Rizvanolli raporton në Komision për Ekonomi, Shala: Investime kapitale nuk kam parë

27 shkurt 2024 | 14:11

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se si ministri kanë ndërmarrë një serë masash për t’i dalë në ndihmë qytetarëve në përballje me krizën energjetike.

Gjatë raportimit të saj në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024, ajo ka bërë me dije se ka pasur rreth 25 mijë aplikime për masa të ndryshme për pajisje efiçiente, ndërsa ka shtuar se kërkesa më e madhe ka qenë për pajisje efiçiente të ngrohjes.

Madje, siç ka thënë ajo, komisionet e ekonomisë kanë punuar edhe gjatë fundjavës për të arritur që në kohë sa më të shpejtë t’i shqyrtojnë aplikimet dhe të japin përgjigje për disbursim.

“Sa i përket planeve dhe aktiviteteve të tjera sigurisht se në vazhdimësi të programeve për përballjen me krizën, një pjesë të angazhimit ka qenë në masa të ndryshme që ju ka ndihmuar qytetarëve dhe kanë zbutur ndikimin e krizës energjetike dhe ka ngritur efiçiencë. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur procese të aplikimit sipas thirrjes masa 4, mbështetja e konsumatorëve familjar duke përfshirë konsumatorët në nevojë për investime në pajisje efeçiente shtëpiake dhe në sistemet të energjisë së ripërtërishme. Kemi pasur një numër të madh të interesuarve, kemi pasur gjithsej rreth 25 mijë aplikime për masa të ndryshme për pajisje efiçiente, dhe veçanërisht kërkesa e madhe ka qenë për pajisje efiçiente të ngrohjes. Komisionet e ministrisë së ekonomisë kanë punuar intensivisht, shpesh gjatë fundjavës për të arritur që në kohë sa më të shpejtë t’i shqyrtojnë aplikimet dhe të japin përgjigje dhe të bëjnë disbursimin”, ka thënë ajo.

Më tutje, ajo ka thënë se për herë të parë, vjet me përkrahjen financiare të BE-së kanë lansuar edhe masën mbështetëse për ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme për pajisje efiçiente për ngrohje. “Gjithashtu, këtu kemi pasur 261 aplikime… Përshtypjet e qytetarëve, janë shumë të mira edhe sa i përket procesit dhe efekteve të këtyre masave”, ka thënë Rizvanolli, duke shtuar se në këtë vit do të vendosin edhe matësit e erës.

Ndërsa, akuza pas raportimit të ministres Rizvanolli, ka pasur kryetari i këtij komisioni, Ferat Shala, i cili ka thënë se në industri, prodhim e ndërtimtari nuk ka investime kapitale.

“Nuk pashë investime kapitale tek ndërmarrjet publike. Si ministri e zhvillimit nuk konsideroj që mund ta zhvillojmë vendin duke bërë ndonjë pilot projekt në Kuvendin e Kosovës. Edhe ashtu ajo si eksperiment mund të jetë, por çfarë i sjell zhvillimit ekonomik…”, ka thënë Shala.

Për këtë, Rizvanolli ka thënë se investimet e mëdha kapitale nuk mund të realizohen brenda natës, porse duhet kohë për këtë.

Ajo ka akuzuar opozitën për mosbotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, për çfarë ka thënë se shkak i tyre edhe janë zvarritur investimet kapitale. /Ksp

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Që nga fundi i vitit 2023 dhe fillimin e këtij…