Roberto Martinez konfirmon mungesën e madhe të Portugalisë ndaj Kongos
Portugalia do të jetë pa një prej lojtarëve të saj më të rëndësishëm në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026 kundër DR Kongos, pasi Ruben Dias është përjashtuar nga kjo sfidë për shkak të lëndimit.
Lajmin e konfirmoi përzgjedhësi Roberto Martinez, i cili bëri të ditur se qendërmbrojtësi nuk është rikuperuar ende plotësisht dhe stafi teknik nuk dëshiron të rrezikojë gjendjen e tij fizike.
“Ai ende nuk është rikuperuar plotësisht dhe ne nuk do të marrim asnjë rrezik”, deklaroi Martinez para sfidës së grupit K.
Mungesa e Dias përbën një goditje të rëndësishme për Portugalinë, pasi mbrojtësi i Manchester Cityt konsiderohet lideri i repartit defensiv dhe një nga figurat kryesore të skuadrës.
Vetëm pak ditë më parë, mesfushori Matheus Nunes kishte shprehur shpresën se bashkëlojtari i tij do të ishte gati për ndeshjen e parë, por zhvillimet e fundit kanë bërë që stafi mjekësor të rekomandojë kujdes maksimal.
Portugalia nis aventurën në Kupën e Botës kundër DR Kongos në Houston, në një grup ku bëjnë pjesë gjithashtu Kolumbia dhe Uzbekistani.
Pavarësisht mungesës së Dias, Martinez do të ketë në dispozicion kapitenin Cristiano Ronaldo, i cili pritet të udhëheqë skuadrën në përpjekjen për ta nisur me fitore turneun.



