjarje. E fillova leximin dhe e përfundova me një frymë. Megjithatë më duhet të them se libri është i paraparë për persona të cilët tashmë kanë një dijeni të mirë të ngjarjeve dhe personazheve të librit. Rrjedhimisht një person me njohuri mesatare mund të hasë në vështirës në të kuptuarit dhe rrjedhshmërinë e ngjarjeve. Ndërsa dëshira ime do të ishte që ky libër të ishte i përpunuar për një audiencë më masive sepse trajton çështje të rëndësishme historike, politike e ligjore.
Synimi i z. Kramaric në librin e tij është që të reflektojë mbi disa momente të rëndësishme historike dhe në mënyrë se si ishin portretizuar ato nga disa autorë që nga dikush edhe janë quajtur si autorë të mëdhenj. Dhe duket qe nga një këndvështrim edhe vete autori, si në rastin e Noam Chomsky, paraqet një disonancë konjunktive në kuptimin që nga njëra anë e kundërshton qëndrimin e tij (Chomskyt) mbi Jugosllavinë dhe rolin e perëndimit karshi këtij shteti deri tek bombardimet e NATOs ndaj Serbisë në vitin 1999 etj., ndërsa në anën tjetër e pohon se është një autor i madh duke e zbutur atë, megjithatë, në një mëkatar njerëzor të një bote ku edhe më të mëdhenjtë gabojnë. Ndoshta autori do të duhej të kishte guximin për të theksuar se edhe shumë teori të tjera politike/kulturore e hermeneutike të Chomskyt hapin më shumë dilema se sa që ofrojnë ndonjë zgjidhje të caktuar. Në fund të fundit, këndvështrimet e Chomskyt në përgjithësi shihen si vështrime kritike dhe nganjëherë shumë larg ofrimit të zgjidhjeve reale që është ajo çka i nevojitet njerëzimit. Ato gjithnjë mund të tingëllojnë mirë por njerëzimi ka më shumë nevojë për teori që ofrojnë zgjidhje praktike realiste.
Arsyeja themelore se përse ky libër ka rol të rëndësishëm është se heshtja nganjëherë është e barazvlefshme me krimin. Lufta njohëse sot ka zënë një hapësirë të rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare e cila zhvillohet përmes përhapjes së informatave jo të sakta apo të shtrembëruara me qëllim të arritjes së triumfit të një tregimit të caktuar historik. Autorët të cilët janë në thumbin e kritikës së autorit duket se e kanë këtë rol. Sikur i shërbejnë dikujt për një arsye të caktuar me qëllim apo pa edhe qëllim. Ndoshta, nganjëherë vetëm për hir të ngritjes së polemikës së caktuar. Por ku kjo nyjëzohet me perceptimin e gjerë të një autori si autor i shquar atëherë ndikimi negativ shumëfishohet dhe rrjedhimisht edhe domosdoshmëria e konfrontimit të atyre autorëve fiton një rëndësi të veçantë. Historia tregon se shkenca, madje edhe ajo që ne e quajmë si shkencë ekzakte, është manipuluar për persona, agjenci apo grupacione të caktuara. Edhe tek rasti i luftës njohëse janë krijuar narrativa historike jo të bazuara mbi fakte shkencore si në Gjermaninë naziste apo edhe në qarqet e larta akademike serbe në kuadër të memorandumit të famshëm të ASHAS. Këto qëndrime ndoshta nuk ishin kundërshtuar në masë të madhe pro edhe konfrontimi i atyre narrativave në kuadër të një regjimi jo të hapur e zvogëlon efektin e tij jashtëzakonisht shumë. Dhe narrativa të tilla rrezikojnë të shtrijnë ndikimin e tyre në kohë dhe hapësirë.
