
Ronaldo ia dërgon fanellën e tij Trumpit, i ‘lutet’ për paqe mes Izraelit dhe Iranit
Donald Trump ndodhej në Kanada për samitin e fundit të G7-ës. Gjatë qëndrimit në Alberta, ai është takuar me liderë nga e gjithë bota. Njëri prej tyre ishte edhe presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa. Costa ka qenë më parë kryeministër i Portugalisë, ndaj ka lidhje me pesë herë fituesin e “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo, i cili së fundmi ka udhëhequr kombëtaren e tij drejt titullit të dytë në Ligën e Kombeve të UEFA-s.
Një nga fanellat që Cristiano Ronaldo ka veshur gjatë paraqitjeve me Portugalinë tani ndodhet në duart e Trump. Ajo iu dorëzua presidentit amerikan gjatë një takimi me Costa, me Ronaldon që i përcolli një mesazh: “Luajmë për paqen”.
Si një prej njerëzve më të fuqishëm në botë, Trump ka potencialin për të ndihmuar në rikthimin e rendit në zonat e konfliktit. Aktualisht, tensionet mes Izraelit dhe Iranit po dominojnë skenën ndërkombëtare, me Trump që ka shkruar në rrjetin e tij “Truth Social”: “Do të kemi PAQE së shpejti mes Izraelit dhe Iranit! Ka shumë telefonata dhe takime që po zhvillohen”.