Rotarianët mundësuan shkollimin e rreth 1000 nxënësve dhe studentëve në Kosovë

14 qershor 2022 | 14:41

Klubet Rotariane përmes bursave kanë mundësuar shkollimin e mbi 1000 studentëve dhe nxënësve në rajone të ndryshe të Kosovës në veçanti vajzave duke përfshirë shkollimin e mesëm dhe atë të lartë universitar, duke ndikuar kështu direkt në barazinë gjinore.

Në mesin e klubeve Rotariane që e kanë ndihmuar këtë kauzë janë RC Ferizaj, RC Gjakova-Çabrati, RC Gjilan, RC Prishtina International dhe RC Peja.

Rotary Club Prishtina International, ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për vite me radhë në mbështetje të vajzave për shkollim.

Ilir Krasniqi, rotarian në Rotary Club Prishtina International, shpalos detaje rreth këtij projekti duke thënë se “Për disa vite me radhë RCPI ka mbështetur me bursa 100 vajza me kushte të vështira ekonomike në 25 Komuna të Kosovës, nga 4 vajza në secilën komunë”.

“Grumbullimin e fondeve për realizimin e këtij projekti e kemi bërë duke organizuar koncerte humanitare, ndërsa në tri vitet e fundit pagesën e bursave për 46 vajza e kemi vazhduar falë bashkëpunimit me miqtë tanë rotarian si donator:  Helsingborg Landborgen Rotary Club nga Suedia, të cilët i kanë mbështetur 23 vajza në këto komuna:  Lipjan,  Obiliq, Skenderaj,  Deçan,  Novo Bërd. Ndërsa, Virum-Sorgenfri Rotary Club  nga Danimarka gjithashtu i ka mbështetë 23 vajza në këto komuna: Klinë, Vushtrri, Viti, Malishevë, Mamush, Shtime, Ferizaj” tregon z. Ilir Krasniqi, RCPI.

  1. Krasniqi shton se “Vajzat që janë përzgjedhur janë ato me kushte të vështira ekonomike por është marr parasysh edhe suksesi i tyre, zakonisht janë përzgjedh vajzat me sukses të shkëlqyeshëm”

Tri prej klubeve rotariane që kanë ndihmuar në këtë kauzë duke themeluar Fonde të Bursave që nga viti 2015 janë RC Gjakova-Çabrati, RC Gjilan dhe RC Ferizaj.

Nga Rotary Club Ferizaj, sipas themeluesit të këtij klubi, z. Afrim Konjufca prej vitit 2015 e deri në vitin 2022 janë ndarë gjithsej 237 bursa në vlerë prej 118,500 €uro.

“Fondi i Bursave pranë Klubit Rotary Ferizaj është themeluar në vjeshtën e vitit 2015 me iniciativën e gazetarit dhe publicistit ferizajas z. Rexhep Rifati, rotarian në këtë klub , i cili është edhe donatori kryesor që nga fillimi me 6 bursa nga familja e tij (3,000 euro në vit. Përparësi me rastin e ndarjes së bursave kanë studentët me gjendje ekonomike më të rënduar dhe me notë më të lartë mesatare, varësisht edhe nga lëmia e studimit, konkretisht degë deficitare, si Fakulteti i Inxhinierisë dhe Fakulteti i Mjekësisë, bën të ditur z. Konjufca nga Rotary Club Ferizaj.

Mbështetja e studenteve e veçanërisht vajzave në fushën e arsimit ishte e fuqishme edhe nga Klubi Rotarian Gjakova-Çabrati, që nga themelimi i klubit.

“Gjatë viteve të shkuara klubi ka pasur një fokus të shtuar në përkrahjen e studentëve dhe fushës së arsimit në përgjithësi. Si rrjedhojë, ne në RC Gjakova-Çabrati gjatë vitit rotarian 2015/16 me propozimin e Kryetarit të atëhershëm të klubit z. Butrint Batalli, kemi themeluar Fondin e Bursave për Student. Rotarianët bashkë me komunitetin e biznesit dhe miqtë e vullnetit të mirë, gjatë viteve kanë kontribuar dhe pasuruar Fondin e Bursave të RC “GJAKOVA-ÇABRATI”. Klubi ynë ka ndarë mbi (50) pesëdhjetë bursa studimi ndër vite për studentët nga Komuna e Gjakovës”,  tha Kryetari aktual i RC Gjakova-Çabrati z. Agon Dula.

Ndësa, përzgjedhja e studentëve fitues është kryer në mënyrë transparente duke i dhënë shumë rëndësi përpos fushave deficitare, notës mesatare dhe gjendjes socio-ekonomike.

  1. Dula, zotohet se “Duke parë ndikimin pozitiv që ka pas ky Fond i Bursave tek studentët, ne si klub mëtojmë që pas pandemisë të vazhdojmë përsëri me këtë aktivitet në bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat në mbështetje të kësaj kategorie vitale të shoqërisë sonë”

Rotary Club Peja, është një klub tjetër i cili ka ndarë bursa 3 vjeçare për 15 vajza nga fshatrat e Komunës së Klinës për të mundësuar vazhdimin e shkollimit të mesëm dhe 80 bursa për studime.

  1. Arbër Asllani, President i Zgjedhur, Rotary Club Peja për vitin 2022-2023, tregon se “Ky projekt i rëndësishëm për fuqizimin e barazisë gjinore dhe shkollimin e vajzave është bërë në bashkëpunim me KFOR-in Slloven dhe oficeren e KFOR-it Petra Mundy. Projekti ka ndihmuar vajzat që të përfundojnë shkollën e mesme dhe të vazhdojnë studimet. Projekti i dytë i rëndësishëm është ndarja e 80 bursave për fuqizimin e barazisë gjinore dhe vazhdimin e studimeve për vajzat nga Komuna e Pejës.

Qëllimi i këtij projekti sipas tij ka qenë të përkrahen studentet që  të ndjekin profesionet deficitare, siç janë: Shkencat Kompjuterike, Fakulteti i Mjekësisë, Turizmi, Industria Ushqimore por edhe drejtimeve tjera me interes për komunën e Pejës.

Rotary Club Gjilan ka qenë një klub tjetër që ka mbështetur studentët përmes “Programit të Bursave për Student” që nga viti 2015 duke akorduar bursa kadrovike, në bazë të suksesit të arritur gjatë studimeve, bursa sociale si dhe bursa për student nga Lugina e Preshevës, tha Kryetari aktual i RC Gjilan z.Fatmir Latifaj. “Ne kemi vazhduar përkrahjen me bursa edhe përmes bashkëpunimit me Komunën e Gjilanit, ku në shkurt 2020 përmes këtij bashkëpunimi kemi ndarë bursa për 12 studentët e ekselencës së Komunës së Gjilanit.

Klubet Rotariane zotohen se do vazhdojnë fuqishëm kontributin e tyre në arsim, pasi që një arsimim cilësor dhe një popullatë e arsimuar janë themelet e një vendi me të ardhme të sigurt dhe të ndritur.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
3 barazime në 3 ndeshje nuk janë shifrat që ngrohin…