Rolan Bart: Qendra e qyteteve
Flitet se qytetet katërkëndëshe, në formë grilash (Los Anxheles, për shembull), shkaktojnë siklet të thellë; ata tek ne e lëndojnë ndjenjën për qytetin e qendërzuar që kërkon që çdo hapësirë urbane të ketë qendër drejt të cilës shkohet, prej nga kthehet, vend komplet për të cilin ëndërrohet ose me të cilin udhëhiqet apo tërhiqet, me një fjalë me të cilin vetë e shpik veten. Për shkak të arsyeve të ndërlikuara (historike, ekonomike, religjioze, ushtarake), Perëndimi shumë më mirë e ka kuptuar atë ligj: të gjithë qytetet e tij janë koncentrikë. Më tutje, në pajtim me vetë lëvizjen e metafizikës perëndimore, për të cilën secila qendër është vend i së vërtetës, qendra e qyteteve tona është gjithmonë e plotë: pikërisht aty, në vendin e shënuar, tubohen dhe dendësohen vlerat qytetëruese: përshpirtshmëria (me kishat), fuqia (me bankat), malli (me shtëpitë e mallrave), fjala (me agorat: kafenetë, shëtitoret): të shkohet në qendër, do të thotë të takohet “e vërteta” shoqërore, ajo do të thotë të merret pjesë në plotësinë madhështore të “realitetit”.
Qyteti për të cilin flas (Tokio) ka një paradoks të shtrenjtë të këtillë: ai, në të vërtetë, ka qendër, mirëpo, qendra e tij është e zbrazët. I tërë qyteti rrotullohet rreth një vendi që është njëkohësisht edhe i ndaluar, edhe jointeresant, rrotullohet rreth vendqëndrimit të mbështjellë me gjelbërim, të paqasshëm për shkak të hendeqeve të mbushur me ujë, e në të cilin jeton perandori që, nga ana tjetër, nuk mund të shihet kurrë, do të thotë, fjalë për fjalë, askush as që e di se kush jeton aty. Për çdo ditë, me vozitjen e tyre të ashpër, energjike, të shpejtë si lëvizja e plumbit, taksistët i shmangen atij rrethi, kreshta e ulët e të cilit, forma e dukshme të padukshmes, e fsheh asgjënë e përkushtuar. Njëri nga dy qytetet më të fuqishme të modernitetit është ndërtuar, domethënë, rreth një unaze të padepërtueshme muresh, uji, çatish dhe pemësh, dhe vetë qendra e tij është thjesht një ide e zbehur, ajo qëndron aty jo për të rrezatuar me ndonjë fuqi, por që gjithë lëvizjes t’ia japë mbështetjen e zbrazëtisë qendrore të vetë, duke e detyruar lëvizjen drejt devijimit të pandërprerë. Kësisoj, na thonë, ajo imagjinarja zgjerohet në mënyrë qarkore, përmes anashkalimeve dhe kthimeve rishtas përgjatë përmbajtjes së zbrazët. /Hejza



