
Ronaldo: Kampionati saudit është më i fortë se ai portugez
Al Nassr i Cristiano Ronaldos ka shkatërruar 4-0 Rio Ave, skuadër portugeze që sezonin e kaluar e mbylli në vendin e 11-të të kampionatit përkatës. Pas golit hapës të Simakan, ndeshja u vulos nga tripleta e 5 herë fituesit të “Topit të Artë” nga Madeira, i cili për herë të dytë u aktivizua krah bashkëkombësit të tij Joao Felix, blerja më e bujshme e klubit saudit në këtë merkato.
Megjithatë, më shumë se tre golat e tij kanë bërë bujë deklaratat e Ronaldos pas ndeshjes, pikërisht mbi zgjedhjen e ish-sulmuesit të Milanit. I intervistuar në përfundim të fitores 4-0 ndaj Rio Ave, Cristiano Ronaldo u shpreh për transferimin e Joao Felix: “Ka talent të madh, këtë e dinë të gjithë. Do të na ndihmojë shumë në një kampionat shumë konkurrues si ky arab. Mendoj se për të, ardhja këtu ishte një zgjedhje më e mirë se kampionati portugez”. Një deklaratë që ka ndezur debat në Portugali, sidomos pas vendimit të Joao Felix për t’u bashkuar me Al Nassr në vend të një rikthimi te Benfica.
“Mjafton të shikoni numrin e yjeve që ka Arabia Saudite. Mendoj se ka qenë një vendim shumë i mençur nga ana e tij. A e kam telefonuar për ta bindur? Jo, nuk është puna ime”, ka deklaruar Ronaldo.