Para së gjithash, narrativat e tilla duhet të adresohen në mënyrë adekuate jo për shkak të gjeneratave aktuale por për hir të gjeneratave të reja. Koha është një dimension linear dhe ende nuk është zbuluar një makinë e kohës për tu kthyer prapa në kohë dhe ti rishikojmë ngjarje ashtu si kanë rrjedhur në mënyrë burimore. Pra, deri sa të zbulohet një makinë e tillë kohore, në të kohës aktuale duhet të japim kontributin tonë të rëndësishëm për të thyer narrativat e imponuara dhe të mbështjellura me petkun politik ose për shkak të kufizimeve njohëse të personave të cilët i shkruajnë ato e që ndoshta nuk kanë të bëjnë me ndonjë synim të caktuar politik. Në çdo aspekt, publikut duhet ti ofrohet një spektër sa më i gjerë i informatave madje edhe nga personat të cilët nuk duken shumë profesional por që megjithatë e kanë një tregim për të rrëfyer nga këndvështrimi i tij/saj. Ky është thelbi kryesor se përse demokracitë liberalë janë më të zhvilluara dhe përse kanë arritur që në masë të madhe të zmbrapsin tendencat kundër njerëzore në masë të madhe dhe afatgjate. Bilanci i informacionit nga këndvështrime të ndryshme është esencial për një zhvillim normal shoqëror. Për ketë arsye ky libër i z. Kramariç është i rëndësishëm e gjithashtu edhe përpjekjet e znj. Vlora Çitakut, siç janë pikasur nga autori, drejtuar Christian Amanpur për të ritreguar tregimin e krimeve serbe ne Kosovë dhe vendet tjera të Ballkanit pas marrjes së çmimit nobel nga një person i cili kishte një afinitet shumë pozitiv ndaj Serbisë deri në mohimin e krimeve të cilat i kishin kryer udhëheqësit e saj dhe të mire evidentuar në gjykatat e respektuara ndërkombëtare.
Autori, ndoshta, është dashur këtu që të përmend edhe të ashtuquajturin Klubin Kulturor Serb i cili gjatë shekullit XIX kur kishte filluar ngritja e nacionalizmit në Ballkan kishte organizuar aktivitete të tilla si dërgimi i personave në qendrat kryesore vendimmarrëse si Paris, Londër, Vjenë e Berlin detyra e të cilëve ishte për të shkruar një histori e cila ishte e njëanshme dhe e nënshtruar interesave politike serbe. Synimi i tyre nuk ishte aq shumë gjenerata aktuale e njerëzve aq sa ishin gjeneratat e ardhshme. Ideja është që në bibliotekat e këtyre vendeve te ketë sa më shumë libra që e përkrahin tregimin serb. Për gjeneratat e ardhshme të cilat nuk janë prekur nga ngjarjet historike, që njohuritë duhet t’i marrin nga librat e shkruar kjo mund të kishte ndikim jashtëzakonisht të madh. Ndryshimi i historisë nga Serbia ishte edhe përpjekja për mohimin e gjenocidit të kryer në B&H. Një i ashtuquajtur Komision i Pavarur Ndërkombëtar për rishikimin e krimit të gjenocidit në B&H kishte ardhur në një konstatim se krimi në Srebrenicë nuk përbënte një gjenocid. Kjo ndikoi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që të miratojë një rezolutë e cila do të caktonte 11 Korrikun si një datë për përkujtimin e gjenocidit në B&H me qëllim që të luftohet narrativa e mohimit të këtij krimi mizor e që do të ndikonte në edukimin e mirëfilltë të gjeneratave të ardhshme. Ta kemi parasysh që ditën e aprovimit të kësaj rezolute Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ishte deklaruar se kjo ditë është një ditë zie për kombin serb. Gjithandej në Republika Srpska ishin vendosur emërtime me emër të kriminelëve të luftës për shkolla, rrugë e sheshe derisa përfaqësuesi special kishte urdhëruar ndaljen e kësaj praktike. Pra, lufta njohëse është në qendër të kësaj strategjie dhe ne kemi obligim ndaj gjeneratave të ardhshme që të luftojmë këto narrativa anti njerëzore.
Një element tjetër karakteristik i këtij libri është ajo çka ka prezantuar ish Jugosllavia në kuptim të përfaqësimit dhe në kuptimin ideologjik të saj. Në kuptimin e përfaqësimit, vërehet qartë se e gjithë ajo krijesë ka pasur të bënte me tri etnitete kryesore: kroatët, serbët dhe sllovenët Rrjedhimisht e gjithë politika e brendshme gravitonte rreth gjetjes së një ekuilibri dhe kompromisi ndërmjet këtyre tre entiteteve që nga themelimi i Jugosllavisë së parë pas Luftës së Parë Botërore. Shumë pak ose fare nuk përmenden shqiptaret por deri diku edhe entitetet tjera. Megjithatë absurditeti këtu është sepse shqiptarët në fakt përbënin entitetin e tretë në ish Jugosllavi pas kroatëve dhe serbëve. Përkundër kësaj ajo çka më së shumti kishin arritur të siguronin shqiptarët ishte një autonomi jetëshkurtër e fituar në vitin 1974 dhe e suprimuar në vitin 1989. Etnitetet tjera kishin fituar republikat e tyre edhe pse kishin numër shumë të vogël të pjesëtarëve. Për më tepër, edhe siç e pohon edhe vet autori, ideja e Jugosllavisë kishte të bënte më bashkimin e sllaveve të jugut çka në mënyrë të drejtpërdrejtë ishte përjashtuese ndaj një grupi shumë të madh shoqëror brenda kësaj krijese. Rrjedhimisht, shqiptarët asnjëherë në masë nuk e kishin konsideruar vetën që i takonin kësaj krijese. Asnjëherë, në të vërtetë nuk ishin pajtuar që kishin mbetur brenda kësaj krijese.
