Rizvanolli publikon çmimet konkurruese nga ALPEX në ditën e parë të tregut të lirë të energjisë

02 qershor 2025 | 08:46

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka folur sërish për çështjen e liberalizimit të tregut të energjisë.

Ajo ka ndarë disa të dhëna rreth funksionalizimit të Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike – ALPEX, duke e cilësuar si një arritje historike për Kosovën dhe rajonin.

Në një postim Rizvanolli tha se “këtu KEK siguroi energjinë elektrike për ndërmarrjet në treg të lirë, në ditën e parë të liberalizimit të tregut.”

Sipas saj, çmimi mesatar i energjisë së blerë për dje ishte 64.55 euro për MWh, ndërsa për sot është kontraktuar me çmim 86.75 euro për MWh – të dyja çmime konkurruese.

Rizvanolli theksoi rëndësinë e ALPEX si një hap i madh në drejtim të integrimit energjetik mes Kosovës dhe Shqipërisë.

“ALPEX është një ëndërr e kahmotshme e realizuar për Kosovën. Mekanizmi përmes të cilit tregu energjetik në të dy anët e kufirit bashkohet.”,ka shkruar Rizvanolli.

Ajo e quajti ALPEX-in si “vetë antidoti i ‘mafisë energjetike’ që me të vërtetë ka funksionuar gjatë në Ballkan e me gjasë funksionon ende – por nuk ka të bëjë aspak me Qeverinë Kurti.”

Duke folur për zhvillimet në sektorin e furnizimit, Rizvanolli theksoi përparimin që është bërë në krahasim me vitin 2016, kur kishte vetëm një furnizues.

“Sot janë 21 furnizues të licencuar nga ZRrE, prej të cilëve së paku 5 deklarojnë se janë aktiv e të gatshëm të japin oferta.”

Ajo shtoi se aktualisht janë 1300 konsumatorë në treg të lirë, një numër që pritet të rrisë konkurrencën.

Rizvanolli u zotua për përkushtim institucional.

“Nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju sigurojmë që në këtë rrugëtim do të jemi të sinqertë, të përkushtuar e së bashku për interesin publik: për të mirën e konsumatorit, sektorit e vendit.”, u shpreh ajo. /Telegrafi/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka uruar Italinë me…