Rozeta Hajdari pas aktakuzës në rastin e rezervave shtetërore: Mbrojtëm sigurinë kombëtare
Ministrja në detyrë e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, ka folur për herë të parë pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, në rastin e rezervave shtetërore. Ajo ka thënë se “është ruajtur siguria kombëtare” në rastin e rezervave shtetërore.
Hajdari ka thënë se në këtë aktakuzë, Prokuroria Speciale e Kosovës “nuk i ka marrë parasysh disa fakte”.
“Ashtu siç ju kam informuar më 11 nëntor, Prokuroria Speciale ka deponuar aktakuzë kundër meje dhe të tjerëve, ku pretendohet se me dashje kam përfituar për personat e tretë, duke dëmtuar buxhetin e shtetit gjatë muajit shkurt dhe mars 2022. Më lejoni të ju njoftoj se rezervat shtetërore të mallrave krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë në rast të çrregullimit të tregut. Kështu më 2021, MINT ka shprehur tri herë procedurat e prokurimit për blerjen e një sasie të mallrave, prej të cilave njëra ka përfunduar me sukses dhe dy kanë dështuar”.
“Mosmundësia e blerjes së mallrave bazike dhe konsolidimi i rezervave shtetërore është e dëshmuar nga tri procedura të Divizionit të Prokurimit në MINT, por këto fakte Prokuroria nuk i ka marrë për bazë në fazën e hetimit gjatë nesh. Për procedurën e sigurimit të rezervës shtetërore, për çka akuzohem nga prokuroria, ju rikujtoj se me shpërthimin e luftës në Ukrainë, shkurt – mars 2022, ishte një nga më sfidueset për sigurinë ushqimore globale dhe rajonale”, ka thënë Hajdari në një konferencë për media.
Ajo ka arsyetuar veprimin rreth rezervave me “ruajtjen e sigurisë kombëtare”.
“Çdo situatë krize, konflikt ushtarak, fatkeqësi natyrore, apo ndërprerje e furnizimit, shteti duhet të garantojë qasje në ushqim që mban gjallë familjet. Pa furnizim të këtyre produkteve, krijohet pasiguri sociale, panik, rritje e çmimeve, destabilzim ekonomik dhe politik. Siguria kombëtare ishte në rrezik, duhej veprim i menjëhershëm i institucioneve tona. Por, MINT në periudhën shkurt-mars, Departamenti në kuadër të MINT, nuk arriti të sigurojë asnjë ofertë nga kompanitë për furnizim të mjaftueshëm”, ka thënë Hajdari.