Sa i përket ideologjisë, Jugosllavia komuniste kishte prezantuar një sistem unik socialist të bazuar në vetëqeverisje në udhëheqjen e një lideri të dalë me autoritet nga Lufta e Dytë Botërore (LDB), Tito. Ishte një sistem një partiak dhe ku liritë dhe të drejtat themelore ishin kufizuar në masë të madhe sidomos në kuptim të lirisë së shprehjes, organizimit, e drejta për tu zgjedhur ndërsa ekonomia ishte e kontrolluar në masë të madhe. Për shkak të pozitës gjeografike, Jugosllavia prezantonte një shtet relativisht të madh ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit ku zonat e interesit ishin ndarë nga treshja e madhe Roosevelt-Stalin-Churchill në konferencën e Jaltës gjatë LDB-së. Kjo ishte shfrytëzuar deri diku nga lidershipi jugosllav për të ngritur ndikimin e saj e deri te angazhimin në grupin e të painkuadruarve. Kështu ishte krijuar një mirëqenie përmes kredive të ndryshme, hapja e fabrikave, zhvillimi i turizmit, punësimi masiv etj. Megjithatë, kjo ekonomi nuk ishte bazuar mbi parimet e ekonomisë së lirë të tregut dhe aftësia e saj për të mbijetuar kryesisht kishte të bënte me politikat proteksioniste të cilat i zbatonte Jugosllavia. Në këtë mënyrë një politikë e tillë ekonomike nuk ofronte ndonjë zhvillim të qëndrueshëm dhe ishte pikërisht rënia ekonomike ajo që nxiti në masë të madhe nacionalizmin në Jugosllavi. Rënia ekonomike lidhej me humbjen e pozicionit të mirë gjeopolitik pas fillimit të çtensionimit të raporteve ndërmjet perëndimit dhe lindjes e cila qoi në shpërbërjen e BRSS-së në fillim të vitit 1990. Në këtë valë ishte lidhur edhe fati i ish Jugosllavisë e cila pastaj përshkoi një shpërbërje të përgjakshme gjatë viteve 90-ta. Duket se edhe sot mbizotëron një mit se Jugosllavia ka qenë një qendër ekonomike, megjithatë fakti është se si rezultat i pozicionit gjeopolitik dhe politikave proteksioniste, Jugosllavia kishte arritur që të lidhte kontrata know how, të merrte licenca e të ngjashme për të prodhuar produkte të ndryshme nga industria automobilistike, makineritë e rënda, tek materialet e ndryshme teknike e teknologjike etj. Sektori i hulumtimeve dhe zhvillimeve R&D ishte shume pak i zhvilluar dhe çdo gjë varej nga sigurimi i kontratave të tilla me vendet/kompanitë e huaja. Kjo do të duhej të ishte theksuar me shumë nga ana e autorit.
Pra, Jugosllavia nuk përfaqësonte në asnjë mënyrë një shtet të qëndrueshëm si në aspektin politik ashtu edhe në atë ekonomik. Gjatë leximit të librit e kisha përshtypjen që autori kishte një pëlqim të sistemit ideor Jugosllav dhe se i vetmi problem ishte me njerëzit që kishin udhëhequr me shtetin të cilët kishin abuzuar me pushtet. Krejt në fund, autori shpjegon se ishte një liberalist që më nxori nga konfuzioni që kisha krijuar derisa e lexoja librin. Megjithatë, autori besoj që do të duhej të ishte më i qartë në pozicionin e tij sepse sistemi politik të cilin e kishte përfaqësuar Jugosllavia komuniste nuk ishte i qëndrueshëm, ishte racist dhe kundër vlerave fundamentale njerëzore. Gjatë verës së kaluar në një nga kanalet televizive në Kosovë ishin paraqitur disa emisione ku paraqiteshin vuajtjet e atyre që konsideroheshin si disidentë ose revizionist të sistemit të atëhershëm. Më bënë të dënesja kur dëgjoja të gjitha torturat përmes të cilave kishin kaluar ata njerëz dhe që numri i tyre ishte mjaft i madh. Besoj që kjo ka ndodhur me shumë kroatë dhe persona tjerë që kanë menduar ndryshe nga pushteti. Një sistem që ushtron torturë dhe shkelje tjera masive të të drejtave të njeriut nuk mund asnjëherë të jetë i mirë dhe i drejtë. Prandaj, besoj që autori do të duhej të ishte më i qartë në këtë drejtim.