Roth: Evropa mund të mësojë nga diversiteti dhe islami paqësor i Kosovës
Pa i mbushur 30 vjet si politikan entuziast në Gjermani, Michael Roth më 1998 ishte ulur në karrigen e deputetit të Bundestagut që është Parlamenti Federal i Gjermanisë. Ndër çështjet e para të nxehta me të cilën i ra të merrej nga kjo pozitë, qe rreshtimi i Gjermanisë në raport me ndërhyrjen ushtarake të botës demokratike për të ndalur krimet kundër njerëzimit që Serbia i bënte në Kosovë.
Nuk qe e lehtë për të as për krejt gjermanët pasi ishte hera e parë pas Luftës së Dytë Botërore kur motori i ekonomisë evropiane, cytej që të merrte pjesë në një zgjidhje ushtarake.
“Gjermanët sot nuk duan zgjidhje ushtarake, prandaj kishte hezitime edhe atëherë”, ka thënë ai të martën mbrëma në ngjarjen me temë “Kur politika prek jetën e përditshme: Lexim & bisedë me Michael Roth” në “Reporting House” në Prishtinë. Politikani me karrierë të gjatë – prej 1998 deri më 2025 si pjesë e Bundestagut – ka folur lirshëm për shumë tema. Këto ditë është në Kosovë si mysafir i Ambasadës së Gjermanisë në kuadër të “Ditëve të gjuhës gjermane”. Tash është autor i librit “Zonen der Angst” që në shqip përkthehet si “Zonat e frikës”. I promovuar në mbi 40 hapësira gjermane dhe jashtë vendit të tij, për librin për herë të parë ka folur në Kosovë. Si ithtar i madh i vlerave evropiane e po ashtu mbështetës i Ballkanit Perëndimor në raport me Bashkimin Evropian, Roth ka thënë se sot flitet për gjithçka në raport me Kosovën, por jo për Kosovën evropiane dhe duhet të flitet për një të tillë pasi ky shtet është vend evropian.
“Mund të tingëlloj pesimist, por kjo është thirrje për zgjim. Nuk mund të flasim për politika globale nëse nuk merremi me stabilitetin e Ballkanit. Kur nisa karrierën në Kuvend, ishte koha e ndërhyrjes për ndaljen e gjenocidit. Në Gjermani nuk ishte e lehtë të flitej për këtë: të drejtat e njeriut në njërën anë dhe e drejta ndërkombëtare në anën tjetër. Duhej të vendosnim cila është më e rëndësishme. Unë kam vendosur që situata e njerëzve në atë vend (Kosovën v.j.) është më e rëndësishme. Isha në favor të vendimit për mbështetje dhe ndërhyrje. Nuk isha 100 për qind i sigurt, por rreth 60 për qind”, ka thënë ai. Sot ai është i bindur se asokohe ka vepruar drejt dhe thotë se Kosova ka shumëçka për të treguar.
“Ne mund të mësojmë për diversitetin dhe islamin paqësor të Kosovës dhe nuk e di pse këtë nuk e shndërroni në agjendë. Sot në Evropë këto çështje janë shumë fragjile dhe duhet të mësojmë nga Kosova”, ka thënë ai. Roth, i cili ka shërbyer si ministër i Shtetit për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë (2013–2021) dhe si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme (2021–2025), ka thënë se Ballkani aktualisht nuk është në agjendat e rëndësishme evropiane e as globale. Ka treguar se si këtë pozitë e zënë Ukraina, Irani, Kina e shumë vende e telashe të tjera. Sipas tij, kjo nuk është qasje e mirë.
“Ka pasur një vakum të mosinteresimit dhe ai është shfrytëzuar nga regjimet autokratike. Ka mungesë lidershipi në Evropë. Kam pasur shpresë te Macroni, por ai ka dështuar për shkak të shumë çështjeve… Sot nuk kemi politikanë karizmatikë. Nuk jam aspak fans i Helmut Kohlit, por në kohë historike nuk mund të flitet për telashe teknike, duhen vendime. Evropa nuk bashkohet nga mendjet burokratike dhe teknike. Kohl nuk është marrë me detaje”, ka thënë Roth.
