Rrahim Ajeti i bashkohet listës së PDK-së për Kuvendin Komunal të Vushtrrisë

03 gusht 2025 | 22:54

Rrahim Ajeti, ish-aktivist i AAK-së dhe emër i njohur në jetën publike në Vushtrri, i është bashkuar zyrtarisht listës së Partisë Demokratike të Kosovës për Kuvendin Komunal.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, përmes një postimi ka njoftuar se Ajeti i bashkohet ekipit të tij, duke e cilësuar si profil me përvojë dhe kontribut të dëshmuar institucional.

Rrahim Ajeti është nga fshati Stanoc i Poshtëm. Ai ka përfunduar studimet në Shkenca Politike dhe Diplomaci, si dhe në Fakultetin Juridik. Që nga viti 2000 është i angazhuar në Qendrën për Punë Sociale në Vushtrri. Ndërkohë, për katër vite ka qenë anëtar i Kuvendit Komunal të Vushtrrisë.

Nga viti 2015 deri në vitin 2023, Ajeti ka udhëhequr degën e Kryqit të Kuq në Vushtrri. Po ashtu, që nga viti 2017 është kryetar i këshillit të fshatit Stanoc i Poshtëm. Në periudhën 2019–2020 ka ushtruar detyrën e drejtorit të Inspektoratit në komunë.

Me këtë përvojë institucionale dhe me një angazhim të vazhdueshëm në çështje lokale, ai pritet të jetë një prej emrave me ndikim në listën e PDK-së për Kuvendin Komunal.

“Jam i bindur se me përkushtimin dhe seriozitetin që e karakterizon, Rrahim Ajeti do të jetë një zë i fuqishëm për qytetarët në Kuvendin Komunal të Vushtrrisë,” ka deklaruar Ferit Idrizi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-gjyqtari i Kushtetueses Kadri Kryeziu ka akuzuar ish-kreun e institucionit…