RMV: Shtet i qytetarëve autoktonë apo federatë e shqiptarëve e bullgarëve?

05 gusht 2025 | 10:37

Shkruan: Hisen Berisha

(Përgjegjësia politike e Albin Kurtit dhe VLEN në Maqedoninë e Veriut)

Thirrjet raciste kundër shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut nuk janë vetëm një shpërthim ekstrem i urrejtjes etnike – ato janë treguesi më brutal i një procesi të gjatë dhe të qëllimshëm: defaktorizimi politik, institucional dhe kombëtar i shqiptarëve si popull shtetformues.
Në këtë degradim të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, përgjegjësia kryesore bie mbi doktrinën antishqiptare të nacional-shovinizmit maqedonas. Kjo gjuhë nuk është as e re dhe as e panjohur – buron nga koncepti politik i mbështetur në mitet historike dhe falsifikimet identitare që qëndrojnë në themelet e krijesës administrative të quajtur “Republika e Maqedonisë së Veriut” dhe pretendimit për një identitet të sajuar “maqedonas”.
Por nuk mund të përjashtohet as qasja përçarëse e Albin Kurtit dhe krijesës politike VLEN, që në thelb është produkt i kësaj përçarjeje sistematike të faktorit politik shqiptar atje.
Në vend që të forcojnë zërin e shqiptarëve dhe të mbrojnë të drejtat e fituara me gjak dhe me garanci ndërkombëtare përmes Marrëveshjes së Ohrit, ata kanë zgjedhur të bëhen instrumente të dobësimit të atyre të drejtave. Ajo që dikur ishte status kushtetues, sot është kthyer në objektiv për ta mohuar, relativizuar apo madje shantazhuar me kërcënime raciste e dehumanizuese.
Duke shfrytëzuar fragmentimin e spektrit politik shqiptar në Maqedoninë e Veriut, si dhe luftën hibride të shërbimeve sekrete serbe, greke, bullgare dhe vetë qarqeve nacionaliste maqedonase, përçarja e faktorit shqiptar atje u bë terren i lehtë për agjendën politike të Albin Kurtit. Aty ku dështoi në Shqipëri për shkak të sistemit të konsoliduar të pushtetit, dhe në Mal të Zi ia besoi aleatit të tij destruktiv Dritan Abazoviç detyrën e rrënimit të faktorit shqiptar, në Maqedoni gjeti tokën më të përshtatshme për ta zhbërë përfaqësimin legjitim të shqiptarëve. Kurse Kosova, me institucionet e saj të kapura, shërben si ‘kavia laboratorike’ e këtij eksperimenti të rrezikshëm rajonal që përputhet plotësisht me interesat serbe, ruse dhe greke për destabilizim të përhershëm të shqiptarëve në rajon.
Këto zhvillime nuk ndodhin rastësisht. Ato janë fryt i një qasjeje të ndërgjegjshme politike që ka shkatërruar çdo përpjekje për unitet dhe përfaqësim dinjitoz të shqiptarëve në rajon.
Kujtojmë se në një moment historik kur shqiptarët kishin katër kryeministra në rajon – Dritan Abazoviç në Mal të Zi, Talat Xhaferi në Maqedoninë e Veriut, dhe qeveritë në Tiranë e Prishtinë – ishte pikërisht Albin Kurti ai që nisi axhendën e përçarjes dhe rrënimit të çdo suksesi kombëtar. Në këtë mision, ai pati aleat të afërt politik pikërisht Abazoviçin, i cili, me veprimet e tij, e rrënoi autoritetin shtetformues të shqiptarëve në Mal të Zi.
Sot, me të njëjtën logjikë përçarjeje dhe mohimi, Kurti dhe VLEN po ndërhyjnë edhe në prag të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut. Ata nuk kërkojnë të forcojnë faktorin shqiptar, por të shërbejnë si patericë për pushtetin maqedonas – të cilit, në vend që t’i vënë kushte për respektimin e barazisë, i ofrojnë shqiptarët si numra elektoralë, duke mohuar përfaqësimin me dinjitet dhe vendimmarrje.
Asgjë nga kjo nuk është e re. Edhe fushata presidenciale e Gordanovskës u ndërtua mbi gjuhë përjashtuese dhe kërcënuese ndaj shqiptarëve – veçanërisht ndaj luftëtarëve të UÇK-së. Në vend që kjo të kundërshtohej përmes unitetit dhe një qëndrimi të përbashkët institucional, u fabrikuan narrativa si “tentimvrasja ndaj Kurtit”, kinse si rezultat i “përplasjes brendashqiptare”, duke tentuar të maskojnë dështimin e projektit të tij rajonal për dominim dhe përçarje.
Nëse shteti i Maqedonisë së Veriut nuk respekton rolin e shqiptarëve si faktor kushtetues në ndërtimin dhe ekzistencën e tij, atëherë opsionet e tjera duhen trajtuar seriozisht dhe me guxim politik – përfshirë federalizimin si alternativë politike dhe institucionale.
Shqiptarët dhe bullgarët mund të ndërtojnë bashkëjetesë mbi kritere historike dhe etnokulturore, ndërsa komunitetet e tjera të jetojnë si të barabarta. Por duhet ta themi qartë: “kombësia maqedone” është një konstrukt artificial, i ndërtuar mbi emërtimin territorial, ndërsa identiteti dhe kontributi shqiptar në këtë shtet është real, historik dhe themelor.
Ndaj, nuk mund të lejohet që shqiptarët të trajtohen si peng i pazareve politike dhe viktimë e aleancave të turpshme. Ekzistenca dhe stabiliteti i Republikës së Maqedonisë së Veriut varet nga mbështetja strategjike e shqiptarëve dhe nga gjeostrategjia e SHBA-së në rajon.
Heshtja ndaj thirrjeve raciste është bashkëpjesëmarrje në to. Ndërsa përgjegjësia për këtë gjendje ka emër dhe mbiemër: Albin Kurti dhe projekti i tij për zhbërjen e faktorit politik shqiptar në çdo cep të rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fatmir Lekaj, politolog Në 50-vjetorin e aktit final të Helsinkit…