Rooney kritikon transferimet e Man Unitedit pas humbjes në derbi ndaj Cityt

15 shtator 2025 | 11:58

Legjenda e Manchester United, Wayne Rooney, ka vënë në dyshim dy prej vendimeve të klubit në merkato, pas humbjes 3-0 në derbin ndaj Manchester Cityt në “Etihad Stadium”.

City e ka dominuar tërësisht në përballjen ndaj rivalit lokal, me Erling Haaland që realizoi dopietë derisa rrugën drejtë golit e ka gjetur edhe Phil Foden.

Rooney nuk e ka fshehur zhgënjimin, duke theksuar se nuk e kupton pse United nuk e ka afruar Gianluigi Donnarumma gjatë verës. Ai gjithashtu  ka ngritur dyshime mbi transferimin e portierit belg të ri, Lammens, të ardhur nga Royal Antwerp, duke e cilësuar si një lëvizje të nxituar.

“Ishte shqetësuese… nuk e di nëse ky ishte një blerje paniku”.

“Sinqerisht nuk di shumë për portierin e ri, nuk mendoj se shumica prej nesh e kemi parë të luajë. Nëse blen një portier dhe nuk është gati të hyjë menjëherë në formacion, kjo është problem. Donnarumma do të futej që nga minuta e parë dhe do të bënte diferencën”, ka thënë ai.

Sipas tij, United ka marrë sërish një lojtar “për potencial”, duke rrezikuar në një pozicion kyç, në vend që të siguronte një portier të gatshëm për nivelin më të lartë.

Duke folur për ecurinë e skuadrës nën drejtimin e Amorim, Rooney ka thënë se nuk ka shenja se rezultatet do të ndryshojnë shpejt.

“Dua të jem sa më mbështetës e pozitiv ndaj trajnerit dhe lojtarëve, por është shumë e vështirë të thuash se po shohim progres. Nuk ka shenja se rezultatet do të ndryshojnë shpejt”, ka thënë Rooney në podcastin e “BBC Sport”.

Rooney ka vënë në dukje edhe pamjet e fundit të derbit, ku tifozët e United filluan të largoheshin nga stadiumi, pavarësisht se disa prej tyre vazhdonin të këndonin emrin e trajnerit.

“Ky ishte një mesazh i fortë nga tifozët, ata ishin të zhgënjyer nga ajo që panë në fushë. Është e vështirë të shohësh se si kjo mund të vazhdojë”, ka thënë ish-kapiteni i “Djajve të Kuq”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-nënsekretari amerikan, James Rubin, ka rrëfyer në Gjykatën Speciale detaje…