
Romani “Eskadronët e vdekjes” t’u sugjerohet nxënësve shkollor!
Pas leximit të romanit “Eskadronët e vdekjes” të autorit Bardhyl Mahmuti, punëtorja sociale Sadete Hiseni nga Ferizaj, që jeton dhe punon qe 25 vjet në Francë, ndanë me miqtë e saj të facebookut përshtypjet e veta.
Sadete Hiseni
Duke lexuar Bardhyl Mahmutin,
me vete thash
Është një vend atje, nga rrënjët e mia,
ku prej vitesh e vitesh të lirë shëtisin eskadronët e vdekjes,
ndërsa breza fëmijësh lindin pleq.
E të pa pagjeturit me një kambë ndër dhé e nja për mbi dhé
po bajnë roje që mos të mbyllën
rrugët e paqës
Eskadronët e vdekjes
Bardhyl Mahmuti
Ishin ato vitet menjëherë pas luftës dhe unë kisha emigruar në një vend evropian, ku liritë dhe të drejtat e njeriut e bënin ndër vendet më të dalluara në botë. Isha regjistruar në një kurs për përvetësimin e gjuhës. Në grup ishim dymbëdhjetë veta, me shumë kombësi të ndryshme.
Një ditë erdhi edhe një vajzë e re me origjinë serbe, e diplomuar si infermiere. Ne të gjithë përparonim gradualisht në mësimin e gjuhës, dhe as ajo nuk bënte përjashtim, ndonëse ecte më ngadalë. Por ajo që na binte shpesh në sy ishte krekosja e saj për origjinën që kishte. Ishte krenare, pa ditur mirë se për çfarë. Madje njëherë filloi të fliste për mite e legjenda…
Në të gjithë qëndrimin dhe formimin e saj dukej qartë shkolla e gabuar nga e cila vinte: krenaria e verbër për t’i përkitur një kulture “të mahnitshme” që mbështetej mbi falsifikime të historisë së vjedhur nga fqinjët. Arroganca me atë fije racizmi bëri që një ditë profesoresha e gjuhës ia tërhoqi vërejtjen, duke i thënë:
“Këtu jemi të gjithë të barabartë, dhe ajo që ka rëndësi është njeriu. Këto gjëra duhet t’i dini, sidomos ju, që mbani në dorë një diplomë infermiere.”
Kjo skenë mu kujtua ndërsa mbaja në dorë librin e Bardhyl Mahmutit Eskadronët e vdekjes. Pse? Sepse unë kisha përjetuar luftën dhe i dija mirë krimet që Serbia kishte bërë në Kosovë. Prandaj më lindte pyetja: për çfarë mund të ndihen krenarë të rinjtë serbë? Në këtë libër, autori ka zgjedhur si personazh kryesor një gazetar me origjinë serbe, i cili guxoi t’i kundërvihej propagandës së tmerrshme që bëhej në mjetet e informimit në Serbi, gjatë dhe para luftës së Kosovës.
Duke e lexuar këtë libër të jashtëzakonshëm, nuk ishin të pakta herët kur më rrënqethi trupi e më pushtoi një trishtim i thellë, sepse çdo faqe më dukej si një plagë e hapur që ende nuk është shëruar. I shkruar me rrjedhshmëri dhe i mbështetur fuqishëm mbi të vërtetën historike, ky libër nuk është vetëm letërsi: ai është një dokument, një pasqyrë e gjallë e krimeve, dhunës dhe terrorit që përjetoi një popull i pambrojtur, por edhe një dëshmi e guximshme përballë harresës dhe mohimit. Çdo rrëfim, çdo fakt, çdo dëshmi është një gur i fortë që ngrihet kundër manipulimeve dhe tentativave për ta zbehur ose fshehur të vërtetën.
Ngjarjet dhe politikat djallëzore që zbulohen aty risjellin tek lexuesi e sidomos tek ai që ka përjetuar në at kohë, jo vetëm dhunën, krimet e tmerrshme, maltretimet e përditshme e sidomos terrin informativ.
Ishte një mjegull e zezë e prodhuar me kujdes nga propaganda serbe, që për vite të tëra ushqehej përmes mediave, librave shkollorë, fjalimeve politike dhe çdo mjeti tjetër që manipulonte me të vërtetën. Në atë realitet të rremë, e sidomos ajo që i ushqehej opinionit serb, shqiptarët paraqiteshin si terrorist, si kërcënim, si njerëz që duheshin nënshtruar ose zhdukur. Prandaj për ne lexuesit shqiptarë, tema që ka hapur autori nuk është diçka e harruar: ajo është një ripërjetim i hidhur.
Duke u ndalur tek kjo temë, për atë që kishte ndodhur, është e dhimbshme të mendosh se edhe njëzet e pesë vjet më vonë, familjarët ende kërkojnë të pagjeturit e tyre, ndërkohë që trupat e tyre janë shkapërderdhur dhe fshehur në vende të ndryshme të Serbisë, duke lënë një zbrazëti të pashlyeshme dhimbjeje dhe pritjeje.
Mifi personazhi kryesor në këtë libër përfaqëson atë dritë të vogël në errësirën e madhe. Ai është dëshmia se brenda një shoqërie të helmuar nga urrejtja mund të lindë një ndërgjegje që nuk pranon të heshtë. Por sa tragjike është të mendosh se këto ndërgjegje ishin aq të pakta, sa nuk arritën të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve. Heshtja e shumicës i bëri krimet të mundura, ndërsa guximi i pakicës mbeti vetëm një shenjë morale. Edhe sot, Serbia dhe populli i saj jetojnë me barrën e rëndë të krimeve që kanë ushtruar ndaj fqinjëve.
Pikërisht për këtë arsye, Eskadronët e vdekjes duhet të bëhet lekturë shkollore, për të shërbyer si mësim dhe kujtesë për gjeneratat e reja. Vepra e Bardhyl Mahmutit nuk është thjesht rrëfim, por një dokument i ndërtuar mbi të vërtetën, i cili i reziston çdo tentative manipulimi. Struktura e qartë, stili i rrjedhshëm dhe aftësia për të ndërthurur faktet historike me fatin e individit e bëjnë librin një dëshmi të fuqishme dhe një akt moral të domosdoshëm. Lexuesi, megjithëse tronditet nga tmerri i ngjarjeve, në fund mbetet i lehtësuar nga ideja e mbijetesës dhe nga drita e vogël që përfaqëson Mifi. Në këtë kuptim, libri i Bardhyl Mahmutit është njëherësh akuzë e pamëshirshme ndaj së shkuarës dhe thirrje për ndërgjegjësim të vetë Serbisë.
Të falënderoj, z. Bardhyl Mahmuti, për këtë vepër të jashtëzakonshme letrare, dokumentare dhe historike. Populli shqiptar është me fat që ka një personalitet si ju; Ushtria Çlirimtare e Kosovës është me fat që pati pranë një punëtor të palodhur si ju; por edhe populli serb është me fat që një personalitet i tillë punon për të shpalosur të vërtetën dhe, në këtë drejtim, nxit nisma për të ndërtuar ura paqeje. Pikërisht me një letërsi të vërtetë, të bazuar në fakte të pakontestueshme, mund të ndërtohen urat e paqes duke njohur atë që ka ndodhur. Kjo vepër e arrin këtë jo duke ushqyer urrejtje, por duke zgjedhur të nxjerrë në pah më të mirët që ai popull ka, gjithmonë në shërbim të së vërtetës.