
Rrahmani, i gatshëm për Milanin
Kapiteni i Kombëtares së Kosovës në futboll, Amir Rrahmani do të jetë plotësisht i gatshëm për ndeshjen e radhës te skuadra e Napolit.
Madje, Rrahmani pritet të rikthehet titullar dhe atë në derbin kundër Milanit, ndeshje kjo që luhet të dielën mbrëma në stadiumin “San Siro” dhe i takon xhiros së pestë.
Rrahmani i ka munguar Napolit në tri ndeshjet e fundit në të gjitha garat për shkak të lëndimit që e pësoi në duelin ndërmjet Zvicër dhe Kosovës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026.
Mbrojtësi kosovar, tashmë është rikuperuar plotësisht dhe ishte në ekipin e Napolit për ndeshjen ndaj Pisas, që e fitoi 3:2 por nuk u aktivizua nga trajneri Antonio Conte.
Rrahmani nuk ka luajtur te Napoli kundër Fiorentinas e Pisas në kampionat, si dhe Manchester Cityt në Ligën e Kampionëve.
Napoli është lider në Serie A, me katër fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, dhe ka tri pikë më shumë se Milani, ekip ndaj të cilit do të rikthehet Rrahmani në fushë.