Ronaldo dhe Zidane u përballën në ‘Bajram Aliu’, vaki interesante nga Superliga e Kosovës

30 tetor 2025 | 16:59

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në javën e 11-të të Superligës së Kosovës, ku në stadiumin “Bajram Aliu” të Skenderajt, Drenica u përball me Dritën – në një ndeshje që solli jo vetëm gola dhe emocione, por edhe dy emra të mëdhenj… në versionin kosovar: Ronaldo dhe Zidane.

Kuqezinjtë e Drenicës arritën një fitore mbresëlënëse me rikthim rezultati 3-1, pasi ishin në disavantazh 0-1 në pjesën e parë. Sulmuesi Ronaldo Chacón, 27-vjeçari nga Venezuela, ishte protagonisti kryesor i takimit, duke realizuar dy gola vendimtarë për fitoren e skuadrës së tij.

Ai ka shënuar tashmë tre gola në kampionat, duke u bërë një nga prurjet më të suksesshme të afatit kalimtar të verës për Drenicën.

 Ronaldo Chacón, sulmues i Drenicës

Në anën tjetër, për Dritën startoi Ben Zidane, një 20-vjeçar nga Bregu i Fildishtë, që javën e kaluar kishte gjetur golin e tij të parë në Superligë ndaj Ferizajt.

Zidane është cilësuar si një talent premtues dhe një nga lojtarët që mund të shfaqet si surprizë në vazhdimin e sezonit.

 Ben Zidane, në aksion

Në këtë ndeshje, përveç dopietës së Ronaldos, Kreshnik Uka shënoi golin tjetër për Drenicën, ndërsa për Dritën realizoi Albert Dabiqaj.

Ky duel midis “Ronaldos” dhe “Zidanes” ka zgjuar interesin e tifozëve, duke sjellë një ngjyrim të veçantë në futbollin kosovar.

Drenica e ka mposhtur Dritën kampione dy herë brenda këtij sezon, pasi edhe në ndeshjen e parë në Gjilan, triumfoi me rezultat 1-0. /Telegrafi

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ylli i Manchester Unitedit, Dimitar Berbatov e ka mbështetur Florian…