Roli i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, lidhur me situatën e krijuar nga ngritja e çmimeve në treg

19 mars 2022 | 17:40

Shkruan: Prof. Asst.Dr.Egzone Osmanaj

Goditjet e ofertës dhe kërkesës të provokuara nga kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia, mund të ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si firmat sillen në treg. Gjatë një krizë, mund të ketë një rritje të mprehtë të çmimeve të mallrave të caktuara, e sidomos atyre të konsumit. Ndërsa, rritjet e çmimeve mund të jenë pasoja legjitime e një ndryshimi në rrethanat e tregut për shkak të krizës, ekziston rreziku që firmat edhe të shfrytëzojnë strategjikisht konsumatorët në një ekonomi të stresuar. Konkretisht, disa ndryshime në sjelljen komerciale të firmave mund të shpjegohen nga firmat që përshtatin strategjitë e tyre komerciale me rrethanat e reja të tregut, të tjerat mund të kërkojnë kontroll të ngushtë nga autoritetet e konkurrencës. Dy sjellje të tilla që përfundimisht mund të jenë problematike janë çmimet shfrytëzuese dhe bashkëpunimet midis konkurrentëve apo kartelet.

Shfrytëzimi i konsumatorit përmes politikave të çmimeve (p.sh. çmimi i tepërt) quhet rritje e çmimeve kur përfshin rritje të konsiderueshme dhe të shpejtë të çmimeve pas një lloj goditjeje në kërkesë ose ofertë (p.sh. si rezultat i pandemisë). Në këto situata, firmat mund të rrisin çmimet në krahasim me kostot. Çmimi i tepërt konsiderohet një abuzim shfrytëzues i dominimit. Këto janë raste komplekse, të cilat kërkojnë ekzistencën e një pozicioni dominues në radhë të parë. Në Kosovë, sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, një ndërmarrje konsiderohet se ka pozitë dominante kur ajo zotëron 25% të tregut. Në secilin rast, sfida për zbatuesit është të dallojnë një sjellje abuzive ose të padrejtë, respektivisht, nga ajo që pasqyron një përgjigje të ligjshme ndaj një situate të krijuar nga një krizë ekonomike. Pra, jo gjithmonë ngritja e çmimeve i referohet shkeljes së rregullave të konkurrencës, ku kërkohet të reagojë Autoriteti. Është shumë e rëndësishme të theksohet, se Autoriteti nuk është rregullator i çmimeve, në kompetencën dhe përgjegjësinë e Autoritetit nuk hyn përcaktimi i çmimeve. Në një ekonomi tregu të lirë, përcaktimin e çmimit në treg, e vendos kërkesa dhe oferta.  Për shkak të rëndësisë që mbart ekonomia e tregut, ajo është përfshirë në Kushtetutë si vlerë themelore. Konkretisht, në nenin 7 (ku parashikohen vlerat), Kushetuta e RK, shprehet se: “Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut”. Një dispozitë tjetër e rëndësishëm lidhur më konkurrencën në Kushtetutë, është dispozita e nenit 10, e cila shprehet së: “Ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës.”

Sipas ligjit, Autoriteti është përgjegjës të garantojë konkurrencën e drejtë në treg, duke siguruar që të gjitha firmat të konkurrojnë në mënyrë të barabartë dhe të drejtë mbi meritat e tyre.  Detyra e Autoritetit është të zbatojë rregullat e konkurrencës në dobi të publikut në një mënyrë, e cila rrit mirëqenien afatgjatë të konsumatorit dhe konkurrencën në të njëjtën kohë.

Veprimtaria e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës mbështet në tre shtylla kryesore të “Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës”, të cilat janë luftimi i marrëveshjeve të ndaluara, ndalimi i abuzimit me pozitën dominante dhe ndalimi i përqendrimeve që mund të dëmtojnë konkurrencën. Autoriteti mund të reagojë vetëm për rastet kur ndërmarrjet përfshihen në aktivitete të cilat kanë për pasojë shkeljen e këtyre tre shtyllave kryesore.

Pra, së pari, veprimtaria e Autoritetit, ka të bëjë me ndalimin e karteleve, ose marrëveshjeve të fshehta midis ndërmarrjeve, të cilat në koordinim rregullojnë ose rrisin çmimet e tyre, kufizojnë furnizimin, kufizojnë shitjet e tyre ose ndajnë tregjet ose konsumatorët e tyre. Konkretisht, neni 4 i LMK, ndalon marrëveshje të tilla me disa përjashtime të kufizuara;

Së dyti, veprimtaria e Autoritetit, ka të bëjë me luftimin dhe parandalimin e abuzimeve të pozitave dominuese, nga firmat në një treg të veçantë, siç janë çmimet e tepruara, të padrejta apo çmimet grabitqare për të dëbuar konkurrentët nga tregu; dhe

Së treti, veprimtaria e Autoritetit, ka të bëjë me kontrollin dhe ndalimin e përqendrimeve të ndërmarrjeve që mund të dëmtojnë ndjeshëm konkurrencën, sidomos kur një përqendrim ka si pasojë forcimin e pozitës dominuese ekzistuese ose krijimin e një pozitë të re dominuese.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh udhëheqës i Departamentit…