
Rodrygo: Vjet s’isha mirë as fizikisht e as mendërisht, faleminderit Ancelotti
Braziliani Rodrygo ka zbuluar se sezoni i kaluar i ka shkuar huq shkaku i problemeve që i kishte në jetën private.
Ylli i Real Madridit e ka kujtuar përmes një interviste për të përditshmen spanjolle “AS”, periudhën më të errët të jetës së tij, e cila tash fatmirësisht është kapërcyer.
Përfaqësuesi brazilian tregon se më së shumti në atë kohë të vështirë e kishte ndihmuar trajneri Ancelotti me stafin e tij, por edhe familja sigurisht.
Tash është i gatshëm për ta rikthyer formën ideale dhe për ta pasur një sezon tëy suksesshëm me “Los Blancos”.
“E pata një periudhë shumë, shumë të vështirë në sezonin e kaluar… E kalova një kohë të gjatë pa i folur askujt në jetën time”.
“Askush nuk e dinte çfarë po kaloja… Ishte një kohë shumë e vështirë. Nuk isha mirë as fizikisht dhe as mendërisht”.
“Kjo po më kushtonte shumë… Ancelotti më ndihmoi shumë, ai e shihte çdo ditë se nuk isha mirë, se nuk isha në formë të mirë për të luajtur, se nuk mund ta ndihmoja ekipin”.
“Nuk kishte kohë për t’u rikuperuar, ne po luanim çdo tri ditë dhe pastaj nuk mund të ndaleshe për ta zgjidhur problemin”.
“Ancelotti e pa që jam një person normal dhe kisha probleme të vërteta. Ai e kuptoi situatën time të ndërlikuar”.
“Carlo më tha: Thjesht qëndro këtu me qetësi, nuk je në formë të mirë për të luajtur tani. E falënderova dhe i kërkova të luaja, por ai e dinte se duhej ta rikuperonte personin përpara lojtarit”.
“Ishte një kohë shumë e vështirë në jetën time… por tani i kam kapërcyer të gjitha, jam mirë. Sa herë që mundem, e falënderoj Carletton, djalin e tij Davide dhe stafin e trajnerëve”.
“Të gjithë më ndihmuan, dhe sigurisht edhe familja ime. Tani ndiej vetëm gëzim, jam i lumtur, shumë i motivuar për ta bërë një sezon të shkëlqyer”.