Sa i përket titullit të librit të tij ku frika është kryefjala, ai ka thënë se frika bashkon njerëzit dhe se të gjithë përballen me frikën. Sipas tij titulli, “Zonat e frikës” është një thirrje për zgjim. Ka thënë se frika ndihmon përballjen me sfidat dhe luan rol të madh edhe në politikë.
“Problemi lind kur ajo i shkatërron marrëdhëniet. Ky është një libër shumë personal dhe kam shkruar për frikërat e mia si i ri, por edhe në politikë. Flas për frikën si instrument i regjimeve autoritare për të lëkundur demokracinë, por nganjëherë ajo është vegël edhe në demokraci. Për shembull, politikanët gjermanë thonë se nëse e përkrahim shumë Ukrainën, mund të kalojmë në një dimension tjetër të luftës”, ka thënë ai. Kohë pas kohe në bisedë i është kthyer shumë Ballkanit dhe marrëdhënies së vendeve ballkanike me Evropën.
“Duket sikur këtu thuhet se nëse Evropa nuk vjen te ne, ne shkojmë te Evropa dhe e pasurojmë tregun e tyre të punës. Por nuk mund të ndërtoni të ardhme pa gjeneratat e reja. Nuk ka shpresë dhe njerëzit largohen. Ne përfitojmë në afat të shkurtër, por as ne në afat të gjatë”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shpjeguar se procesi i dialogut është më i rëndësishëm për Kosovën sesa për Serbinë. Sipas tij, Serbia ka interes ta bllokojnë gjithë procesin. Presidentin aktual të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e ka klasifikuar me fjalën fyese angleze “asshole” që përkthyer së buti mund të jetë oportunist.
“Vuçiq është oportunist, por nuk është vetëm i yni – është edhe i Putinit”, ka thënë ai. Sipas Roth nuk është e mençur të thuhet se nëse s’jemi fitues në zgjedhje duhet të mbahen zgjedhje pafund.
“Nëse kjo ndodh edhe në vende të tjera, nacionalistët dhe demagogët do të fitojnë vazhdimisht”, ka thënë politikani me goxha karizëm i Partisë Socialdemokrate e Gjermanisë (SPD).
Ai ka këshilluar të pranishmit jo aq në numër të madh që të hyjnë në politikë a shërbim diplomatik dhe të marrin përgjegjësi për vendin. Ka thënë se nuk duhet marrë vetëm me biznes por duhet t’i shërbehet edhe vendit. Është i bindur se herët a vonë, mënyra evropiane e jetës do të triumfojë.
“Nëse njerëzit janë të frustruar, demokracia nuk duket si një projekt i madh. Rusia dhe Kina duan të shkatërrojnë mënyrën evropiane të jetës, ndërkohë që miliona emigrantë duan të jetojnë ashtu siç jetojmë ne. Politika gjermane vuan nga mungesa e emocioneve në politikë”, ka thënë ai. Për tetë vjet shefe në Qeveri e ka pasur ish-kancelaren Angela Merkel. Sipas tij, ajo në rrethin e ngushtë ishte me shumë humor e shumë njerëzore por në paraqitje publike s’kishte fije emocioni. Ka thënë se i pëlqejnë emocionet e politikës franceze. Realisht në Gjermani s’është traditë aq e madhe që politikanët të shkruajnë libra ku flasin për karrierën, pikëpamjet e edhe anën personale. Në Francë ngjan kësisoj kaherë. Këtë e ka përmendur edhe Roth. Në libër ai flet për shumëçka: për ikjen e tij nga politika aktive e telashet shëndetësore që kishte dhe ato ia kishte treguar publikut në media të mëdha. Ka përmendur disa politikanë që fshihnin telashe shëndetësore dhe zhdukeshin në publik, por sipas tij kjo s’është gjë e mirë pasi ata e ato kanë obligime para votuesve. Pa Roth politika gjermane është më e varfër sidomos në raport me mbamendjen e tri dekadave të kaluara dhe aspiratat evropiane. E nga libri i tij mund të nxirren mësime të shumta. Edhe për Kosovën. /Koha.net



