Roma nuk heq dorë nga Greenwood, priten negociata të reja me Marseille
Roma vazhdon të punojë për transferimin e sulmuesit anglez Mason Greenwood nga Marseille.
Klubi italian ka vendosur të shtyjë bisedimet për disa ditë, por kontakti mes palëve mbetet i vazhdueshëm dhe takime të reja priten shumë shpejt.
Sipas raportimeve, ditët e ardhshme do të jenë vendimtare, pasi drejtuesit e Romës dhe ata të Marseille pritet të zhvillojnë negociata më serioze për të gjetur gjuhën e përbashkët.
Operacioni nuk pritet të jetë i lehtë, pasi bëhet fjalë për një transferim që mund të arrijë vlerën e 50 milionë eurove. Megjithatë, verdhekuqtë janë të gatshëm të bëjnë përpjekje të mëdha financiare, pasi Greenwood konsiderohet një nga objektivat kryesorë të merkatos.
Një rol të rëndësishëm në këtë operacion po luan edhe trajneri Gian Piero Gasperini, i cili e ka kërkuar personalisht anglezin dhe e sheh atë si një përforcim ideal për projektin e ri të Romës.
Tashmë mbetet të shihet nëse takimet e ardhshme do të sjellin marrëveshjen përfundimtare dhe nëse Greenwood do të transferohet në Serie A gjatë kësaj vere.



